Papunësia e vërtetë, deri 60 për qind!

  • 19 December 2018 - 07:50
Papunësia e vërtetë, deri 60 për qind!

 Salihu: Metodologjia e përdorur nga ASK-ja për të papunët është e gabuar

 “Niveli i rritjes ekonomike mbetet gjithnjë i pamjaftueshëm, përderisa nuk arrin diku rreth 7 për qind për të adresuar papunësinë dhe varfërinë ende tepër të lartë në Kosovë. Fokusimi në asistencë të jashtme dhe remitanca e kanë imponuar konsumin e bazuar në import dhe me investimet publike si faktor kyç i rritjes ekonomike është i shpenzuar”, u shpreh eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Mustafa, për gazetën "Kosova Sot”

Kosova vazhdon të udhëhiqet në mënyrë të gabuar nga qeveria aktuale, e cila sikur ato të mëhershmet, as që ka vizion për punësimin e një armate të madhe të të papunëve. Statistikat më të reja tregojnë se papunësia nuk njeh rënie, por vetëm rritje nga muaji në muaj, nga viti në vit. Bazuar në dhënat zyrtare të ASK-së, raportohet se papunësia në Kosovës është rritur dhe ka arritur në shkallën mbi 30 për qind. Sipas ekspertëve dhe opozitës edhe këto të dhëna na tregojnë se edhe kjo qeveri sikurse edhe ato parapraket, kanë dështuar në adresimin e problemeve të punësimit. Nga deputetët e opozitës vlerësohet se edhe kjo qeveri e dëshmoi se fare nuk lodhet për zhvillim ekonomik, treg të lirë dhe hapje të vendeve të reja të punës. Por, këta pushtetarë janë të interesuar vetëm që të punojnë për interesat e mafio-oligarkëve, të cilëve u vazhdojnë dhe po ua trashin monopolet kriminale, sepse kështu do t`iu laget fyti nga mafio-oligarkët. 

 Dyshime për metodologjinë e ASK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), thotë për “Kosova Sot” se metodologjia e përdorur nga agjencia për përllogaritjen e papunësisë nuk është e drejtë.“Kjo sepse metodologjia e përdorur nga ASK-ja për të papunët është e gabuar, ngase ajo po i klasifikon një numër të madh të personave që gjoja nuk janë të interesuar të kërkojnë punë. Sepse, bazuar në rezultatet e anketës së AKS-së, thuhet se kjo përqindje e femrave nuk punojnë dhe nuk kërkojnë punë, është e palogjikshme”, potencoi ai.“Janë rreth 60 mijë studentë që automatikisht konsiderohen jo pjesëmarrës në tregun e punës edhe nëse janë duke kërkuar punë. Në të njëjtën kohë nëse ai është student dhe i punësuar, ai konsiderohet si i punësuar. Por, nëse është student dhe i papunësuar nuk konsiderohet i papunësuar dhe kjo është gabim”, potencoi Salihu.“Prandaj, kjo është qasje e gabuar në metodologjinë e ASK-së, e cila do të duhej të ndryshohet dhe nëse ndryshohet dhe merren këto kritere parasysh, atëherë papunësia del të jetë më e gjatë se 35 për qind dhe sipas të dhënave reale ajo sillet prej 55 deri 60 për qind”, shpjegon ai. Sipas Salihut, premtimet e këtij koalicioni për qindra e mijëra vende të reja pune ishin një gënjeshtër elektorale.“Edhe këto të dhëna zyrtare të ASK-së, ndonëse të manipuluara e joreale sikur po na tregojnë se edhe kjo qeveri, sikurse edhe ato parapraket, kanë dështuar në adresimin e problemeve të punësimit”, ka thënë ai.

 Sundimtarët kujdesen vetëm për fytin e tyre

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi (VV), në një prononcim për “Kosova Sot”, thotë se nuk ka statistika të sakta për punësimin dhe papunësinë në Kosovë, andaj nuk ka asnjë dyshim se shifrat e ASK-së janë joreale, sepse sipas hulumtimeve aktivistëve tanë rezulton se papunësia arrin deri në 60 për qind.“Kosova nuk ka statistika të qëndrueshme për shkallën e papunësisë. Edhe nëse i referohemi statistikave të ASK-së, nëse është 30 për qind është mjaft shqetësuese, sepse para një viti ka qenë 30 për qind dhe kjo na tregon se gjoja nuk ka pasur rritje gjë që nuk është e vërtetë. Në anën tjetër sipas të gjitha hulumtimeve që realizojmë në terren shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 50 për qind, mund të shkojë edhe në 60 për qind. Edhe kjo qeveri sikurse edhe qeveritë paraprake të pasluftës e dëshmuan se fare ata nuk lodhen e nuk e kanë dert zhvillimin ekonomik, tregun e lirë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sepse sundimtarët e tashëm brengosen për realizimin e interesave klaneve të mafio-oligarkëve, të cilëve iu vazhdojnë dhe po ua trashin monopolet kriminale, sepse kështu do t`iu laget fyti nga mafio-oligarkët”, tha Lajçi.

Të dhënat e ASK-së nuk përputhen me Trustin

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nëse i krahasojmë të dhënat e ASK-së dhe ato të Trustit Pensional lidhur me numrin e të punësuarve, shihet qartë se ato janë në kundërshtim. Sipas ASK-së, ka rritje të papunësisë, ndërsa sipas Trustit Pensional ka pasur një rritje të numrit të punëtorëve që paguajnë kontribute në Trust.“ASK-ja duhet që t’i shqyrtojë të gjitha burimet e ndryshme të të dhënave për të mbërritur deri te një rezultat i saktë. Por, edhe pse në vitin 2018 rritja ekonomike do të jetë rritja më e larta në këto 10 vitet e fundit, prapëseprapë në Kosovë nuk mund të ulet papunësia pa një rritje ekonomike prej së paku 7 për qind në vit”, theksoi Abazi.

Pa sundim ligji, nuk ka biznes të lirë

Njohësi i problemeve ekonomike dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për “Kosova Sot” se në asnjë mënyrë nuk duhet të na befasojnë këto shifra të ASK-së, sepse rrjedha e deritashme ekonomike dhe politike në vendin tonë ka bërë që qytetarët tanë të jenë të dëshpëruar, ngase Kosova me shumë pasuri ka gati mbi 50 për qind të qytetarëve pa punë. “Që të kemi ndryshime për të mirë përfshirë edhe në ekonomi te ne duhet në radhë të parë të mbizotërojë sundimi i ligjit dhe duhen veprime konkrete dhe efikase, sepse të gjithë nga BE- ja po kërkojnë luftë të ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai. Neziraj vlerëson se që të arrihet kjo në radhe të parë duhet një luftë ndaj atyre individëve që kanë krijuar një rrjet të fuqishëm ekonomik, jo me punë dhe djersë, por duke i shfrytëzuar mangësitë ligjore dhe tranzicionin ekonomik më shumë i kanë shkaktuar dëme vendit sesa kanë ndikuar në ndërtimin e vendit.“Në Kosovë duhet që të ketë sundim të ligjit dhe askush të mos jetë mbi ligjin, as biznesmen e as politikan, por të vlejë ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe veç në këtë mënyrë mundemi të bëhemi pjesë e familjes së gjerë të BE-së”, u shpreh ai.

  Rritja  e pamjaftueshme

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Mustafa, për gazetën "Kosova Sot”, tha se nuk duhet të çuditemi  me këto shifra të të papunëve që i jep ASK-ja.“Niveli i rritjes ekonomike mbetet gjithnjë i pamjaftueshëm përderisa nuk arrin diku rreth 7 për qind për të adresuar papunësinë dhe varfërinë ende tepër të lartë në Kosovë”, u shpreh ai.“Fokusimi në asistencë të jashtme dhe remitanca e kanë imponuar konsumin e bazuar në import dhe me investimet publike, si faktor kyç i rritjes ekonomike është i shpenzuar. Andaj duhet të merren masa të integruara për investime në rritjen e ofertës dhe përforcimin e aftësisë konkurruese të produkteve dhe shërbimeve vendore”, vlerësoi ai.“Meqenëse Kosova ka pësuar një dezindustrializim të vrazhdë, i nevojitet patjetër një lloj riindustrializimi modern që rrit ofertën e produkteve dhe shërbimeve vendore me vlerë të lartë shtuese. Por, që të arrihet synimi na duhet një sistem arsimi dhe edukimi që i bën gjeneratat e reja me dije dhe shkathtësi dhe ky është problemi më i madh. Në arsimin dhe edukimin kosovar duhet investuar shumë dhe përmirësuar qeverisjen në të gjitha hallkat, në veçanti na duhet ngritja e nivelit të qeverisjes makroekonomike”, vijoi më tej Mustafa.“Tek ne qeverisja makroekonomike është të shumtën “ad hock” dhe nuk bazohet në studime, analiza dhe monitorim modern. Kjo bëhet me punë dhe përkushtim, seriozitet, dhe gjërat mund të marrin kahun e duhur”, potencoi ai.

(Kosova Sot)