Numër rekord i vrasjeve në Londër për dhjetë vitet e fundit

  • 12 December 2018 - 15:36
Numër rekord i vrasjeve në Londër për dhjetë vitet e fundit

Gjatë vitit 2018 është shënuar numri më i madh i vrasjeve në kryeqytetin britanik në dhjetë vitet e fundit. Therja brutale e një 18-vjeçari gjatë ditës së djeshme e ka çuar në 130 numrin e vrasjeve në kryeqytet që nga 1 janari i këtij viti.

Në këtë shifër përfshihen vrasjet me armë zjarri dhe me armë të ftohta, ndërsa ky numër është më i larti që nga viti 2008, kur numri i vrasjeve kishte arrritur në 154. Një zëdhënës i kryetarit të Londrës tha se kjo rritje e numrit të vrasjeve është e turpshme. Në mesin e këtyre vrasjeve, 73 ishin vdekje të shkaktuara nga therja me thikë, ndërsa 14 ishin vdekje të shkaktuara nga sulmet me armë zjarri.

Rasti i fundit i vrasjes ndodhi dje, kur një i ri kishte plagë të rënda që ishin shkaktuar nga therja me thikë. Bashkë me të ishte edhe shoku i tij, i cili iu mbijetoi plagëve. Lidhur me këtë rast janë arrestuar pesë persona, prej tyre dy gra dhe tre burra. Një adoleshent tjetër ishte therur me thikë të shtunën, ndërsa para disa ditësh u vra edhe një 77-vjeçare, shkruan “BBC”.

 

(Kosova Sot)