Flemë mbi thëngjill, 300 milionë dëme në biznes

  • 18 December 2018 - 07:52
Flemë mbi thëngjill, 300 milionë dëme në biznes

 Qeveria me retorikë boshe, investitorët e huaj po largohen për shkak të reduktimeve

“Nuk duhet të çuditemi fare se nuk do të ketë investitorë seriozë dhe investitorë të mëdhenj derisa ta kemi një korporatë të tillë energjetike, e cila nuk është në gjendje që të prodhojë dhe të furnizojë qytetarët tanë me energji as për amvisëri, e lëre më për biznese. Së këndejmi, Qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa të shpejta për investime më të shpejta, për kapacitete të reja energjetike, me qëllim që të kemi energji të mjaftueshme për vendin tonë. Është për brengosje se ne flemë mbi thëngjill dhe kemi rezervat më të mëdha ne Evropën Juglindore dhe ne madje edhe sot, 20 vjet pas lufte, po ballafaqohemi me mungesë të rrymës”, thotë Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot”

Që nga pas lufta e deri më sot, ndërprerja e shpeshtë e energjisë elektrike po u shkakton dëme bizneseve të Kosovës, e sidomos atyre prodhuese. Nga njohësit e kësaj fushe thuhet se po të ndalej energjia elektrike në vendet e Perëndimit, që s’ndodh kurrë, me siguri se bizneset e atjeshme do të kërkonin dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara dhe makineritë e prishura. Deputetët e opozitës pyesin se për çfarë shteti po flasim ne, kur as pas 20 vjetësh nuk mund të sigurohet energji elektrike e pandërprerë për qytetarët e bizneset?!. Nga analistët shtrohet pyetja se cili investitor do të vinte në Kosovë, nëse nuk do t’i sigurohej energjia elektrike, që është hapi i parë që kërkojnë investitorët e huaj. Me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të MZHE-së, për të mësuar se përse askush nuk po merr përgjegjësi për dëmet që po u shkaktohen bizneseve, sidomos atyre prodhuese nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, zyrtarët e Zyrës për Informim të MZHE-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

 Në vendet e tjera, bizneset do të kërkonin dëmshpërblim për reduktimet e ashpra

Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën “Kosova Sot”, tha se pa asnjë dyshim se problemi më i madhe për ekonominë e Kosovës pas lufte ka qenë mungesa në kontinuitet e energjisë elektrike në vendin tonë. “Ndaj, ndërprerja e shpeshtë e energjisë elektrike dhe ato sidomos pa paralajmërim kanë bërë që t’u shkaktojë shumë dëme bizneseve vendore e të huaja, sidomos bizneseve prodhuese”, u shpreh ai. “Po të ndalej si në Kosovë energjia elektrike diku  në vendet e Perëndimit, gjë që nuk do të ndodhë kurrë, jam shumë i sigurt se bizneset do të kërkonin dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara dhe makineritë e prishura. Prandaj, edhe lirshëm mund të themi se për çfarë shteti po flasim ne këtu në Kosovën e pasluftës, kur as pas 20 vjetësh në liri asnjëra nga qeveritë e pasluftës nuk ka mundur që të sigurojë energji elektrike në mënyrë të pandërprerë për qytetarët e bizneset”, vijoi më tej deputeti Hoti.  “Edhe nuk duhet të çuditemi fare që viteve të fundit në Kosovë ka pasur një rënie drastike të investimeve të huaja. Kjo, sepse është krejt normale se cili investitor do të vinte në Kosovë, nëse paraprakisht nuk do t’i sigurohej energjia elektrike, që është hapi i parë që kërkojnë investitorët e huaj”, shpjegon ai. Sipas deputetit Hoti, bazuar në Raportin e Bankës Botërore  “Doing Business 2019”, që lidhet me furnizimin me energji elektrike, Kosova radhitet në pozitën e 113-të . Ai shton se lidhur me problemin e reduktimet e rrymës duhet të kyçen edhe institucionet e vendit, sidomos Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

: KEK-u, një kompani e inkriminuar

Edhe deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës  Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, tha se problemi kryesor në ekonominë e vendit është ndërprerja e shpeshtë dhe pa paralajmërim e energjisë elektrike, e cila edhe sot e kësaj dite është duke ndodhur. “Kjo tregon se pas lufte Korporata Energjetike është menaxhuar shumë keq, si nga vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët, dhe sot edhe pas shitjes së kësaj korporate po vazhdon avazi i vjetër”, u shpreh ai. “Korporata Energjetike për tërë këto vjet pas lufte vetëm ka shërbyer për punësim të disa militanteve të partive të caktuara dhe është pasuruar një grup i caktuar i njerëzve që kanë menaxhuar me këtë ndërmarrje  publike. Andaj, na kujtohet fort mirë kur edhe një ndërkombëtar, Joe Trachler, akuzohej se vodhi me miliona euro donacione në emër të Korporatës Energjetike të Kosovës”, theksoi Neziraj. “Kjo ndërmarrje pas lufte vite me radhë ka marrë edhe mjete financiare nga buxheti i vendit, që e ka pasur për obligim t’i kthejnë këto mjete, por jo vetëm që nuk i ka kthyer kurrë këto para të taksave të qytetarëve të vendit, por ne jemi ngarkuar edhe me tarifat shtesë për energji të pashpenzuar, siç është rasti me pagesën e faturave për Veriun e Kosovës”, vijoi më tutje ai. “Nuk duhet të çuditemi fare se nuk do të ketë investitorë seriozë dhe investitorë të mëdhenj derisa ta kemi një korporatë të tillë energjetike ku nuk është në gjendje që të prodhojë dhe të furnizojë qytetarët tanë me energji as për amvisëri, e lëre më për biznese. Së këndejmi, Qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa të shpejta për investime më të shpejta për kapacitete të reja energjetike me qëllim që të kemi energji të mjaftueshme  për vendin tonë. Është për brengosje se ne flemë mbi thëngjill dhe kemi rezervat më të mëdha ne Evropën Juglindore dhe ne madje edhe sot, 20 vjet pas lufte po ballafaqohemi  me mungesë të rrymës”, ka thënë Neziraj.

 Probleme të mëdha edhe me cilësinë e energjisë

Eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën  “ Kosova Sot’, tha se vërtet Kosova po përballet me të madhe me ndërprerje të energjisë elektrike, që po u shkakton dëme bizneseve, e sidomos prodhuese. Sipas tij, këtë e ka thënë kohë më parë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, që deklaroi se për një vit bizneset humbin mbi 300 milionë euro në mungesë të energjisë. Kryeministri këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me qëllim furnizimi me energji të sektorit në Kosovë. “Njëri nga indikatorët që po i largojnë investitorët e huaj është edhe  mungesa e energjisë elektrike, që krahas zbatimit të kontratave, borxhet dhe të gjitha këto janë probleme shpesh të trashëguara që nga pas lufta nga viti në vit”, u shpreh ai. “Veç çështjes që me furnizim me energji nuk kemi situatë të kënaqshme që shkakton humbje, një problem i madh është kualiteti i energjisë,që nuk është i duhur. Kjo, sepse nga bizneset prodhuese ka pasur ankesa se ato biznese që gjenden pak më larg se pjesa e tarifave që mbulojnë qytete kanë probleme serioze me tensionin, i cili i ndihmon e ngarkon prodhimin me shkatërrim të aparaturave, prandaj ka probleme me trajtimin që me të vërtetë prapë duhet të përmirësohen”, ka potencuar Halimi. “Furnizimi i pandërprerë  me energji elektrike duhet që të jetë një çështje e sigurisë kombëtare, sepse fundja Qeveria nuk i kompenson 300 milionë euro që i kanë humbje prodhuesit. Prandaj, Qeveria jonë duhet urgjentisht të hulumtojë që të gjejë një modalitet që të bashkë-investohet në energji të ripërtëritshme   e jo vetëm me thëngjill”, propozon ai.

: Privatizimi, një gabim skandaloz

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se Qeveria e mëhershme ka faj, për shkak se ka lejuar që investitori turk ta marrë  80 për qind në pronësi KEK-un, ku sot ajo u shndërrua në KEDS, kurse KEK-u është ndarë në dy pjesë, ku pjesa e tjetër quhet KOSTT. “Mendoj se Qeveria aktuale duhet që ta ndërpresë urgjentisht kontratën me pronarin turk  dhe sërish KEDS-in ta marrë në pronësi shteti i Kosovës edhe njëherë, sepse Qeveria e di shumë mirë, se qytetarët nuk guxojnë të qëndrojnë në terr. Andaj, e them lirshëm se Kosova ka humbur shumë me shitjen e KEDS-it, dhe asnjë cent nuk e kanë marrë nga kjo kompani, sepse fitimi zyrtarisht ka shkuar tek buxheti i Turqisë”, theksoi ai. 

 Kompanitë të padisin KEDS-in

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot’, tha se ndërprerja e energjisë  elektrike është një pengesë shumë e madhe dhe që po u shkakton humbje të mëdha bizneseve, tashmë po e thonë edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që janë prezente në Kosovë. “Mirëpo, tash për herë të parë edhe Qeveria e Kosovës ka qëndrim të qartë dhe të fortë ndaj KEDS-it si furnitor i energjisë elektrike. Qeveria e Kosovës për herë të parë është me bizneset, kështu që ka shpresa se kjo çështje do të zgjidhet një herë e mirë në favor te bizneseve. U bëj apel te gjitha bizneseve, që po përballen me ndërprerjen e energjisë elektrike, që të ushtrojnë padi në gjykata ndaj KEDS-it dhe të kërkojnë dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara nga ndërprerja e energjisë elektrike”, ka sugjeruar ai.

AKB-ja kritikon Qeverinë

Lideri i AKB-së Agim Shahini, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se  prodhuesit e Kosovës që nga pas lufta e deri më sot nuk janë të mbrojtur sa duhet, ku shteti ka bërë diçka, por jo aq sa kanë nevojë bizneset. “Është  e padrejtë edhe ndërprerja e tanishme e energjisë elektrike, 20 vjet pas lufte . Prandaj, problemi kryesor tash për bizneset po mbetet ndërprerja e energjisë elektrike, e cila shkakton humbje. KEK-u duhet të mos i fusë me një thes paguesit dhe ata të cilët nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar dhe të mos pësojë ai që paguan me atë që nuk paguan. Qeveria duhet që të bëjë shumë më tepër për furnizimin me energji elektrike për të mirën e prodhuesve, ngase si një vend i vogël e kemi një konkurrencë shumë të madhe nga importi. Ajo që është më kryesorja, askush nuk investon në një vend që nuk ka energji elektrike, që është edhe një indikator se përse në Serbi ka afër 9 miliardë euro investime të huaja brenda vitit, kurse në vendin tonë ka vetëm disa qindra miliona euro, atëherë nga këtu e kuptojmë se në mungesë të energjisë, a kemi apo nuk kemi ambient të të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë Shahini.

(Kosova Sot)