Haradinaj: Arsimtarëve do t'ju rritim pagat për 20 milionë euro në vit, le të rinisë mësimi nesër

  • 20 January 2019 - 19:56
Haradinaj: Arsimtarëve do t'ju rritim pagat për 20 milionë euro në vit, le të rinisë mësimi nesër

Një takim mes kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), është zhvilluar në mbrëmjen e së dielës, në zyrën e shefit të ekzekutivit.

Temë e vetme e takimit ka qenë greva në arsim, e nisur javën e kaluar, teksa mësimdhënësit janë të vendosur të mos punojnë derisa në Projektligjin për paga koeficientet e punëtorëve të arsimit nuk ngrihen për 30 për qind.

Takimi Haradinaj-SBASHK është zhvilluar pasi raportet e Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK’ut janë ashpërsuar edhe më shumë pas paralajmërimeve se greva do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Pas takimit me përfaqësuesit e SBASHK’ut, kryeministri i vendit ka mbajtur një konferencë për media.

Para gazetarëve, ai ka thënë se Qeveria ka rritur pagat për arsimtarët për 20 milionë euro në vit.

Haradinaj ka thënë se u ka kërkuar SBASHK’ut që nesër (e hënë) të rinisë mësimi.

Kryeministri ka paralajmëruar SBASHK’un që ofertë tjetër, Qeveria s’mund t’ju bëjë.

I pyetur nëse SBASHK’u ka pranuar ofertën, Haradinaj është përgjigjur: “Nuk kemi marrë një konfirmim të pajtimit”.

 

(Kosova Sot)