Abazi: 20 vjet pa rregullim ligjor

  • 18 February 2019 - 14:15
Abazi: 20 vjet pa rregullim ligjor

Ndërsa bankieri Milazim Abazi, për " Kosova Sot ", ka thënë se ndonëse ka disa të meta, Qeveria në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqet nga Ligji për Pagat. "Kjo, ngase është koha e fundit që edhe kjo lëmi të rregullohet njëherë e mirë me ligj. Sikurse Ligji që po hartohet për Qeverinë, edhe Ligji për Pagat duhet të votohet sa më parë. Kanë kaluar gati 20 vjet qeverisje dhe këto fusha nuk kanë qenë të rregulluara me ligj. Kur hartohen ligjet është e natyrshme që dikujt nuk i konvenon.

Ka njerëz që dëshirojnë që në Kosovë të dominojë anarkia e jo ligji", u shpreh ai. "Pagat në sektorin publik në Kosovë janë më të mirat në rajon dhe të gjithë duhet që të jenë të kënaqur me pagat që i marrin, përfshirë këtu edhe arsimtarët. Nëse i krahasojmë pagat e sektorit publik me sektorin privat, atëherë shohim se në sektorin privat punohet shumë më tepër për paga goxha më të ulëta sesa ato në sektorin publik, ndërkohë që sektori privat është kontribuuesi kryesor i buxhetit të Kosovës", vlerësoi Abazi.

Ndërsa analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Ligji i Pagave është një manipulim i kësaj Qeverie të korruptuar, ngase pati manipulime, sepse disa sektorë, si Aeroporti, energjetika, shërbyesit civilë, ujësjellësi etj., janë injoruar si sektorë në këtë ligj.

"Apeloj në Prokurorinë e Kosovës që ta hetojnë Shpend Ahmetin, sepse ai komplet me stafin punues të PSD-së janë ideatorët që e kanë krijuar këtë Ligj të Pagave, që në fakt është një ligj që nuk është në të mirë të qytetarëve, por në të mirë të mafio-oligarkëve", potencoi ai.

Lexo edhe këtë: Pazari i PSD-së së Shpend Ahmetit bën rrëmujë tërë Kosovën

(Kosova Sot)