Ministri i pushtetit lokal të Maqedonisë dhe paraardhësi i tij mohojnë akuzat e policisë financiare

  • 11 December 2018 - 15:55
Ministri i pushtetit lokal të Maqedonisë dhe paraardhësi i tij mohojnë akuzat e policisë financiare

Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë Suhejl Fazliu dhe paraardhësi i tij në të njëjtin post Lirim Shabani nuk ndjehen fajtorë lidhur me padinë e ngritur ndaj tyre dhe dy punonjësve të ministrisë për punë të pandërgjegjshme dhe dëmtimin e buxhetit për 2 milion 198 mijë denarë apo rreth 35 mijë euro.

Bëhet fjalë për para të fondeve IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë që sipas akuzës janë përdorur në mënyrë joligjore për shpenzime të rrugës, mëditje dhe urdhra pagesor për dy punonjësit e ministrisë të cilët për periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2017 kanë marr më shumë se 12 mijë euro vetëm si honorarë dhe shpenzime të rrugës.

Lidhur me akuzat e policisë financiare, ministri aktual Suhejl Fazliu në një reagim me shkrim thonë se rasti i takon ish-paraardhësit të tij Lirim Shabani dhe se pas ardhjes së tij në krye të dikasterit ka urdhëruar të punësuarit dhe të akuzuarit në fjalë që t'i kthejnë mjetet.

"Apeloj deri tek të gjitha institucionet relevante në shtet edhe tek policia financiare që seriozisht të merren me hulumtimin, zbardhjen dhe dokumentimin e keqpërdorimeve, korrupsionit në të gjitha segmentet e shtetit pa kursyer asnjë individ apo grup të organizuar kriminel. Është koha e fundit që udhëheqësi i Drejtorisë së policisë financiare të merret seriozisht me keqpërdorimet reale të cilat kane zënë rrënjë gjatë këtyre 20- 30 viteve në Maqedoni…”, shkruan Fazliu.

Por, edhe ish-ministri Lirim Shabani thotë se akuzat nuk kanë të bëjnë me të, por me punonjës të të tjerë, ndërsa thekson se paratë janë kthyer pas revizionit të bërë dhe se nuk mund të bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit.

"Theksoj se shuma e parave që përmendet në hetimin e Policisë Financiare nuk ka të bëjë me mua apo me shfrytëzimin e paargumentuar të tyre nga ana ime gjatë funksionit si ministër, por nga punonjës dhe përgjegjës të departamentit të menaxhimit të fondeve IPA. Po ashtu, në mënyrë shtesë, mund të konstatoj se këta punonjës, pas revizionit, e kanë kthyer shumën e parave në rrugë ligjore, veprim ky i cili rrëzon çdo pretendim për shpërdorim të mundshëm të buxhetit të ministrisë apo buxhetit të shtetit në përgjithësi”, theksoi Shabani.

Por, nga Policia Financiare thonë për Alsat se, pavarësisht deklarimit të Shabanit dhe Fazliut për kthimin e parave, paditë mbeten në fuqi për shkak të shkeljeve ligjore dhe se me to tani do të merret Prokuroria Publike.

Policia Financiare deri tek Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit padi ka ngritur edhe kundër ish-ministrave të Arsimit, Nikolla Todorov dhe Pançe Kralev dhe dy punonjësve të tjerë për shpërdorim të detyrës dhe dëmtim të buxhetit për rreth 80.000 euro.

(Kosova Sot)