Prokuroria për dy javë do të publikojë informacione nga hetimi për arratisjen e Gruevskit

  • 12 December 2018 - 13:41
Prokuroria për dy javë do të publikojë informacione nga hetimi për arratisjen e Gruevskit

Prokuroria Publike në dy javët e ardhshme do të dalë me informacione për rezultatet nga procedura parahetimore për arratinë e ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe mënyrën se si e ka lëshuar vendin. Javën e ardhshme zyrtarë të Prokurorisë do të shkojnë në Mal të Zi që t’i marrin video materialet në lidhje me këtë rast, ndërsa nga Shqipëria kërkohet që edhe ajo shumë shpejtë t’i dorëzojë materialet të cilat i posedon.

“Morëm informacion nga kolegët e Malit të Zi se i kanë grumbulluar të gjitha incizimet të cilat janë të nevojshme dhe të hënën ose të martën do të shkojmë që t’i marrim. Kolegu dje ka kërkuar nga Shqipëria që të na dorëzohen sa më shpejtë materialet të cilat i posedojnë ata”, deklaroi sot prokurorja Villma Ruskoska duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para mbajtjes së konferencës në lidhje me luftën kundër korrupsionit.

Prokurorja Vilma Ruskoska

Ajo shtoi se kontrollimi i incizimeve të cilat i posedojnë është kah fundi dhe paralajmëroi se presin që në dy javët e ardhshme të dalin me komunikatë për rezultatet nga procedura parahetimore.

Sa i përket fotografisë së Nikolla Gruevskit e cila ishte publikuar dje në mediet dhe në rrjetet sociale, Ruskovska theksoi se sipas gjitha gjasave do të ndërmarrin aktivitete që të shohin se nga e ka origjinën dhe kush e ka fotografuar. Duke pas parasysh  se aty përveç Gruevskit, për të cilin thuhet se është fotografuar në Budapest, është identifikuar edhe një nga të akuzuarit për rastin e PSP-së “Dhunë në Komunën  Qendër”, Ruskoska theksoi se në Prokurori do të thirren të gjithë për të cilët vlerëson se mund të japin informacione të caktuara në lidhje me arratinë e Gruevskit.

“Ne deri më tani kemi dëgjuar nga sigurimi i tij kështu që do të vazhdojmë në atë drejtim”, tha Ruskoska.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se për momentin nuk kanë asgjë të re në lidhje me kërkesën për ekstradimin e Gruevskit nga Budapesti, ku autoritetet hungareze i dhanë azil politik.

Ministrja e Drejtësisë, Reanata Deskoska

“Ne ende nuk kemi marrë asgjë nga Hungaria në lidhje me kërkesën tonë për ekstradim. Megjithatë, afatet ende nuk janë tejkaluar. Do të presim një kohë të caktuar dhe nëse pas kësaj nuk marrim përgjigje do të dërgojmë urgjencë”, tha Deskoska.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski para një muaji u largua nga Maqedonia që të mos e vuajë dënimin me burg prej dy viteve për rastin “Tanku”. Me ndihmën e diplomatëve hungarezë, nëpërmjet Shqipërisë,  Malit të Zi dhe Serbisë iku në Hungari, ku kërkoi dhe mori azil politik.

Autoritetet e Maqedonisë për Gruevskin shpallën fletëarrest dhe kërkuan që ai të ekstradohet në Maqedoni.

Gruevski është akuzuar në disa lëndë të Prokurorisë Speciale Publike , për çka Kuvendi ia mori imunitetin, ndërsa për disa nga to i është caktuar masa e paraburgimit.

Dje, një gazetar i gazetës britanike “Guadian” në Fejsbuk publikoi fotografi të Gruevskit në Budapest, e para pas arratisë së tij nga Maqedonia.

(Kosova Sot)