U kap me 80 mijë euro/ Dëshmia e tregtarit të medresesë: Nuk doja të paguaja taksat

  • 16 December 2018 - 11:41
U kap me 80 mijë euro/ Dëshmia e tregtarit të medresesë: Nuk doja të paguaja taksat

Policia Kufitare në Rinas ka arrestuar ditën e djeshme një shtetas kinez, i cili është kapur me mallra kontrabandë, për të cilat paguhet akcizë, si edhe nuk ka deklaruar një shumë të hollash që e kalon limitin ligjor. Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë, në pranga është vënë shtetasi Jinwei Liu, 43 vjeç, banues në Shqipëri prej vitesh. 

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale të kontrabandës së mallrave, për të cilat paguhet akcizë dhe mosdeklarim të të hollave apo sendeve me vlerë në kufi. Arrestimi i kinezit u bë, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi e konsiderueshme parash të padeklaruara dhe steka cigaresh pa pullë. Sipas Policisë, shtetasi kinez tentoi t’i shpëtonte sigurisë së aeroportit, teksa në trup dhe në çantën e dorës kishte fshehur 80 mijë euro dhe 9 steka cigaresh pa pullë fiskale. Gjithashtu, gjatë kontrollit, i janë gjetur edhe 76 mijë lekë si edhe 2.900 jen.

Burimet thonë se Liu jeton prej kohësh në Shqipëri dhe ushtron aktivitetin si tregtar pranë “Medresesë” në Tiranë”. Ai pas arrestimit është shprehur përpara uniformave blu të kryeqytetit se nuk i deklaroi paratë, pasi ka pasur për qëllim vetëm që t’u shmanget taksave.

Pas gjetjes së parave të padeklaruara, Policia i ka sekuestruar ato deri në përfundim të hetimeve për të mësuar më shumë mbi aktivitetin e 43-vjeçarit nga Kina. Ndaj këtij shtetasi Policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës materialet, ndaj të cilit rëndon akuza e kontrabandës me mallrat e akcizës si dhe mosdeklarim të hollash në kufi.

Ka qenë Policia e Shtetit, e cila nëpërmjet zyrës së saj të shtypit ka dhënë informacion për këtë rast. Policia Kufitare e Rinasit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave të përbashkët me Degën e Doganës Rinas kanë ushtruar kontrolle të përbashkëta në pasagjerët e linjave ajrore me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Zyra e shtypit në Policinë e Shtetit mëngjesin e djeshëm tha se është goditur një rast i mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi dhe të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. “Si rezultat i kontrolleve është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë shtetasi kinez Jinwei Liu, 43 vjeç, lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë (me leje qëndrimi), të cilit gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 juanë kinezë. Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës iu gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale. Ky shtetas në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale ‘Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë’ dhe ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’, parashikuar 179/a i Kodit Penal”, sqaroi zyrtarisht Policia për këtë rast.

Sipas Policisë, ky është rasti i 14 në total gjatë vitit 2018, që Policia Kufitare e Rinasit ka kapur për mosdeklarim të vlerave monetare në kufi.

(Kosova Sot)