Kosova bëhet sot me ushtri

  • 14 December 2018 - 07:49
Kosova bëhet sot me ushtri

 FSK-ja transformohet në Forca të Armatosura

 “Mundësinë na e kanë dhënë miqtë tanë, SHBA-ja dhe të tjerët, andaj mbetet tek ne të përcaktohemi se a duam që ta bëjmë një ushtri profesionale, apo do ta bëjmë një institucion të dështuar, ashtu siç i kemi bërë edhe të gjitha institucionet e tjera të Republikës së Kosovës”, theksoi eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot"

Analistë të politikës dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare njëzëri po vlerësojnë se ëndrra e kosovarëve që përfundimisht të kemi ushtrinë tonë po jetësohet. Ata theksojnë se jetësimi i kësaj ëndrre po ndodh jo si meritë e pushtetarëve tanë, të cilët, përveçse e degraduan vendin tonë, po e zhbëjnë shtetin  e Kosovës dhe nuk po punojnë asgjë për interesa të qytetarëve. Sipas tyre, e vetmja meritë e formimit të ushtrisë sonë i shkon ekskluzivisht mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se 14 dhjetori është datë historike,  pasi Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën parlamentare dhe do të votohen projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur. “Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është një ëndërr e të gjithë qytetarëve, në interes të të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, u shpreh ai.

 Ushtrinë ta drejtojnë profesionistët

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosova më në fund do ta ketë një ushtri.“Ushtria e Kosovës nuk bëhet si një meritë e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt e Kadri Veselit, ngase kurrën e kurrës nuk do të kishim ushtri me meritat e këtyre njerëzve. Por kjo po ndodh falë miqësisë me SHBA-në dhe Kosova duhet t’u përkulet gjithmonë vendeve mike, SHBA-ve Britanisë së Madhe dhe vendeve tjera që mbështetën Kosova për ta pasur një ushtri”, potencoi ai. Sipas Kelmendit, Kosova në fakt edhe këta 20 vjet i ka humbur ngase TMK-ja dhe FSK-ja kanë qenë organizata civile dhe, ndonëse me fjalë flitet për suksese të mëdha dhe realisht edhe aty nuk është ndonjë institucion me sukses sikurse edhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.“Edhe ky formacion që nga nesër do të jetë ushtri, meriton shumë më shumë, meriton investim shumë më tepër, sepse do ta kemi emrin ushtri, por nuk do të jemi ushtri, sepse thjesht nevojiten gjenerata të reja për t’u dhënë bursa e për t’i shkolluar në SHBA dhe në vendet perëndimore dhe vetëm në këtë mënyrë do të kemi një ushtri profesionale dhe ta përgatisim për NATO”, vijoi më tej Kelmendi. “Nuk na bën nder që kreu i kësaj ushtrie të jetë një njeri me një shkollë 6-7-vjeçare, siç është ky tani dhe të tjerët që ishin më herët. Veç Agim Çeku, që kishte shkollë përkatëse ushtarake, kurse secili prej komandantëve të tjerë ishte  më i pashkolluar se tjetri. Prandaj, duhet që të krijojmë një bazë të shëndoshë të një ushtrie profesionale”, vlerësoi ai.

 Qytetarët, mirënjohës përjetë ndaj Amerikës

Qytetarët e anketuar ndërkaq thonë se i janë mirënjohës të përjetshëm për ndihmën e SHBA-së për ushtrinë. Sipas tyre, më në fund po jetësohet ëndrra e kosovarëve që përfundimisht të kemi ushtrinë tonë. Qytetari nga Prishtina, Muzli Abazi, avokat,  për gazetën “Kosova Sot”, thotë se më në fund po realizohet ëndrra për krijimin e një shteti të mirëfilltë, Ushtrisë së Kosovës.  “Por e tërë kjo arritje është meritë ekskluzive e SHBA-së, sepse pa përkrahjen e SHBA-së assesi nuk do të formohej Ushtria e Kosovës tash, por kjo mund të ndodhte shumë më vonë. Nëse fati i formimit të Ushtrisë së Kosovës të mbetej në duart e pushtetarëve tanë, kjo nuk do të bëhej edhe në një të ardhme të afërt me këta pushtetarë, por kjo do të mund të ndodhte vetëm atëherë kur këta pushtetarë të tashëm të largoheshin dhe do të krijohej një pushtet i mirëfilltë shqiptar”, theksoi ai.“Kjo stolisje e qytetit është pak krahasuar me atë që ka qenë dashur të bëhet, sepse SHBA-ja na shpëtoi nga kolonializmi shekullor prej Serbisë, apo më mirë të themi na shpëtoi nga shfarosja e nga gjenocidi serb. Sikur mos të ishte intervenimi ushtarak i SHBA-së në luftën e fundit, sot nuk do të kishte fare Kosovë të pavarur dhe as ushtri të saj, sepse do ta pësonim po të njëjtin fat sikurse  më 1878 e pësuan shqiptarët e Toplicës, që u dëbuan nga trojet  e tyre nga ushtria serbe”, ka thënë më tej Abazi.

Ndërsa qytetari tjetër nga Sfeqla e Podujevës, tash me banim në Prishtinë, Hakif Hamiti, ish i burgosur politik dhe luftëtar i lirisë në Kosovë dhe në Kroaci, me lot në sy për gazetën “Kosova Sot” thotë se me dekada dhe padurim shumë të madh e ka pritur se do të vjen kjo ditë.“Jo vetëm unë, por edhe gjenerata të tëra të të përndjekurve politikë në Kosovë e të gjitha viset shqipfolëse e kanë pritur këtë ditë e shenjtë të shqiptarëve të Kosovës, por edhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Andaj, e them me plot bindje se themelimi i ushtrisë sonë është ekskluzivisht një meritë ekskluzive e miqve tanë, sepse po mos të ishin SHBA-ja dhe miqtë tanë nga NATO-ja, ne si Kosovë nuk do ta kishim ushtrinë nesër. Andaj edhe stolisja e qytetit të Prishtinës me flamuj amerikanë e ikonografi tjetër amerikane është pak në krahasim me atë se çfarë bënë për ne SHBA-të, por e dimë se është krizë dhe kjo është një shenjë falënderimi për aleatët tanë të përjetshëm, duke dëshmuar edhe një herë se jemi populli më pro amerikan në botë”, vlerësoi ai. Sipas Hamitit, sa për të gjitha garniturat e deritashme të pushtetarëve tanë të pasluftës dhe qeveritarët e tashëm Kosova nuk do ta kishte kurrë ushtrinë e saj.

 Fitore e madhe

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese është synim i Qeverisë së Kosovës, por nuk është hequr dorë që transformimi  të bëhet edhe përmes ligjit dhe është një fitore e rëndësishme për shtetin e Republikës dhe qytetarët e saj. Kjo ëndërr shekullore tani po realizohet duke iu falënderuar SHBA-së dhe disa miqve aleatë. Hapi përfundimtar i krijimit të ushtrisë së vendit vjen pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n. Ky proces i filluar vite më parë gradualisht është në fazën përfundimtare dhe tani, më 14 dhjetor, do kurorëzohet në themelimin e saj, që mbetet ëndërr e shumë shqiptarëve që  punuan devotshëm për këtë historik të shtetit të Kosovës”, u shpreh Ali Hertica për “Kosova Sot”.

 Kapacitetet e kufizuara

Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se 5000 ushtarë mercenarë nuk janë kurrfarë garancie mbrojtëse.“Nëse do të ishte ushtri e vullnetarëve, pa pagë mujore, si shërbimi i detyrueshëm që ishte përpara, do të ndihesha më i sigurt. Tjetra, Kosova nuk ka kapacitete të ngritë ushtri që mund ta mbrojë Kosovën nga sulmi ushtarak serb. Prandaj, më të sigurt do të ishim shtet pa ushtri, sepse do të kishim simpatinë dhe përkrahjen e njerëzve pacifistë. Më mirë do të kishte qenë pjesëtarët vitalë të FSK-së t’i kalonim në policë, të moshuarit në agjenci emergjence (zjarrfikës dhe të trajnuar për raste katastrofe). Formimi (nëse do të ndodhë) nuk është meritë e pushtetarëve, por e individëve me mendësi militariste”, theksoi ai.

(Kosova Sot)