Turqia dhe Irani dënojnë thirrjen e Trumpit për ta përkrahur kontrollin izraelit të Golanit

  • 22 March 2019 - 16:09
Turqia dhe Irani dënojnë thirrjen e Trumpit për ta përkrahur kontrollin izraelit të Golanit

Turqia, Irani dhe Siria e kanë dënuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se sovraniteti i Izraelit për rajonin e Golanit duhet të njihet nga Uashingtoni. Rusia tha se shpreson që deklarata e tij të mbetet vetëm thirrje.

Presidenti amerikan tha se është koha që Shtetet e Bashkuara ta njohin plotësisht sovranitetin e Izraelit për rajonin e kontestuar të Golanit, të cilin ia kishte marrë Sirisë në vitin 1967.

Për më tepër, presidenti Trump tha përmes rrjetit social “Twitter” se rajoni i Golanit ka rëndësi shumë të madhe strategjike dhe të sigurisë për shtetin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i cili tha se fjalët e presidentit amerikan e kanë sjellë rajonin pranë një krize të re. “Nuk mund ta lejojmë legjitmimin e pushtimit të Golanit”, deklaroi Erdogani gjatë një takimi të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Edhe Irani, një nga aleatët kryesorë të Bashar Al-Assadit, e ka dënuar deklaratën e Trumpit, duke thënë se kjo lëvizje është e rrezikshme. “Vendimi personal i Trumpit është i rrezikshëm dhe do të sjellë kriza tjera në Lindje të Mesme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qasemi.

Këto deklarata i ka dënuar edhe Ministria e Jashtme e Sirisë, e cila përmes një deklarate të publikuar në agjencinë shtetërore të lajmeve ka thënë se i dënon në mënyrën më të ashpër deklaratat e papërgjegjshme të Trumpit lidhur me rajonin e pushuar të Golanit, shkruan “Free Europe”

(Kosova Sot)