Ngjarjet më të rëndësishme që do të ndodhin në vitin 2019

  • 12 January 2019 - 18:51
Ngjarjet më të rëndësishme që do të ndodhin në vitin 2019

2019 do të jetë një vit i pasur me përvjetorë dhe evente të veçanta dhe për këtë arsye, janë shumë vende të cilat ia vlen të vizitohen në 12 muajt e ardhshëm.

Më poshtë janë disa prej qyteteve që duhet të shkoni patjetër gjatë këtij viti për të marrë pjesë në ngjarje që vështirë se do t’i harroni.

Sziget Festival në Budapest

Gjatë verës në Budapest do të zhvillohet Sziget Festival. Ky festival do të zhvillohet nga data 7 deri më 13 gusht në ishullin jo shumë larg nga kryeqyteti i Hungarisë, i cili këtë vit ka një program të larmishëm. Në skenë, këtë vit, do të ngjiten këngëtarë dhe grupe të famshme si Ed Sheeran, Florence + The Machine, Foo Fighters, Twenty One Pilots, The 1975 dhe Martin Garrix. Nëse jeni në gusht në Budapest, mos e humbisni Sziget Festival.

Dakar në Perù

Nga muzika te sporti, me eventin e shumëpritur Dakar 2019, ‘rally raid’ më i famshëm në botë, që këtë vit do të zhvillohet në Peru. Gara nisi më 6 janar në Limë, e cila është në dhjetë faza. Motorët dhe quad duhet të përshkojnë 5.541 km, nga të cilat 2.889 të kronometruar, me 70% të garës që zhvillohet në rërë dhe dunë, përgjatë brigjeve dhe maleve të Andeve. Një garë që do t’ju lërë pa frymë. Nëse jeni në Peru gjatë datave 6 – 16 janar mos e humbisni mundësinë për të qenë në një prej garave të Dakar 2019.

Kampionati Botëror i Notit në Korenë e Jugut

Në Korenë e Jugut do të zhvillohet edicioni XVIII i Kampionatit Botëror të Notit. Qyteti i Gwangju do të mirëpresë notarët, zhytësit dhe sportistët më në zë në botë, të vendosur të lënë shenjë në historinë e sportit. Nëse ndodheni në Korenë e Jugut, nga data 14 – 30 korrik, ju këshillojmë të merrni pjesë në një nga ditët e Kampionatit Botëror të Notit.

Përvjetori i Festivalit Woodstock në Bethel

Ishte viti 1969 kur Bethel, një qytet i vogël rural në Nju Jork, u pushtua nga mijëra të rinj të cilët kishin ardhur për të parë në skenë Jimi Hendrix, Janis Joplin, Jefferson Airplane e The Who në Festivalin e Woodstock, i cili këtë vit do të shuajë 50 qirinj. Me rastin e 50-vjetorit të Festivalit Woodstock do të zhvillohen shumë evente dhe koncerte muzikore. Nëse ndodheni në Bethel mes datave 15 – 18 gusht mos e humbni 50-përvjetorin e Woodstock.

Matera, Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2019

Në këtë listë është edhe një qytet italian, të cilin ia vlen ta vizitoni gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për Materan, e cila është zgjedhur Qyteti Europian i Kulturës për vitin 2019. Për 48 javë, në qytet do të zhvillohen shfaqje, evente, instalacione etj., për t’i treguar botës historinë dhe traditat e saj. Përurimi parashikohet më 19 janar. Nëse shkoni në Matera këtë vit, mos i humbisni eventet që do të zhvillohen në Qytetin Europian të Kulturës.

Eklipsi i plotë i Diellit në luginën Elqui

Jo vetëm art dhe evente sportive, gjatë 2019-s do të ndodhin edhe fenomene natyrore të cilat ia vlen t’i shihni. Ndër to është eklipsi i plotë i Diellit më 2 korrik. Që ta shihni sa më mirë, ju këshillojmë të shkoni në Provincën e Elqui, në Kili, jo shumë larg nga shkretëtira e Atacama. Bëhet fjalë për një rajon që karakterizohet nga kodra, lumenj, maja të gjelbra e fshatra të vegjël, vendi ideal për ta parë eklipsin. Nëse ndodheni në Kili në 2 korrik, mos e humbisni eklipsin e Diellit në Luginën e Elqui.

Përvjetori i Bauhaus në Berlin

Pak lëvizje artistike mund të kenë të njëjtën rëndësi të Bauhaus, shkolla gjermane e dizajnit dhe arkitekturës, ndër më të famshmet në botë, e detyruar të mbyllet më pas për shkak të periudhës naziste. Në 2019-n shënohet 100-vjetori i Bauhaus. Me këtë rast do të zhvillohet një festival në qytetin e Berlinit, ku janë parashikuar ekspozita, shfaqje, retrospektiva, por nuk do të mungojë muzika dhe spektakle të frymëzuara nga përfaqesuesit kryesorë të lëvizjes. Nëse ndodheni në Berlin, nga janari në dhjetor, mos i humbisni eventet e ndryshme me rastin e 100-vjetorit në Bauhaus.

 

(Kosova Sot)