Vrasja e Donjeta Pajazitaj, Gjykata pritet të dalë në vendin e ngjarjes në Strellc të Deçanit

  • 17 December 2018 - 16:26
Vrasja e Donjeta Pajazitaj, Gjykata pritet të dalë në vendin e ngjarjes në Strellc të Deçanit

Në rigjykimin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, kundër të akuzuarit Naser Pajazitaj, sot ishte planifikuar të dëgjohen dëshmitarët Azem, Kastriot, Jetmir e Kushtrim Pajazitaj.

Dëshmitari Azem Pajazitaj- kushëriri i familjes së dëmtuar, tha se ditën kritike ka qenë ‘te druni’ bashkë me Jetmirin, Naserin dhe Kushtrimin, duke pritur të shkojnë në varrimin e Shqefqet Zeqaj.

“Naseri atë ditë ka qenë me veturë, pak më larg se ne që kemi qenë duke pritur, ndërsa Donjetën e kam parë duke kaluar para orës 2, e cila ka qenë me Qamilin deri në gjysmën e rrugës e pastaj ajo ka vazhduar vetëm në lagjen e Jusajve”, tha dëshmitari Azem Pajazitaj.

“Pasi që ka kaluar Donjeta është ngjitur edhe Naseri në atë drejtim të lagjes së Jusajve, të cilin nuk e kam parë në varrim”, tha Azemi.

Vëllai i Donjetës pyeti dëshmitarin Azem Pajazitaj se “a jeni i kërcënuar për mos me tregu të vërtetën?”

“Jo”, ishte përgjigjja e dëshmitarit.

Për këtë rast Prokuroria pretendon se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, Naser Pajazitaj kishte ndaluar me makinë dhe e kishte marrë me vete dhe pasi kishin arritur te “Kroni i Lajthisë”, me dy të shtëna në kokë e kishte privuar nga jeta viktimën, dhe me qëllim që të humbte gjurmët e kishte mbuluar me disa dru, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Më pas Kushtrim Pajazitaj, nipi i të akuzuarit Naser Pajazitaj, në dëshminë e tij tha se ditën kritike, ka qenë bashkë me Naserin dhe kushërinjtë tjerë.
“Naserin e ka thirrur dikush në telefon, ka folur disa minuta dhe pastaj është larguar me veturë, nuk është vonuar shumë 5-10 minuta dhe prapë është kthyer ‘te druni’, tek udhëkryqi”- deklaroj dëshmitari Kushtrim.
 
“Derisa kemi qëndruar ‘te druni‘ ka kaluar Donjeta, e cila më duket ka qenë duke folur në telefon dhe ka vazhduar në drejtim të mëhallës së Jusajve, ndërsa ne bashkë me Naserin kemi shkuar në varrim”, tha dëshmitari Kushtrim Pajazitaj.

“Donjeta pasi është ndarë me Qamilin, ai ka vazhduar me veturën e tij lartë, ndërsa për Qamilin nuk e di nëse ka qenë në varrim, ndoshta nuk e kam pa sepse ka pasur shumë njerëz”, deklaroi Kushtrimi Pajazitaj.

Kryetari i trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, pyeti dëshmitarin Kushtrim Pajazitaj, se “a jeni i sigurt që Naseri ka qenë me juve në varrim?”
“Po, jam shumë i sigurt”, u përgjigj dëshmitari Pajazitaj.

Naser Pajazitaj, po rigjykohet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitaj, akuza këto për të cilat pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn.

Edhe pse ishte e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Kastriot Pajazitaj, gjykata paraprakisht përjashtoi publikun.

Arsyeja e largimit të publikut nga salla, ishte se dëshmitari Kastriot Pajazitaj kishte qenë i mitur në kohën kur ka ndodhur rasti.
Për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, Prokuroria drejtoi gishtin akuzës drejt kushëririt, Naser Pajazitaj.
Më pas u dëgjua dëshmitari Jetmir Pajazitaj, gjatë dëshmisë së tij ai tha se ditën e varrimit të Shefqet Zeqaj, pas orës 12 kishte dalur ‘te drumi’, te udhëkryqi ku kanë qenë Azemi, Kushtrimi dhe Naseri ka qenë me veturë-gjip.
“Atë ditë para orës 2 të mesditës, e kam parë edhe Donjetën me axhën e saj Qamilin, e cila na ka përshëndet dhe ka vazhduar të shkojë gjatë rrugës së Jusaj”, tha dëshmitari Jetmir Pajazitaj.
 
“Pas 5-6 minutave Naseri ka shkuar në drejtim të rrugës së Jusajve. Nuk më kujtohet nëse e kam parë Naserin në varrim, ndërsa Qamilin e kam parë”, deklaroj Jetmiri.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve të paraparë për sot, prokurorja Valbona Dishaj- Haxhasoj dhe të dëmtuarit kërkuan nga gjykata që të dëgjohen dëshmitarët Dushe e Qamil Pajazitaj, Idriz Gashi, Arjeta Pajazitaj-Ukaj, Zeqir Zeqaj, Ajdin Gashi.

Për këta dëshmitarë, kryetari i trupit gjykues vendosi që të dëgjohen me datat 28 dhe 29 Janar.

Ndërsa dita e nesërme u caktua për daljen dhe shikimin në vendin e ngjarjes, në fshatin Strellc.

Ky rast është gjykuar njëherë dhe pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn.

Me vendimin e Gjykatës në Pejë nuk është pajtuar Gjykata e Apelit, e cila pas vlerësimit të ankesës së Prokurorisë, ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.
Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës e ka vlerësuar gabimisht të vërtetën.

Për këtë vrasje ai ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.


(Kosova Sot)