Drejtësia kosovare, një cirk kriminal

  • 20 January 2019 - 09:56
Drejtësia kosovare, një cirk kriminal

Miftari: Shkatërruesit më të mëdhenj të shtetit janë klanet ose parasistemet që janë të instaluara në partitë politike 

"Prokurorët dhe gjyqtarët mund t'i shihni vetëm nëpër restorante e kolegje private, në gjykatore rrallë. Edhe nëse i shihni në gjykatore mund t'i shihni vetëm individualisht, nëse e takoni prokurorin dhe gjyqtarin nuk do ta takoni avokatin, nëse vjen avokati dhe gjyqtari, nuk do të vjen prokurori. Cirku më i madh është se ka ndodhur që edhe gjykatësi të mungojë, e kupola e cirkut është kur mungon i akuzuari, edhe pse është në paraburgim. Politika dhe gjyqësori kështu duartrokasin dhe flasin njëzëri, 'zgjate Zot'", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për "Kosova Sot" 

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, por edhe të politikës kosovare, po konsiderojnë se shkatërruesit më të mëdhenj të këtij shteti dhe të demokracisë në këtë shtet të ri janë bërë drejtësia dhe politika që vepruan bashkërisht që ta degradojnë sa më shumë këtë shtet tash e hiç më pak se dy dekada, një dekadë e plotë pas shpalljes së pavarësisë. Është tepër e habitshme kur shihet se fajtorët kryesorë që sot nuk kemi sundim të ligjit as ligj janë pikërisht njerëzit e drejtësisë, që kapën shtetin dhe nuk lejuan që të marrë frymë demokracia.

Prandaj, edhe njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se pa një pastrim gjeneral nuk mund të pritet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa sistemi i drejtësisë është në duart e nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të tej inkriminuar, sepse kapja e shtetit që e ka bërë mafio-oligarkia politikekriminale vjen e forcohet nga mos ndëshkimi nga drejtësia e tej politizuar dhe e tej korruptuar. Kështu vazhdon që krimi i organizuar dhe korrupsioni të shndërrohen në kulturë sistemore ditore, të instaluar qëllimisht e "legalisht" kudo nëpër institucionet e shtetit të kapur nga mafiooligarkët e bizneseve të inkriminuara të lidhura me pushtetarët e korruptuar që qeverisin në qeveritë komunale dhe në qeverinë qendrore në Kosovë, në të tri pushtetet!

Pushteti rehaton njerëzit e vet

Njohësi i afërt i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë për "Kosova Sot" se gjyqësori me të vërtetë është pushteti i tretë, pushteti i tretë edhe në ndarjen e përgjegjësisë për situatën çfarë e kemi. "Ky pushtet është rehatuar vetë, por duke u zënë peng nga dy pushtetet e para. Kuvendi nuk punon, edhe kur vendos me thirr një seancë i cakton në rend dite më shumë se 60 pika të rendit të ditës, me qëllim i grumbullon për të hupur në efikasitet dhe për të mos ushtruar detyrën e dytë përkrah rëndësia. Nën një, Kuvendi duhet të nxjerrë ligje dhe se dyti të ushtrojë rrolin mbikëqyrës të mekanizmave të tjerë. Te nxjerrja e ligjeve procedurat janë të stërzgjatura. Nga Qeveria vijnë të papërgatitur mirë, pa konsultime profesionale dhe pa e analizuar mirë zbatueshmërinë e tyre, pa ekspertizë. Në Kuvend, nëpër komisione nuk trajtohen profesionalisht, por politikisht, pa i lexuar fare ata të pushtetit i miratojnë e opozita kundërshton. Nga leximi i parë deri te leximi i dytë kalojnë me muaj të tërë. Kështu e humbin kohën dhe me qëllim nuk merren me mbikëqyrje. Asnjëherë kryeprokurori nuk ka ardhur në Kuvend për të raportuar, asnjë titullari të institucioneve qendrore nuk u lejohet të vijnë në Kuvend dhe të raportojnë.

Këtë e bëjnë me qëllim, sepse titullarët e këtyre institucioneve janë familjarë dhe klientelë e pushtetit dhe nuk do që të kuptojë publiku se sa të paaftë janë. Mosobligimi për të raportuar është arsyeja kryesore se nuk ka efikasitet", theksoi Preteni për "Kosova Sot". Ai tha për "Kosova Sot" se do të duhej të dalë edhe auditori shtetëror dhe të tregojë se sa po zbatohen rekomandimet e tyre, që t'i përmendë institucionet që nuk i përfillin fare rekomandimet. "Pra, zbatueshmëria është nën 30%. E ku janë zyrat e tjera regullative e kontrolluese, pse ato nuk raportojnë. Të gjitha janë të kapura. Qeveria nuk i respekton as ligjet, të cilat i ka sponzorizuar vetë. Për çdo mbledhje të Qeverisë nxirren vendime antiligjore. Vendimet që kanë kosto, madje edhe ndihmesa për varrim, për të shkuar në pushime dhe rehabilitime, për pensione meritore, për paga të individëve, për rritje të pagave për klientelën. Të gjitha ato vendime kanë kosto dhe jepen nga rezervat shtetërore. Nuk ka vendime për probleme strukturore, nuk zgjidhen problemet në shëndetësi dhe arsim, por për këto kategori nxjerrin vendime parciale", potencoi Preteni.

Miftari: Shteti ka devalvuar dhe është komplet në duar të krimit të organizuar

Sipas ekspertit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, shkatërruesit më të mëdhenj të shtetit janë klanet ose parasistemet që janë të instaluara në partitë politike. "Prandaj, sot shteti ka devalvuar dhe është komplet në duar të krimit të organizuar dhe të shefave të korruptuar gjer në gusht njerëz tradhtar të pamoralshëm, hajna ordinerë që dikur mezi nginin barkun me bukë e sot janë bërë multimilionerë, duke iu falënderuar hajnisë dhe plaçkitjeve të pronës shoqërore, por edhe asaj private, ku drejtësia dhe ligji keqpërdoren duke shkelur çdo të drejtë të qytetarit, ku padrejtësia është ligj dhe i korruptuari është i paprekshëm", tha Miftari për "Kosova Sot". Ai vlerëson se duke vepruar kështu edhe shtetin, edhe lirinë e fituar me shumë gjak të qytetarëve tanë, bijave dhe djemve tanë, ky soj i politikanëve të korruptuar dhe pushtetarëve të korruptuar po e çojnë drejt humnerës, prandaj sa më shpejt duhet të veprohet në pastrimin e kësaj kaste politike.

Ahmeti: Politika,drejtësia dhe krimi bashkëjetojnë nën një kulm

Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se nuk ka shtet ligjor dhe demokraci të mirëfilltë aty ku bashkëjetojnë politika, drejtësia dhe krimi nën një kulm."Demokracia" e imagjinuar është bërë mekanizëm i pushteteve të pasluftës, duke u thirrur në vlerat evropiane dhe demokracinë liberale. Demokracia është bërë rruga më e mirë për manipulim me qytetarët dhe kontroll të vazhdueshëm dhe për dirigjim të institucioneve publike. Pikërisht në këtë mënyrë është degraduar edhe sistemi i drejtësisë, duke u transformuar në instrument të politikës për realizim dhe amnisti të veprimeve korruptive e kriminale të politikës. Fryma anarkike e partive politike ka reflektuar në funksionim të institucioneve publike dhe degradim të vazhdueshëm të jetës institucionale publike", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Kapiti: Vetting-u i domosdoshëm

Sipas njohësit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, nga Durrësi, kur vritet demokracia, patriotizmi dhe drejtësia në një shtet, atëherë aty edhe vetë shteti është i kërcënuar dhe nuk funksionon. "Vrastarët e drejtësisë, të demokracisë e të patriotizmit, janë hajdutëria, krimi dhe korrupsioni, kur ata kapin shtetin dhe sistemin. Dhe, është fatkeqësi e madhe kombëtare kjo gjendje, e cila është realitet në të dy shtetet shqiptare dhe të cilat prej krimit politik dhe të organizuar, prej korrupsionit dhe prej krimit të mafio-oligarkisë, të dy shtetet janë bërë jo vetëm shqetësim e problem kombëtar e publik, por janë shqetësim i madh, madje edhe te shtetet dhe te diplomacitë e shteteve dashamirëse të shqiptarëve, si SHBA-ja, Gjermania e të tjerë.

Pandëshkueshmëria e krimit të organizuar dhe papërgjegjshmëria kriminale, politike e juridike, e mafio- oligarkëve, të cilët e kanë kapur shtetin, kanë krijuar një psikozë shumë të dëmshme dhe po mbillet e kultivohet prej tyre një kulturë negative shumë e dëmshme, me shtrirje të gjerë publike, të një kulture pajtueshmërie me krimin dhe korrupsionin, me hajninë dhe me pandëshkueshmërinë e pushtetit, të politikës dhe të drejtësisë", u shpreh ai."Hajnia, krimi e korrupsioni i lartë përderisa nuk ndëshkohen dhe nuk përgjigjen para ligjit, atëherë kjo krijon psikozën kolektive se ato kanë të drejtë të bëjnë poshtërsi, padrejtësi, krim dhe hajdutëri, sepse janë të pasfidueshëm dhe nuk ka kush: as ligj dhe asnjë institucion, që t'u kërkojë atyre llogari. Prandaj, duhet një VETTING politik, juridik e administrativ, urgjent në Kosovë, pasi kjo drejtësi dhe kjo klasë politike aktuale janë bërë kërcënim i madh për sovranitetin shtetëror dhe kombëtar, sepse historia botërore na mëson se aty ku sundon korrupsioni dhe padrejtësia, aty bie edhe shteti dhe kërcënohet sovraniteti kombëtar", tha Kapiti për "Kosova Sot".

Burjani: Drejtësia e kapur

Prof. Blerim Burjani vlerëson se nuk mund të ketë demokraci në një shtet ku drejtësia është e kapur."Kapja e drejtësisë është dëmi më i madh për një shtet që pretendon zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ka shumë çështje që e kanë komplikuar sistemin dhe shtetin, nga politika buron edhe kapja e shtetit. Tani po shihet ashiqare se është politika ajo që e ka rrënuar sistemin, e burimin e vet e ka në pazhvillueshmërinë e vetëdijes shtetërore. Kur vetëdija është e ulët, ajo vjen si e tillë nga zhvillimi i dobët i shkollimit, prandaj edhe sundimi anarkik e ka sjellë moszhvillimin e duhur të demokracisë.Tashmë Kosova po hyn në dekadën e dytë të shpalljes së pavarësisë dhe ende shteti shikohet si folklor e demokracia si joekzistuese, por ekziston ajo ndjena e bujkrobërit dhe feudalit. Pra, tani është e kotë të flitet për sundimin e ligjit e zhvillimi i përket një feudalizmi të hershëm", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)