Transformimi i Hashim Thaçit: Para 3 muajsh ishte kundër themelimit të ushtrisë

  • 14 December 2018 - 16:41
Transformimi i Hashim Thaçit: Para 3 muajsh ishte kundër themelimit të ushtrisë

Muaj më parë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte shprehur kundër procedimit në Kuvend të tri projektligjeve që Forcat e Sigurisë të Kosovës të shndërrohen në ushtri.

Madje, ai në shtator e kishte quajtur vendim të gabuar vendimin e Qeverisë Haradinaj që të procedohen këto projektligje në Kuvend. Sipas tij, nuk ishte koha e duhur që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri.

“Një veprim i anshëm çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes së stabilitetit për paqe, dhe pastaj edhe në NATO. Tjetër, sot është një ditë e rëndësishme, historike, Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën…mendoj se procedimi sot nëse është i vërtet është ditë e gabuar në këtë ditë historike për Kosovën, sepse nuk kemi nevojë me këtë mëngjes me dërgua këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. A kemi të drejt, kemi të drejt, a duhet të lëvizim, duhet të lëvizim, por një proces plotësisht të koordinuar me ShBA-të dhe NATO-në. Çdo lëvizje tjetër mund të jetë vetëm ngatërresa dhe mund të sjell pështjellime politike të panevojshme, por edhe implikime negative ndërkombëtare në raport me të ardhmen e ushtrisë së Kosovës. Por, natyrisht duhet të koordinohemi si bartës të institucioneve, besoj që janë koordinuar edhe me opozitën dhe do të kemi një rezultat që presin qytetarët e Kosovës”,  kishte deklaruar muaj më parë Hashim Thaçi.

Megjithatë, ai ka ndryshuar qëndrimin rreth kësaj iniciative kur pa se po merren hapa konkretë.

Në tetor, ditën kur u votuan në lexim të parë tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, Thaçi u mobilizua të shpërndante një video për të marrë merita rreth ushtrisë.

E, dje ai ka dalë para pjesëtarëve të FSK-së, në rolin e komandantit suprem për t’i uruar qytetarët në emër të institucioneve për ushtrinë, projektligjet për të cilën u votuan sot.

(Kosova Sot)