Pa Polici hetuese nuk prangosen banditët

  • 19 December 2018 - 07:57
Pa Polici hetuese nuk prangosen banditët

 Qosaj-Mustafa: Policia hetuese ka qenë e paraparë edhe në Kodin Penal të kaluar, të vitit 2003,  pastaj u hoq. Besoj  ky ka qenë një kalkulim i gabuar, meqë e ka lënë Policinë të varur nga Ekzekutivi

 “Prokuroria duhet të jetë korrekte me vetveten dhe të tregojë se cilat janë pengesat, e jo kur të përfundojnë mandatet e të ankohen se Policia po ua prish provat (ashtu siç ka deklaruar një ish-gjyqtar). Një analizë e thjeshtë e dëshmon cili është raporti në mes të kallëzimeve penale të Policisë dhe ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria. Disproporcion i hatashëm, e pse?! Pyeteni politikën...!”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë në Kosovës vlerësojnë se Prokuroria e ka të vështirë të ketë sukses në punën e saj, pa e pasur edhe Policinë hetuese nën urdhrat strikte të saj. Mirëpo, ndryshimet e deritanishme ligjore nuk e kanë mundësuar një lidhje dhe bashkëveprim të tillë të Prokurorisë dhe Policisë hetimore, i cili ndryshim do të ndikonte pozitivisht, detyrimisht edhe  në punën e saj, për të qenë e pavarur dhe e pandikuar dhe e papenguar, ngase tani Policia është nën ndikimin dhe urdhrat e politikës dhe Ekzekutivit, paraqet një pengesë për hetimet dhe përzierje të rrezikshme kompetencash për hetimet e mirëfillta. Për një mangësi të tillë ligjore në Kodin Penal të Kosovës flet edhe Ariana Qosaj- Mustafa nga instituti KIPRED. “Policia hetuese ka qenë e paraparë edhe në Kodin Penal të kaluar të vitit 2003, pastaj u hoq. Besoj ky ka qenë një kalkulim i gabuar meqë ka lënë Policinë të varur nga Ekzekutivi. Reforma e sistemit të drejtësisë do të duhej gjithsesi të parashihte përsëri ekzistimin e Policisë së tillë si dhe të ndahen resurset e nevojshme dhe trajnimet. Me një strukturë të tillë, si dhe Polici të veçantë, edhe për Prokurorinë Speciale do të ishte forma më adekuate që të forcohet sundimi ligjit në Kosove dhe lufta më efikase kundër korrupsionit të lartë”, tha për “Kosova Sot”, Qosaj- Mustafa.

 Policia nuk u stimulua

“Kemi shumë vende që hetuesit e Policisë janë në pozita shumë të mira në aspektin ligjor dhe të pajisura me kompetenca dhe paga që dallojnë shumë pak nga pagat e prokurorëve. Kosova ka nevojë shumë që të ketë policë hetues të përgatitur profesionalisht dhe të pavarur, të pandikuar nga politika. Qeveria vazhdimisht ka bërë gabime me hetuesit e Policisë, sidomos te pagat, të cilët nuk i ka stimuluar me rastin e ngritjes së pagave ne sektorin e drejtësisë, e në veçanti te Prokurorisë, sepse hetuesit e kanë rolin kyç në hetimin e krimit, në arrestimin e të dyshuarve dhe në sigurimin e provave. Konsiderojmë se pozita e hetuesve policorë është e nevojshme që të avancohet njëjtë, siç është roli i hetuesve në SHBA, në Gjermani dhe në Angli dhe në vendet të tjera të BE-së”, tha avokati Skënder Musa për “Kosova Sot”.

 Preteni: Prokuroria, një dështim i madh

Ish- kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se Prokuroria duhet të jetë korrekte me vetveten dhe të tregojë se cilat janë pengesat dhe më pastaj të ndërmerren veprimet për eliminimin e tyre. “Duhet të tregojë tani e jo kur të përfundojnë mandatet e të ankohen se Policia po ua prish provat ( ashtu siç ka deklaruar një ish-gjyqtar). Është edhe një absurditet i madh, prokurorët dhe policët hetues janë vazhdimisht bashkë gjatë hetimeve,gjatë sigurimit të provave dhe në fund, kur të përfundojnë hetimet, ngritët aktakuza e pastaj prokurorët i hedhin aktakuzat, po si të ndodhë kjo. Pse njëherë vendosin të përfundojnë hetimet. Një analizë e thjeshtë e dëshmon këtë, cili është raporti në mes kallëzimeve penale të Policisë dhe ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria. Disproporcion i hatashëm, e pse?! Pyeteni politikën...Edhe Policia është dashur të reagojë nëse nuk përfundojnë kallëzimet e tyre në aktakuza, ngase  atëherë del se as ata nuk janë profesionalë. Ose rrethi duhet mbyllur:sa kallëzime penale kanë përfunduar me aktakuza dhe sa aktakuza kanë përfunduar me aktgjykime. Dikush duhet të përgjigjet për disproporcionet nëse e kalojnë raportin 3:1. Mund të jenë të arsyeshme nëse i kemi tri kallëzime e një aktakuzë ose tri aktakuza me një aktgjykim. Raportet e tjera janë diskutabile dhe joprofesionale. Organet mbikëqyrëse në rend të parë Këshillat Gjyqësor dhe ai Prokurorial duhet të analizojnë këtë dhe të dalin me përfundim. Ku po çalon sistemi. Mund dhe duhet të bëjnë, por nuk e bëjnë, e pse ta bëjnë, kur nuk po i detyron askush. Ujku do mjegull!”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

 Miftari: Si Gjyqësia me Prokurori, si Policia, janë të korruptuara , janë të anueshme politikisht dhe u shërbejnë vetëm  klaneve të nëntokës

Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, problemi i funksionimit të drejtësisë në Kosovë është kompleks, pasi të gjithë aktorët e ligjvënies ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mossukses dhe për dështim të ligjit.“Policia, e cila ka detyrën hetuese së bashku me prokurorin, gjithmonë ia hedhin fajin gjyqit, duke deklaruar se ne po e kryejmë detyrën tonë, po hetojmë dhe po arrestojmë  kriminelë që e thyejnë ligjin, por gjyqi po i liron kriminelët si të pafajshëm, kurse gjykatat ia hedhin fajin Policisë dhe Prokurorisë se po i shkatërrojnë provat dhe faktet mbi 60%.  Por, në fakt, mendoj se si Gjyqësia me Prokurori, si Policia janë të korruptuar dhe janë të anueshme politikisht dhe u shërbejnë vetëm klaneve të nëntokës, e cila është po ashtu nëntokë politike. Dhe, derisa Policia dhe Gjyqësia janë vetëm kukulla të sistemeve parapolitike dhe të mafisë në Kosovë, sundimi i ligjit do të jetë vetëm dëshirë  dhe ëndërr në pritje se në Kosovë do të ketë sundim të drejtë e të paanueshëm  të sundimit të ligjit”, vlerësoi Miftari. Sipas tij, dalja nga ky rreth i krimit të organizuar bëhet vetëm kur të pastrohen Gjyqësori, Prokuroritë dhe Policia së bashku me Inteligjencën nga duart e mafiozëve politikë, që sot janë multimiliarderë, edhe pse në ditët e para të pasluftës ishin të varfër dhe ngjanin në lypsarë, e që tani janë bërë shumë të pasur, duke ditur që krejt pasuria  e tyre është fituar në mënyrë të paligjshme nga korrupsioni dhe puna e përbashkët me mafinë.

 Zhvatja e pandëshkueshme

Sipas prof. Blerim Burjanit, ligjet aktuale duhet të shfrytëzohen pozitivisht deri në maksimum dhe Prokuroria është e obliguar të ndjekë të dyshimtët edhe sipas detyrës zyrtare, për të pasur më shumë sukses dhe  të jetë e pavarur. “Pra, ky organ duhet të veprojë edhe duke bazuar në bazë të indiceve dhe argumenteve apo provave. Pra, nuk ka nevojë të presë që vetëm të tjerët ta kërkojnë dhe detyrojnë, nuk ka nevojë dhe nuk duhet të  heshtë e të vazhdojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, nepotizmi, zhvatja. Kjo është një arsye që derisa nuk ka rezultat se është reduktuar korrupsioni, edhe nuk do të ketë vendim pozitive për liberalizim të vizave”, u shpreh ai. “Dihet mirëfilli që  në Kosovë mbretëron një pakënaqësi e madhe, për shkak të zhvillimit të dobët të ekonomisë së tregut, dhe mosmbrojtjes adekuate të investimeve të huaja, dhe prandaj nuk kemi as sistem të mirëfilltë social e shëndetësor, për shkak të mungesës së reformës që garanton mbrojtjen ligjore të të gjitha kategorive sociale. Deri më tani  vetëm të gjitha pasuritë publike dhe ndërmarrjet publike janë bërë oaza të abuzimit të parave publike, zhvatjes së pasurive publike”, potencoi Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, është koha për ndryshime të mëdha e jo për fjalamani, siç bëjnë të gjithë në këtë sistem, sikurse edhe ministri i Drejtësisë.

(Kosova Sot)