Preteni: Apelet pa "tërheqjen e veshëve" nuk do të rezultojnë me sukses

  • 11 December 2018 - 13:23
Preteni: Apelet pa

Ish-kreu i AKK-së (Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës), Hasan Preteni, tha për "Kosova Sot" se jo vetëm deklarata e ambasadorit amerikan, por të gjitha deklaratat e ambasadorëve të Quintit këto ditë ishin shumë shpresëdhënëse, në këtë fillim të mirë të shënimit të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, dhe tani mbetet të shihet se si do të merren këto apele, mesazhe serioze nga krerët e shtetit dhe drejtësia, sepse në të kaluarën kanë hasur në vesh të shurdhër."Kishte edhe më herët deklarime të tilla, por jo kaq të organizuara, të harmonizuara dhe unike.

Apelet pa "tërheqjen e veshëve" nuk do të rezultojnë me sukses. Është bërë mjaft me ndryshime të ligjeve, me ndryshime kozmetike, me vendime skandaloze. Ligjet po mbeten në letër e në anën tjetër të gjitha çështjet po rregullohen me vendime. Si në gjendje lufte kur nuk mund të tubohet kuvendi e gjërat të rregullohen me dekrete-vendime. Kjo nuk është masë serioze, përkundrazi është krejt joproduktive edhe rritja e pagave. Ka pasur rritje edhe në të kaluarën, por pa asnjë progres. Pra, rritja e rrogave, rritja e privilegjeve, nuk po e rrit edhe efikasitetin. Po kemi shpenzim koti", u shpreh ai.

"Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të sanksionohen me zvogëlimin e pagave dhe privilegjeve dhe jo të trashen me para të pamerituara. Këto vendimet e shpejta e kanë edhe dështimin e shpejtë. Kemi nevojë për politika të matura. Kemi nevojë për ligje të analizuara dhe përgatitura mirë, kemi nevojë për hetues dhe gjyqtarë me dinjitet dhe integritet. Prandaj, uroj që thirrjet e ambasadorëve të vazhdojnë drejt krijimit të planeve konkrete operative dhe planeve vepruese. Nevojitet edhe vetting i menjëhershëm, pastrim me themel dhe rifillim i mbarë. Vetting-u të realizohet sipas modelit të Tiranës, por jo me kaq zvarritje e pengesa. Në afate të arsyeshme kohore, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe poshtë. Duhet të bëhet verifikimi i pasurisë, vlerësimi i performancës dhe lidhja me krimin (familja, miqësia dhe shokët). Shtetet mike duhet të "urdhërojnë" e kosovarët të veprojnë, sepse pa mbikëqyrje, pa sanksionimin e të padenjëve, nuk ka progres", tha Preteni për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë: Apeli i ambasadorit Kosnett dridh drejtësinë 

 

(Kosova Sot)