Festa u kthye në tragjedi: Vdes gruaja nga Peja, humb edhe foshnjën derisa...

  • 13 February 2019 - 18:04
Festa u kthye në tragjedi: Vdes gruaja nga Peja, humb edhe foshnjën derisa...

Nurie Rexhahmetaj 41 vjeçare, nuk mundi që ta kryejë me sukses lindjen e tretë të saj. Ajo vdiq të shtunën që e lamë pas. E ndjera kishte pasur komplikime gjatë lindjes, andaj foshnja i vdiq në sallën e lindjes, në Spitalin e Pejës, ndërsa 41-vjeçarja ndërroi jetë pak orë më pas në QKUK. Familjarët e së ndjerës po e akuzojnë stafin mjekësor në Pejë, ndërkohë që paralajmërojnë edhe padi. Nga Spitali i Pejës thonë se punën e kanë kryer me profesionalizëm. Media ju sjell rrëfimin nga Isniqi i Deçanit për këtë rast.

Ishte bërë gati që ta festonte ditëlindjen e shtatë të vajzës. Madje asaj kishte menduar që t’ia bënte befasi foshnjën që e mbante në bark, e që kishte qenë i gjinisë mashkullore. Por Nuria 41-vjeçe, nga fshati Isniq i komunës së Deçanit bashkë me foshnjën ndërroi jetë në sallën e operacionit të shtunën që e lamë pas, duke u kthyer kështu e gjithë festa në tragjedi.

Por, ende askush nuk po e di se si vdiq Nuria bashkë foshnjën që e mbajti në bark për rreth nëntë muaj. Ndonëse kishte pasur një shtatzëni normale, ajo vdiq në sallën e operacionit më datë 10 shkurt të këtij viti.

Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën që lamë pas. Gjatë orëve të para të pasdites, Nurien e kishin kapluar dhembjet e lindjes. Por me vetëdije bashkë me burrin e saj Hysenin ajo u nis drejt spitalit të Pejës për ta kryer lindjen.

Por nga salla e operacionit të spitalit ajo doli pa ndjenja, për të ndërruar jetë disa orë më pas në QKUK.

Detaje për këtë rast të ndjeshëm ka dhënë të mërkurën për Express, Hajdar Rexhahmetaj-familjar i burrit të së ndjerës. 

Nga familja, fajtor po i bëjnë zyrtarët e spitalit të Pejës. Sipas tyre, puna profesionale e mjekëve për këtë rast ka dështuar.

“Rasti ka ndodhë për shkak të pakujdesisë profesionale së mjekëve  të spitalit të Pejë. Në momentin kur janë hy në sallën e lindjes, mjekët kanë gabua sepse nuk e kanë shiqu mundësinë që mos ta mundojnë atë përmes lindjes natyrale, po është dashur që ta çojnë atë në sallën e operacionit, sepse ajo ka qenë 41-vjece, dhe ka qenë lindja e tretë”, tregon për ngjarjen zotëri Rexhahmetaj.

Ai tutje shpjegon se deri në momentin sa e ndjera ka hyrë në sallën e lindjes, gjendja e saj shëndetësore ka qenë normale.

“Ne kur e kemi çu në spital, gjithçka ka qenë në rregull. Fryti ka qenë në rregull, mjekët atë e kanë kontrolluar vetë. Zonja ka shku në spital me dhembje të lindjes të cilat kanë qenë fillestare kur e kemi dërgu nga shtëpia për në repart të gjinekologjisë. Ngjarja ka ndodhë gjatë ditës së shtunë rreth orës 12:00 të ditës. Mjekët është dashtë që kur e kanë pa zonjën që s’po mundet me lindë natyral me e futë në operacion sepse në mënyrë natyrale u pa që nuk ishte e mundur. Sipas mjekëve në momentin kritik që ka lindë bebja, të gjithë mjekët janë marrë me beben e jo me nanen dhe vetëm kur e kanë pa gjakun në sallë, ajo ka kollabu si pasojë e gjakderdhjes”, shpjegon për rastin familjari i së ndjerës.

E nga familja, thonë se ende nuk e kanë marrë versionin zyrtar të Spitalit të Pejës rreth asaj së çka ka ndodhur në ditën kritike. Thonë se po e presin raportin e autopsisë dhe pastaj në pas të tij do t’i shqyrtojnë mundësitë që ta padisin spitalin e Pejë.

E nga ana e këtij institucioni shëndetësorë, kanë shpjeguar  se pacientja gjatë procesit të lindjes pati rupturë apo çarje të mitrës dhe shumë gjakderdhje, të cilën nuk arritën ta ndalnin para nisjes për në Prishtinë.

“Të shtunën më 9.02.2019, rreth orës 13:45 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është pranuar një grua shtatzënë e gatshme për të kryer lindjen. Rreth dy orë më vonë lindja është kryer, por fatkeqësisht foshnja ka lindur pa shenja jete.

Sipas mjekëve specialist nënës i është dhënë një infuzion me glukozë për t’i dhënë energji gjatë lindjes, por komplikimet kanë ndodhur gjatë procesit të lindjes e dyshimet e para janë se ka pasur rupturë, ose çarje të mitrës. Ekipi mjekësor ka vepruar dhe pacientes i është hequr mitra, por gjakderdhja nuk është ndalur si pasojë e humbjes së faktorëve të koagulimit të gjakut.

Të gjithë mjekët kujdestarë, gjinekologë, kirurgë, anesteziologë, kanë punuar 4-5 orë por nuk kanë mundur të ndalin gjakderdhjen.

Në anën tjetër sipas Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, sipas vlerësimeve të para të situatës është konstatuar se qasja e personelit mjekësor ka qenë profesionale, janë zbatuar plotësisht procedurat dhe protokollet dhe nuk kanë munguar materialet e nevojshme për trajtim.

Obduksionet e më vonshme të Institucionet kompetente do të japin përgjigjen e plot lidhur me rastin.

(Kosova Sot)