E konfirmon Prokuroria, kjo është lidhja e Gani Thaçit me Enis Qerken

  • 11 December 2018 - 13:28
E konfirmon Prokuroria, kjo është lidhja e Gani Thaçit me Enis Qerken

Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka tentuar të distancohet nga shoferi i tij dhe zyrtari i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Enis Qerka, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës si i dyshuar për posedim të 113 kilogramëve të substancës narkotike të llojit heroinë.

Madje, Gjykata e Prishtinës u ka caktuar Qerkës dhe tre personave të tjerë të dyshuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërkaq, eprori i tij, Gani Thaçi ka tentuar të distancohet nga Qerka. Ka thënë se Qerka nuk është shoferi i tij.

“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, ka thënë Thaçi për një portal. 

“Megjithatë, Enis Qerka nuk është shoferi im”.

Mirëpo, në tetor të këtij viti, Enis Qerka ishte arrestuar nën dyshimin për sulm fizik, pasi i kishte dalë në mbrojtje Gani Thaçit në përleshjen fizike të tij me Gianni Sokoliç në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Madje këtë e kishte konfirmuar prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, i cili kishte deklaruar se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij kanë qenë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha. 

Ndryshe, media të hënën ka raportuar se katër kosovarë janë arrestuar të shtunën në Han të Elezit. Atyre iu është konfiskuar edhe një veturë BMW. 

Aksioni i policisë është vazhdimësi e atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë. 

Në mesin e të arrestuarve, në grupin e dytë, në Han të Elezit, është edhe Enis Qerka, shofer i Gani Thaçit, vëllai të presidentit Hashim Thaçi. 

Qerkës dhe tre të arrestuarve tjerë Gjykata e Prishtinës u ka caktuar të hënën 30 ditë paraburgim. 

Masën e paraburgimit ndaj tij dhe tre të dyshuarve tjerë, për Express e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës. 

Për dallim nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.

Për këtë rast policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin 24 orësh.

“Lidhur me rastin me date 08.12.2018 janë arrestuar edhe katër te dyshuar meshkuj K-Shqiptar dhe si prova materiale janë sekuestruar: një veturë BMË, disa telefona celular, para etj. Me urdhër te prokurorit te dyshuarit dërgohen ne mbajtje”, ka thënë policia në raporton e së dielës.