Pazari i SBASHK-ut me pushtetin: Marrëveshja për pagat ishte arritur mbrëmë, zbulohet aksidentalisht

  • 01 February 2019 - 18:00
Pazari i SBASHK-ut me pushtetin: Marrëveshja për pagat ishte arritur mbrëmë, zbulohet aksidentalisht

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Rmush Haradinaj, në mëngjesin e sotëm, pas takimit që kanë pasur me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharj, kanë garuar se kush do ta japë i pari lajmin për arritjen e marrëveshjes për rritje pagash që do të nënkuptonte dhe pezullim të grevës tre javore të punëtorëve të arsimit

Megjithatë duket se takimi i sotëm, ku krerët e shtetit shiheshin të relaksuar së bashku me Jasharjn, ishte sa për sy e faqe, pasi pazari ndërmjet SBASHK-ut dhe pushtetit për pezullimin e grevës ishte bërë mbrëmë dhe marrëveshja ishte arritur dikur vonë natën e 31 janarit.

Ka qenë përfaqësuesi i administratës së Universitetit të Prishtinës, i cili e ka zbuluar një gjë të tillë.

Gjatë një konference të organizuar sot nga SBASHK-u në orën 15:00 pasdite, në të cilën ishin thirrur edhe përfaqësuesit nga të gjitha komunat, Bardh Bardhin e kanë tradhtuar emocionet dhe aksidentalisht ka zbuluar se pazaret dhe marrëveshja ndërmjet SBASHK-ut dhe Qeverisë kishin marrë fund mbrëmë.

“ Kolegë të nderuar ju përshëndes. Shfrytëzoj rastin t’iu... se kam pak emocione, sot kam qenë pak a  shumë i angazhuar nga disa nga ana e universiteteve, se jemi anashkalu nga ana e SBASHK-ut.  Me këtë marrëveshjen e re që është bërë mbrëmë, faktikisht sot që është bë me krerët shtetërorë është përfshi edhe administrata e universitetit dhe koeficienti i administratës është rritë për 0.30 që në mënyrë lineare i bie 71. 70 euro për secilin të punësuar në administratën e universitetit”, ka thënë Bardhi teksa i është dridhur zëri nga emocionet teksa fliste

Pas kësaj konference SBASHK-u ka marrë vendim që të pezullojë grevën në arsim derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë marrëveshjen për rritje pagash.

Megjithatë siç ka deklaruar Jasharaj pas takimit të sotëm që ka pasur me Haradinajn e Veselin, marrëveshja është arritur edhe përkundër faktit që nuk janë pranuar plotësisht të gjitha kërkesat e SBASHK-ut për rritje pagash dhe pezullim të grevës në sektorin e arsimit.

Kjo marrëveshjen vjen pas disa takimeve intenzive të përfaqësuesve të SBASHK-ut dhe pushtetit. Haradinaj në fillim kishte propozuar një rritje prej 10 për qind, megjithatë Jasharaj kishte refuzuar duke kërkuar rritje 30 për qind. Pas atij takimi ishte kërkuar vazhdimi i grevës deri në përmbushjen e kushteve. 

E derisa greva po vazhdonte e thirrur nga SBASHK-u, kryetarët e disa komunave në Kosovë kishin bërë thirrje të vazhdohej mësimi. Më i zëshëm kishte qenë Agim Bahtiri, i cili edhe u përplas me Jasharajn. Ky i fundit kishte thënë se do ta padisë Bahtirin pas kërkesave për pezullim të grevës.

Një rritje ‘ad-hoc’ e pagave është kritikuar vazhdimisht nga institucionet financiare ndërkombëtare të cilat gjenden në Kosovë.

Përfaqësuesi i FMN’së në Kosovë, Ruud Vermeulen, thotë se një rritje e tillë e pagave për arsimtarët, do t ndikonte negativisht për krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të nxisë që edhe punëtorët e tjerë të sektorëve publik të kërkojnë rritje të ngjashme pagash.

(Kosova Sot)