Top- skandali në shtetin ku nuk sundon ligji, 29 shkelje të rënda brenda pak orëve

  • 22 March 2019 - 07:41
Top- skandali në shtetin ku nuk sundon ligji, 29 shkelje të rënda brenda pak orëve

Qarri: Shpend Maxhuni, "pioni” i Hashim Thaçit, pas këtij akti të turpshëm, u shpërblye me postin e kreut të AKI-së

“Të gjitha këto shkelje të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare i zbardhi eksperti amerikan Tienmu Ma, i cili i vë në pah shkeljet që kanë ndodhur në këtë proces, prej momentit kur AKI-ja ka kërkuar nga Departamenti për Shtetësi dhe Azil që t’u revokohen leje-qëndrimet shtetasve turq, e deri në momentin kur këta shtetas, me thes në kokë, u ngujuan në avionin privat që kishte ardhur enkas për ta nga Turqia.

Në fakt, raporti i ekspertit amerikan duhet të shërbejë si aktakuzë për t'i dërguar së paku deri në gjyq shefin aktual të AKI-së, ish- shefin e Policisë, Shpend Maxhunin, dhe ish- ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, si dhe ish- shefin e AKI-së, Driton Gashin, e pse jo edhe kreun e shtetit, presidentin Hashim Thaçi. Çështja e deportimit të jashtëligjshëm të 6 shtetasve turq bëhet akoma më skandaloze kur e dëgjon edhe kryeministrin Haradinaj duke e konsideruar këtë si një temë të mbyllur. Kjo flet qartë se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, por sundim të "Maliqit", të të “fortëve,” që janë mbi ligjin, mbi Kushtetutën, madje edhe mbi konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Shkeljet e ligjit janë aq të shumta në vendin tonë, saqë Kosova mund të hyjë ne librin e Ginisit, me një rekord botëror, ku sipas Komisionit hetimor parlamentar, del se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, më datë 29 mars të vitit të kaluar, në një operacion që ka zgjatur tri orë, e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë. Por, pse deri më sot, një vit pas dëbimit të qytetarëve turq, askush nuk u soll para përgjegjësisë nga Prokuroria Speciale, për më tepër përgjegjësit e këtyre 29 shkeljeve ligjore, u shpërblyen me pozita më të larta,siç është rasti me Shpend Maxhunin dhe jo vetëm.

Eksperti amerikan Tienmu Ma ka vënë në pah shkeljet që kanë ndodhur në këtë proces, prej momentit kur AKI-ja ka kërkuar nga Departamenti për Shtetësi dhe Azil që t’u revokohen leje-qëndrimet shtetasve turq, e deri në momentin kur këta shtetas, me thes në kokë, u ngujuan në avionin privat që kishte ardhur enkas për ta nga Turqia. Analistët alarmojnë se kjo është një aktakuzë që do të duhej t’i dërgonte së paku deri në gjyq shefin aktual të AKI-së, ish- shefin e Policisë, Shpend Maxhunin, dhe ish- ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, si dhe ish- shefin e AKI-së, Driton Gashin.

Por, Shpend Maxhuni u shpërblye me postin e kreut të AKI-së. Analistët pyesin se a është ky njëri ndër krimet më të mëdha të organizuara, i kryer nga shteti, në të cilin krim janë përfshirë “pionët” e presidentit Hashim Thaçi, e që janë Shpend Maxhuni, e pastaj edhe ish-ministri Sefaj, si dhe ish-kreu i AKI-së Gashi. Edhe më skandaloz bëhet ky rast kur e dëgjon edhe kryeministrin Haradinaj duke e konsideruar këtë si një temë të mbyllur, madje duke i thurur lavde kreut aktual të AKI-së, Shpend Maxhunit, për të cilin kur ka raportuar në komision Driton Gashi, ka thënë që ishte i informuar për operacionin disa ditë përpara se ai të ndodhte, theksojnë analistët. Edhe pse janë pyetur nga gazeta, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Shtetit nuk janë prononcuar në lidhje me skandalin e dëbimit të turqve nga organet kosovare

Image
Muhamet Kelemndi

 Kelmendi: Shembull i kapjes së shtetit

“Rasti i dëbimit të 6 qytetarëve turq në Turqi është shembull shumë i qartë i kapjes nga pushteti të AKI-së dhe të Policisë. Madje, vendimet e dhëna nga gjykatat janë shembulli më konkret i kapjes së sistemit të tillë. Vetë qëndrimi i mëtejshëm i ish-drejtorit të Policisë së Kosovës në pozitë, tash si drejtor i AKI-së, tregon gjendjen e rëndë. Këta mekanizma të së drejtës nuk rregullohen me ligje, pa njerëz. Edhe ministrat në këto fusha janë vendosur nga subjekti politik, jo për të ndërtuar fusha të suksesshme, por për të sunduar mbi ato organe. Ky sistem me Abelarda e Hashima; me Bytyqa dhe me Lekaj; me x e y të kapur, është i dështuar. Me ata nuk ka të ardhme”, ka theksuar për “Kosova Sot”, analisti Muhamet Kelmendi

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Banda e pushtetit

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani vlerëson se në asnjë vend të botës kjo që ndodhi në Kosovë as që ka ndodhur dhe as që ka për të ndodhur. “Dhe, ky grup vagabondësh e shfrytëzojnë rastin që nuk ka sistem gjyqësor dhe ajo që është në vallen e tyre janë të bërë zap dhe të kapur pikërisht nga këta gjysmë analfabetë që mendojnë se kjo bëhet me dajak në krah”, u shpreh ai.

“Cili njeri normal mund t´i thotë shtet Kosovës, që është i kapur nga bandat mafioze, nga bandat kriminale dhe nga udbashët e Serbisë fashiste, pra po flas për shtetet normale duke respektuar Kushtetutën e vendit të shkelen jo me pak se 29 ligje dhe të mos merret askush në përgjegjësi. Nga këta banditë shkuar banditëve, a e di populli në Kosovë se jeta e secilit është në rrezik, si i kidnapuan agjentët e bandës së AKI-së, i kidnapuan natën 6 shtetasit turq dhe u dërguan në Turqi pa ditur askush vetëm kur është mësuar nga familjet e tyre. Por, të gjitha fajet dhe të gjitha të zezat që iu bënë Kosovës me këtë dallavere, më besoni se fajet i ka tirani,despoti dhe kryekuislingu Hashim Thaçi, me pazaret që i bëri tinëzisht me vëllain e tij Erdoganin”, shpjegoi më tej Badallaj. Sipas tij, do të duhej të dënohen Shpend Maxhuni, “djali i spiunit të Serbosllavisë, Enver Maxhuni”,pastaj Flamur Sefaj dhe Driton Gashi.

“Shpërblimi i djalit të spiunit dhe udbashit,Enver Maxhuni, Shpendi me postin e kreut të AKI-së, ka të bëjë se Hashim zeza ka përfituar shumë e më shumë, sepse mos mendoni se sa miliona ka marrë nga vëllai i tij, Shpendi. Turqia e tha hapur se do paguante deri në 5 milionë për kokën e Gylenit, Amerikës. Dhe, nuk do të shpëtonte Hashim zeza pa thasët me para”, ka thënë analisti Badallaj për “Kosova Sot” .

Image
Florim Zeqa

 Zeqa: Policia dhe AKI-ja, më datë 29 mars të vitit të kaluar, për tri orë e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë!

Analisti Florim Zeqa thekson se Kosova me "efikasitetin" e drejtësisë pritet të hyjë në librin e Ginisit, me një rekord botëror . “Sipas Komisionit hetimor në Kuvendin e Kosovës, del se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, më datë 29 mars të vitit të kaluar, në një operacion që ka zgjatur tri orë, e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë.

Edhe pse ka kaluar një vit nga ajo kohë, askush nuk u soll para përgjegjësisë nga Prokuroria Speciale. Në vend që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e 29 shkeljeve ligjore, ata u shpërblyen me pozita më të larta. Paradoksi bëhet akoma më i madh, kur të gjitha 29 shkeljet e ligjeve të Kosovës dhe konventave ndërkombëtare u bën brenda një dite të vetme, prej momentit kur agjentët e AKI-së kanë kërkuar që gjashtë shtetasve turq t’u revokohet leje-qëndrimi në Kosovë, e deri në momentin kur ata janë ngarkuar në një avion për t’u nisur për në Turqi”, shpjegoi ai. “Pas dështimit total në zbardhjen e rasteve të rënda kriminale, të vrasjeve politike të pasluftës, të aferave të shumta korruptive dhe skandaleve qeveritare, paradoksalisht sistemi i drejtësisë kosovare për habi të qytetarëve dhe ironi të ndërkombëtarëve i gjeti 6 shtetas turq me leje qëndrimi në Kosovë për të dëshmuar performancën e saj”, potencoi Zeqa.

Image
Gani Qarri

Përgjegjësia bie edhe mbi Kryeprokurorin

Sipas analistit Gani Qarri, fakti se pse deri me sot, edhe një vit pas, askush nga përgjegjësit e këtyre 29 shkeljeve ligjore, nuk u soll para përgjegjësisë prej Prokurorisë Speciale, por aktorët kryesor të kësaj paligjësie u shpërblyen me pozita më të larta, siç është rasti me Shpend Maxhunin, dhe jo vetëm, lidhet direkt me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Lumezi katapultimit të tij nga klani ‘Pronto’ në pozitën e Kryeprokurorit, është edhe kryetar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës,si dhe kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, gjë që para dy-tre ditësh e dëshmoi edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në RTK. Ndaj, bllokuesi i vetëm dhe kryesor i çfarëdo nisme për hetim, është vetë Kryeprokurori SUPERMEN i Shtetit dhe mbizotëruesi i padiskutueshëm i pesë pozitave kyçe në sistemin e drejtësisë së Kosovës, i cili “me një lëvizje dore” ka mbyllur të gjitha dyert për hetim dhe çfarëdo sqarimi të mundshëm ligjor, lidhur me rastin e të ashtuquajturve "gylenistë"”, theksoi Qarri. “Për aq më tepër,presidenti Thaçi ka injoruar tërësisht punën e Komisionit hetimor dhe nuk i është përgjigjur asnjëherë atij, ndërsa të gjitha këto shkelje u bënë vetëm brenda tri orëve dhe pikërisht nga ish- drejtori i AKI-së, i cili pa kurrfarë argumenti as arsyetimi ka kërkuar ad-hock që gjashtë shtetasve turq t’u revokohet leje-qëndrimi në Kosovë dhe pa asnjë procedurë ligjore i ka kidnapuar ata në rrugë të hapur, dhe me thes në kokë janë futur me forcë në avion dhe nisur përdhunshëm për në Turqi. Përkundër përpjekjeve për arsyetim, Komisioni ka vërtetuar se të gjitha institucionet shtetërore ishin të informuara paraprakisht për deportimin e gjashtë shtetasve turq, shkelje të ligjeve dhe Konventave ndërkombëtare këto që i zbardhi eksperti amerikan Tienmu Ma”, vijoi më tej Qarri.

“ Ndaj, raporti i Komisionit nuk është vetëm një raport i thjesht, por një aktakuzë që do të duhej t’i dërgonte së paku deri në gjyq, shefin aktual të AKI-së dhe ish- shefin e Policisë Shpend Maxhunin, ish- ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, si dhe ish- shefin e AKI-së, Driton Gashin. Vetë procesi i çjerrjes së "gylenistët" turq midis rruge, në mënyrë aq të egër nga duart e fëmijëve dhe të familjeve, është jo vetëm skandaloz, por edhe forma më e rëndë e shkeljeve ligjore nga Policia e Kosovës, e udhëhequr asokohe nga Shpend Maxhuni, i cili si “pion” i Hashim Thacit, pas këtij akti të turpshëm, u shpërblye me postin e kreut të AKI-së. Shpend Maxhuni, jo vetëm se nuk i kishte njoftuar personat e kidnapuar turq, me asnjë nga të drejtat që do të duhej t’i gëzonin si të ndaluar, por ai nuk u mundësoi atyre as të angazhonin avokat, gjë që është bazë themelore e drejtësisë në çdo shtet. Ndaj ky është njëri ndër krimet më të mëdha të organizuara dhe të kryera nga vetë shteti, në të cilin krim janë përfshirë ish-ministri Sefaj dhe ish-kreu i AKI-së Driton Gashi, si dhe “pioni” i presidentit Hashim Thaçi, Shpend Maxhuni, i cili menjëherë pas këtij akti antiligjor u shpërblye me postin e kreut te AKI-së, pozitë edhe më e lartë se paraprakja”, ka vlerësuar Qarri.

Image
Ramiz Bojaj

Bojaj: Këta po e vrasin shtetin e Kosovës!

Analisti Ramiz Bojaj vlerëson se arrestimi skandaloz e më pas deportimi maratonik i 6 shtetasve turq më datën 29 mars të vitit të kaluar, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, sistemit juridiko-kushtetues të një shteti, parimeve universale: Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, principet e KLMDNJ-së ....

“Kjo është edhe më skandaloze, në këtë rast janë rrënuar principet shtetërore e juridike të Republikës së Kosovës, siç janë; gjyqësori, legjislativi, ekzekutivi. Kjo është pasqyrë e qartë se pushtetarët e Kosovës ( më saktë 'sheikët' e shtetit) që e sundojnë në këtë vend, janë mbi ligjin, mbi drejtësinë mbi sigurinë.....japin e shesin 'jetë' njerëzish sikur në kohën skllavopronare. Udhëheqësit e lartë të shtetit tonë, me këtë akt antishtet e antinjerëzor po tregojnë veprimtarinë e tyre oligarko-mafioze, duke e cilësuar veten si pronarë të këtij shteti, të cilën e mbajnë në pronësi edhe ligjin, policinë, gjyqësinë, sigurinë..... Kjo është tejet shqetësuese dhe krijon pasiguri”, potencoi Bojaj.

“Sipas Komisionit hetimor në Kuvendin e Kosovës, del se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, më datë 29 mars të vitit të kaluar, në një operacion që ka zgjatur tri orë, e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë. Edhe pas kësaj aventure me shtetin dhe me jetën e qytetarëve të pafajshëm, askush nuk është suspenduar, askush nuk është dënuar e as akuzuar! Kjo tregon zinxhirin kriminal që e bën Kosovën pikë të zezë në rajon dhe në glob. Këta që dëbuan qytetarët pa asnjë dëshmi për shkelje ligjore ose aktivitete kërcënuese, këta po e vrasin shtetin e Kosovës çdo ditë, po e shesin e zvogëlojnë, po e vjedhin e varfërojnë, por e rrënojnë sovranitetin dhe po e dëbojnë popullsinë, duke e quar vendin në një spastrim të heshtur etnik. Ky është ataku më i rëndë qe i është bërë shtetit të Kosovës, nga ata të cilët janë të thirrur si garantuesit e lirisë qytetare e demokratike në vendin tonë”, vijoi më tutje Bojaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo klasë politike duhet larguar sa më parë nga pushteti, sepse jo vetëm që po na vjedhin e shkatërrojnë, por po na cenojnë edhe raportet me miqtë tanë më të mëdhenj në historinë tonë, veçmas me SHBA-në. “Janë këta që po na vrasin e po na shkatërrojnë çdo ditë, përderisa akti i shëmtuar i dëbimit pa asnjë shkas i shtetasve turq, është vetëm një rast në vorbullën e rrënimit shtetëror të Republikës së Kosovës. Në çfarë shteti jemi duke jetuar, kur pas një viti nga rasti i dëbimit të shtetasve turq, askush nuk u soll në përgjegjësi për 29 shkelje të ligjeve të Kosovës dhe konventave ndërkombëtare?!”, ka thënë analisti Ramiz Bojaj.

Image
Adem Salihaj

 Salihaj: Skandal ndërkombëtar

“Deportimi i 6 shtetasve turq ishte një skandal i përmasave ndërkombëtare , me ç'rast u shkelën ligjet e Kosovës, por edhe Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare. Me rastin e këtij deportimi nuk u respektua asnjë procedurë ligjore, nuk u respektua asnjë organ e as institucion. E gjithë këtë skandal e shkaktoi Hashim Thaçi me strukturat e tij mafioze brenda Policisë së Kosovës dhe AKI-së. Në fakt, operacioni i deportimit të shtetasve turq nuk ishte asgjë tjetër, por vetëm një kidnapim i tyre.

Tash, pas një viti, çdo gjë ka mbetur e mjegulluar dhe e pasqaruar, për shkak të mosbashkëpunimit dhe mossinqeritetit të presidentit, drejtorit të Policisë së Kosovës dhe shefit të AKI-së me Komisionin Hetimor të Parlamentit. Që skandali të jetë edhe më i madh, askush nuk u mor në përgjegjësi për këtë, përkundrazi , personat që shkelën ligjin, Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare u shpërblyen me pozita më të mira sesa i kishin më parë. Dihet se e gjithë kjo situatë u krijua nga Hashim Thaçi, i cili, sa herë që i nevojitet,i përdor ministrat e caktuar, policinë dhe AKI-në sipas tekave dhe interesave të tij personale.”, theksoi Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)