Nagavci: Seancë e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhtinë

  • 15 December 2018 - 13:34
Nagavci: Seancë e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhtinë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar koalicionin qeverisës dhe PSD-në se e kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin e Draft-rezolutës së PSD-së tinëzisht për të legjitimuar tradhtinë.

Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “as 24 orë nuk pritën nga votimi i ligjeve për transformimin e FSK- së. Me nxitim, tinëzisht, natën e ftuan seancën e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhëtinë e tyre”.

Postimi i plotë i Nagavcit:

“As 24 orë nuk pritën nga votimi i ligjeve për transformimin e FSK- së. Me nxitim, tinëzisht, natën e ftuan seancën e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhëtinë e tyre.

Qeverisë së pakicës i është bashkangjitur edhe pakica e opozitës, e dialogu nuk mund të zhvillohet nga ata që nuk kanë legjitimitet, andaj nuk duhet të vazhdoi para zgjedhjeve të reja dhe pa marrë mbështetjen e qytetarëve.

Cila është ngutia për të vazhduar dialogun me Serbinë? Cila është arsyeja që Shpendi të jetë në një ekip me Bexhet Pacollin, Dardan Gashin, Enver Hoxhajn e të tjerêt, të gjithë bashkë pas Thaçit e për të?

Në fakt tradhtia duket e vështirë e e pamundur herën e parë, pastaj s’është më as problem e as befasi. Kur tradhtuan idealin, programin, besimin e qytetarëve, asgjë më s’është e papritur.

Ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë, e as në këto pazare në dëm të vendit”, ka shkruar Nagavci. 

 

(Kosova Sot)