Dhjetë të vdekur dhe dhjetë të zhdukur nga djegia e anijeve afër Krimeas

  • 22 January 2019 - 16:36
Dhjetë të vdekur dhe dhjetë të zhdukur nga djegia e anijeve afër Krimeas

Autoritetet ruse kanë njoftuar se zjarri në dy anije mallrash nga Tanzania që po lundronin pranë bregdetit të Krimeas ka lënë të vdekur dhjetë persona dhe dhjetë të tjerë janë shpallur të zhdukur. Ekipet e emergjencës i kanë shpëtuar 12 anëtarë të ekuipazhit.

Në anën tjetër, autoritetet ukrainase kanë thënë se këto anije kanë qenë duke transportuar gaz drejt Sirisë në mënyrë të paligjshme. Një zëdhënës i qendrës ruse të shpëtimit ka thënë se kushtet e dobëta klimatike e kanë penguar operacionin e shpëtimit të detarëve. Ai tha se ka qenë e pamundur që zjarri në anije të shuhet për shkak të valëve të trazuara të detit.

Agjencitë e lajmeve raportuar se zjarri është përhapur shpejt nga njëra anije në tjetrën, duke i detyruar anëtarët e ekuipazhit që të kërcejnë në det. Në njërën anije ndodheshin nëntë qytetarë turq dhe tetë qytetarë indianë, ndërsa në anijen tjetër ndodheshin shtatë qytetarë turq, shtatë indianë dhe një libian.

Besohet se zjarri është shkaktuar nga shkelja e rregullave të sigurisë. Ngushtica e Kerçit, e cila lidh Detin e Zi me Detin Azov, ka qenë fushëbetejë e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës për shkak të kontestit territorial dhe provokimeve ushtarake mes dy vendeve, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)