Vdesin tre persona në aksidentin Prizren – Zhur

  • 23 February 2019 - 14:05
Vdesin tre persona në aksidentin Prizren – Zhur

Policia ka konfirmuar tre persona kanë vdekur në një aksident në rrugën Prizren – Zhur.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë se për shkak të një aksidenti mes një kamioni që po pastronte rrugën dhe një veture kanë humbur jetën tre persona. 

"Po e konfirmoj se gjatë një aksidenti mes një kamioni dhe një automjeti kanë humbur jetën tre persona. Hetuesit po kryejnë hetime.”, ka thënë Gashi.

Gashi thotë se ekipi mjekësor ka konstatuar se tre personat kanë vdekur në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, viktimat janë të fshatit Zhur, aty ku edhe ka ndodhur aksidenti. 

Ndryshe, për shkak të vështirësimit të qarkullimit në rrugë Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor, thuhet në apelin e policisë.

Policia e Kosovës thotë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi. 

(Kosova Sot)