Qarri: Krimi nuk ka shans të luftohet nga sistemi i kapur aktual i drejtësisë

  • 14 December 2018 - 16:28
Qarri: Krimi nuk ka shans të luftohet nga sistemi i kapur aktual i drejtësisë

Ide e qëlluar dhe veprim efektiv konsiderohet izolimi ndërkombëtar i qeveritarëve të korruptuar edhe nga analisti Gani Qarri. "Pas krejt asaj sa ka ndodhur në Kosovë, tanimë do të duhej që urgjentisht, të gjitha shtetet mike të Kosovës, duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca e shumë vende të tjera që ia duan të mirën popullit dhe shtetit tonë, menjëherë t`ua refuzojnë dhënien e vizave pushtetarëve të inkriminuar vendor, të mbytur në korrupsion dhe lidhur këmbë e kokë me krimin e organizuar.

Fakti që ata mbetën të padënuar asnjëherë, pikërisht shkaku i korruptimit të vetë kryeprokurorit të vendit pikësëpari, pushtetarët e inkriminuar në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë ende me të dy këmbët mbi ligjin dhe as që e bëjnë fare hesap se ekziston sistemi i drejtësisë, të cilin e kanë plotësisht në duart e veta", u shpreh ai.

"Pushtetarët e tillë të inkriminuar deri në fyt, të cilët e zhvatën këtë popull për gati dy dekada rresht, në të dyja nivelet, që të gjithë duhet futur ne listat e zeza, duke filluar nga Amerika e pastaj edhe nga shtetet e tjera mike, pasi jo vetëm se kanë dëshmuar që janë pjesë e krimit të organizuar, por vetë krimi dhe koka e nëntokës kriminale në vend e më gjerë", potencoi Qarri.

Sipas tij, krimi që ka lëshuar rrënjë kaq të thella kudo, tash e më se 20 vjet, nuk ka shans të luftohet nga sistemi i kapur aktual i drejtësisë. "E vetmja zgjidhje mbetet ndërhyrja direkt e ambasadorit të SHBA-së, z.Philip Kosnett, si dhe ndihma e shteteve mike që ia duan të mirën vendit tonë, fillimisht duke bllokuar të gjithë pushtetarët e inkriminuar, duke i futur ata në karantinën e listave të zeza të ndërkombëtareve, duke abroguar të drejtën për viza dhe duke injoruar tërësisht, si të padenjë, që shtetet mike t'i trajtojnë burrështetas", tha Qarri për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë: Lista të zeza për politikanët zhvatës, të izolohen e të ndëshkohen

 

(Kosova Sot)