30 ditë paraburgim për të dyshuarin që theri me thikë një person në Gjakovë

  • 19 February 2019 - 12:37
30 ditë paraburgim për të dyshuarin që theri me thikë një person në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.B., për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Rasti ka ndodhur në Komunën e Gjakovës, me datë 17.02.2019, pikërisht në oborrin e një shkolle, ku përderisa i dëmtuari B.D., ishte duke luajtur basket me shokët e tij, i pandehuri së pari hyn në fushë duke i ofenduar të gjithë, dhe pastaj i revoltuar e sulmon të dëmtuarin, duke e goditur dy herë me thikë, në pjesën e nënsqetullës dhe në shpinë, kështu të njëjtit i shkakton lëndime të rënda trupore.

Rasti tjetër ka ndodhur të njëjtën ditë me datë me 17.02.2019, pikërisht në një lokal në Gjakovë, ku përderisa i dëmtuari D. Sh. ishte duke pirë kafe me familjarët e tij, i pandehuri A.B., shkon tek tavolina e tij së pari fillon ta ofendojë me fjalë e pastaj e sulmon duke e goditur një herë me thikë në pjesën e nënsqetullës, dhe kështu i shkakton lëndime të lehta trupore.

Prokurori i rastit, ndaj të pandehurit A.B., ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

(Kosova Sot)