Investitorët e huaj ankohen për klimën e biznesit në Maqedoni

  • 12 December 2018 - 16:54
Investitorët e huaj ankohen për klimën e biznesit në Maqedoni

Këshilli për investitorë të huaj del me vërejtjet e njëjta për Qeverinë e re të Maqedonisë. Mungesa e kuadrit të kualifikuar, klima e paparashikueshme e biznesit, ndërrimi i shpeshtë i ligjeve, investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë, mungesa e reformave strukturore janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen kompanitë e huaja që punojnë në vend.

Në të ashtuquajturin “Libri i bardhë” për vitin 2018, investitorët e huaj thonë se situata ekonomike në vend edhe më tej mbetet e njëjtë.

"Si t’i bëni reformat? Për një ditë kjo është e pamundur. Nuk mund t’i bëni reformat sot për nesër. Mund t’i bëni hap pas hapi, me punë të vazhdueshme dhe me rritjen e këtij mali që është i madh dhe që ka shumë për t’u ngjitur", deklaroi Shtefan Peter nga Këshilli i Investitorëve të Huaj.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev theksoi se për përmirësimin e klimës së biznesit nevojitet anëtarësimi në BE dhe NATO.

"Integrimi në BE dhe NATO është çështje shumë serioze. Jorastësisht vendi që nga pavarësia fokusohet në këtë dhe ja, më në fund po e përjetojmë kohën kur ia dolëm. Ne do të jemi anëtare e NATO-s pasi ftesë kemi", tha Zaevi.

Biznesmenët vendorë nga ana tjetër kishin kërkesa të qarta.

"Duhet të ketë investime dhe shteti t’u ndihmojë atyre që mund të realizojnë vende pune dhe investime. Në duam të fitojmë të gjithë, duhet të mbështeten veprimtaritë si arsimi, shëndetësia e kështu me radhë", tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Branko Azeski.

Këshilli i investitorëve të huaj është formuar para 13 viteve, ndërsa “Libri i bardhë” me rekomandimet dhe vërejtjet e investitorëve të huaj botohet prej vitit 2015.

 

(Kosova Sot)