Kryediplomacia reagon për vrasjen e 7-vjeçarit në Zvicër

  • 22 March 2019 - 20:51
Kryediplomacia reagon për vrasjen e 7-vjeçarit në Zvicër

Zvicra është tronditur nga vrasja e 7-vjecarit kosovar, që dyshohet se u krye nga një 75-vjeçare zvicerane. Familja e 7-vjeçarit ka treguar se trupi i pajetë i fëmijës sjellët në Kosovë nesër dhe varroset në Gjilan në orën 13:00.

Kurse, për këtë rast në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë treguar se gjatë ditës së sotme misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës në Zvicër,  Ambasada në Bern dhe Konsullata e Cyrihut, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Sot gjatë gjithë ditës misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës në Zvicër, respektivisht Ambasada në Bern dhe Konsullata e Cyrihut, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në lidhje me rastin tragjik të vrasjes në Bazel, të një 7 vjeçari me prejardhje nga Kosova, nga një e moshuar, shtetase zvicrane. Për këtë qëllim, personeli konsullor i Cyrihut, ka vizituar qendrën policore në Bazel, e cila është duke u marrë me rastin”, kanë treguar në MPJ.

“Deri më tani, bazuar në të dhënat dhe informatat preliminare, të komunikuara nga autoritetet policore, në lidhje me këtë vrasje makabre, informohemi se autorja e krimit ka dhënë një version fillestar, në lidhje me aktin kriminal, ku për pasoj humbi jetën, i riu, I. M”.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë se me kërkesë të Ministrit Pacolli, personeli diplomatik dhe konsullor ka vizituar familjen e të riut.

“Me kërkesë të Ministrit Pacolli, personeli diplomatik dhe konsullor ka vizituar familjen e të riut, ku i kanë shprehur tronditjen dhe pikëllimin e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Po ashtu, familjarët janë siguruar se Konsullata do të jetë në gatishmëri të plotë dhe të vazhdueshme, të ofrojë çfarëdo përkrahje në këto momente të vështira për familjen. Konsullata në Cyrih, në kuadër të fushëveprimit të saj, është udhëzuar që të mbajë komunikim të ngushtë me autoritetet policore dhe të drejtësisë në lidhje me rastin”. 

(Kosova Sot)