"Kosova Sot", zë i fuqishëm i aspiratave të popullit tonë për liri dhe pavarësi

  • 23 March 2019 - 08:21

Gazeta i sillte informatat më të freskëta për gjendjen e luftës 

Përfaqësues të jetës politike, qytetarë dhe artistë, theksojnë se sulmi dhe djegia e gazetës "Kosova Sot" nuk ishte vetëm presion, por veprim konkret për ta zhdukur tërësisht këtë gazetë, sepse dihet që në kushte lufte krimineli e lufton atë që i plason lajmet për krimet e vërteta dhe veprimet e tjera gjenocidale që kryhen në terren duke shkelur të gjitha ligjet e luftës nga një okupator. Ata thonë se "Kosova Sot" misionin e vet e kreu me sukses në kushte lufte dhe nuk ishte e lehtë ringritja e pasluftës 

Image
Rasim Selmanaj

Rasim Selmanaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja

Unë vlerësoj se që nga dalja e numrit të parë nga shtypi, gazeta "Kosova Sot" ka qenë një zë i fuqishëm i aspiratave të popullit tonë për liri dhe pavarësi, për shtet të pavarur, dhe ka vepruar në atë linjë edhe përkundër sfidave dhe kërcënimeve të vazhdueshme nuk është zmbrapsur as nuk e ka zbehur rolin dhe misionin e vet, por kjo gazetë mund të them që e ka kryer me sukses misionin e vet në shërbim të qytetarëve dhe të kauzës sonë kombëtare. Edhe në kushtet e sotme dihet që është sfidë për të vazhduar dhe për t'u zhvilluar tutje për çdo gazetë, por megjithatë gazeta "Kosova Sot" vazhdon për të mbijetuar suksesshëm në treg dhe në opinion, për çka unë i uroj dhe dëshiroj suksese që në asnjë moment të mos e zbehë dhe të mos e ndalë misionin fisnik që është nisur shumë vjet më parë në kushtet shumë të vështira.

Image
Hajdar Beqa

Hajdar Beqa, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja

Sa i përket rolit që ka pasur gjatë kohës së luftës gazeta "Kosova Sot" e vlerësoj me notën më të madhe të mundshme, sepse kjo gazetë filloi punë në fushën e informimit, në kohën kur i duhej më së shumti vendit, kur duhej për të pasur sa më shumë pasqyrim real e besnik dhe të vërtetë për atë që po ndodhte në vendin tonë, qoftë për kontributin e padiskutueshëm të Ushtrisë Çlirimtare, por qoftë dhe për veprimet kriminale dhe terrorin që ushtria dhe policia serbe dhe formacionet e ndryshme paramilitare ushtronin mbi popullatën e pafajshme civile. Unë mendoj se të gjithë këto zhvillime janë pasqyruar në mënyrën më besnike të mundshme, prandaj roli që ka luajtur gazeta "Kosova Sot" dhe mediet e tjera në përgjithësi në kohën vendimtare të përpjekjeve për liri, kanë qenë një faktor vendimtar për t'u bindur edhe bota për atë që po ndodhte këtu, për t'u solidarizuar me luftën tonë të drejtë që të ndërhyjë dhe të bombardojë NATOja mbi caqet serbe. Pra, duke vlerësuar lart kontributin e gazetës "Kosova Sot" mendoj se roli i saj ka qenë i barabartë me rolin e ushtarëve të UÇK-së në vijat e frontit, prandaj edhe u bë cak u sulmit dhe shkatërrimit nga soldateska serbe. Qëllimi i regjimit të Milosheviqit ishte që krahas zhbërjes nga këto troje të popullatës shqiptare t'i zhbëjë fillimisht edhe mediet, sepse mediet e pengonin pasqyrimin e asaj përpjekje, mirëpo realiteti ndodhi ndryshe dhe as nuk u zhbë popullata dhe as nuk u zhbënë as mediet. Popullata po e gëzon këtë liri që e fituam, kurse mediet, edhe gazeta "Kosova Sot", po e japin kontributin e tyre të çmuar në procesin e shtetndërtimit dhe demokratizimit të shtetit të Kosovës.

Vazhdon t'u mbetet besnike lexuesve

Image
Zafir Berisha

Zafir Berisha, deputet i Parlamentit

Sulmi në "Kosova Sot" nga forcat serbe nuk ka qenë e rastit. Ata me këtë sulm kanë menduar ta ndalin fjalën e lirë. Por, edhe që pengonin informimin e popullatës lidhur me gjenocidin që regjimi i Milosheviqit bënte në Kosovë. "Kosova Sot" vazhdoi t'i mbetet besnik lexuesve deri sot, pavarësisht sulmeve që janë bërë dhe i bëhen, në këtë përvjetor i urojmë suksese në misionin e vet të drejtë dhe fisnik në informimin e drejtë të opinionit.

Image
Vesel Veseli

Vesel Veseli, qytetar nga Prishtina

Lufta kundër medieve shqipe në Kosovë nga regjimi kriminal serb, gjithsesi ka qenë edhe një moment tjetër i pritur, përveç luftës që bënte për shartimin etnik të popullatës shqiptare ai regjimi kriminal i asaj kohe. Duke parë përpjekjet e këtij regjimi që t'ua mbyllë gojën edhe medieve që informonin opinionin botëror shqip, nga të gjitha frontet e luftës,e që në mesin e tyre ishte edhe gazeta "Kosova Sot", lindën edhe shpresat e popullit se me të vërtetë po i vjen fundi atij regjimi, sepse sulmi kundër medieve, sikur ai që bëri kundër gazetës "Kosova Sot", ishte përpjekje monstruoze e mbylljes së të gjitha dritareve të informimit për opinionin publik vendor e ndërkombëtar, për krimet që po bënte ky regjim mbi popullatën e pafajshme të Kosovës, një krim që filloi me mbylljen e shkollave, universitetin, me helmimet masive dhe më në fund edhe me përpjekjen për shfarosjen fizike të popullatës shqiptare. Prandaj, nuk është aspak i habitshëm fakti se si masat e para që ndërmori regjimi serb ishte marrja nën kontroll të medieve, filloi me TVP-në, me gazetën "Rilindja" dhe më vonë edhe me mediet e tjera të lira që drejtpërdrejt ishin në fontet e luftës, e që këtë fat dhe këtë privilegj të madh kombëtar e pati dhe e kreu me sukses edhe gazeta "Kosova Sot", e cila informonte dhe sensibilizonte botën për atë se si dhe çka po ndodhte në Kosovë. Sulmi dhe djegia e gazetës nuk ishte vetëm presion, por veprim konkret për ta zhdukur tërësisht këtë gazetë, sepse dihet që në kushte lufte krimineli e lufton atë që i plason lajmet për krimet e vërteta dhe veprimet e tjera gjenocidale që kryhen në terren duke shkelur të gjitha ligjet e luftës nga një okupator. "Kosova Sot" misionin e vet e kreu me sukses në kushte lufte dhe nuk ishte e lehtë ringritja e pasluftës, mirëpo kur ekziston vullneti i gatishmëria arrihet gjithçka, prandaj edhe tani kjo gazetë po arrin të vazhdojë rrugën e vet me sukses në këtë shumësi të tregut medial për avancimin e një shoqërie të re demokratike.

Ismet Arifi, qytetar

Gazetën "Kosova Sot" e kam lexuar që nga fillimi i botimit të saj në kushtet e luftës, e lexoj edhe sot. Që nga fillimi i botimit në kohën e luftës ka qenë një gazetë shumë mirë e rreshtuar në informimin e drejtë të opinionit të atëhershëm publik të Kosovës, për shumicën shqiptare që po përballej me terr informativ për shkak të mbylljes së medieve të atëhershme që financoheshin nga shteti. Dihet fare mirë dhe më kujtohet momenti kur fillimisht shteti serb e ndëshkoi me të holla, e mbylli këtë gazetë dhe më pastaj edhe e bombardoi krejt objektin ku botohej e shtypej kjo gazetë. Mirëpo, qëllimi i okupatorit nuk u arrit, sepse me ditët e para në liri edhe kjo gazetë prapëseprapë u rigjallërua dhe po rrugëton suksesshëm, për çka dua të besoj që është gazeta më e besueshme dhe më e lexueshme në tregun shumëmedial të Kosovës, si medie e shkruar. E them këtë, sepse jam më se i bindur që lexuesi, i cili e merr tani në dorë këtë gazetë nuk përballet fare me dilemën e së vërtetës, sepse e vërteta është e plotë kur e sheh dhe e lexon aty.

Iu rikthye lexuesit me guximin më të madh për informim real dhe profesional pas lufte

Image
Selatin Fazliu

Selatin Fazliu, ballisti

Si sot me kujtohet, kur lexonim shtypin e asaj kohe, që ndër të parat kërkohej nga qytetarët, nga lexuesit, gazeta "Kosova Sot", e cila shitej e para nëpër kioska e atyre dy vjetëve të vështira të luftës, sepse shkrimet e gazetarëve nga terreni sillnin informatat më të freskëta për gjendjen në secilën pjesë të Kosovës, qoftë për aksionet e suksesshme të UÇK-së, qoftë për krimet dhe dhunën që po ushtronte regjimi serb mbi popullatën e pafajshme, atje ku nuk kishte mbrojtje të mjaftueshme nga UÇK-ja. Raportimet besnike, me foto e me deklarata të qytetarëve që flisnin për gjendjen e tyre të vështirë dhe krimet makabre serbe ndaj popullatës së pafajshme civile, ia zhveshin maskën okupatorit serb, prandaj edhe ka ndodhur ajo që e dimë shumë nga ne që e përcillnin shtypin e asaj kohe. Ishte një gazetë, e cila kërkohej dhe depërtonte thellë në zonat e luftës. Prandaj, ishte fillimisht gjobitja me të holla, e më pastaj edhe aksioni kriminal i pashembullt për ta djegur dhe për ta shkatërruar më 24 mars. "Kosova Sot", shtypshkronja e saj, u bë rrafsh me tokë nga kriminelët serbë, sepse ishte zëdhënëse e luftës për lirim, zëdhënëse e popullit dhe denoncues me argumente për krimet që po ushtronte regjimi i Milosheviqit kundër popullatës shqiptare. Pra, qëllimi i okupatorit ishte që të mbyllej kjo dritare e informimit, më besnikja dhe më aktivja e asaj kohe, në mënyrë që të fshiheshin gjurmët e krimit serb dhe të mos formohej sa duhet e me argumentet që ishin edhe opinioni ndërkombëtar që monitoronte dhe vëzhgonte zhvillimet e asaj lufte. Mirëpo, e vërteta u pa dhe u tha, prandaj "Kosova Sot" e kreu me besnikëri misionin e vet, duke rënë edhe vetë viktimë e terrorit serb. Sidoqoftë, është për çdo lëvdatë dhe vlerësim ringjallja e kësaj gazetë në periudhën e pasluftës duke iu rikthyer lexuesit me guximin më të madh për informim real dhe profesional, prandaj edhe vazhdon të jetë një nga gazetat më të kërkuara dhe më të lexuara në këtë treg të lirë e multimedial, të gazetave të shkruara dhe me një konkurrencë të fuqishme të medieve elektronike. 

Image
Mihrinje Braha

Mihrije Braha,këngëtare

Kontributi i një gazete profesionale me një staf që sillte lajmin me saktësi dhe shpejtësi në ato rrethana lufte është shumë i madh dhe duhet çmuar lart, sepse kërkohej sfidë dhe guxim që të qëndrosh si një gazetë ditore përballë një armiku të tmerrshëm që vepronte jashtë çdo norme dhe etike, jashtë çdo marrëveshjeje ndërkombëtare etj. Respekti vazhdon të jetë po i njëjti dhe ju urojmë që tek lajmi të jeni të saktë dhe të vërtetë si gjithherë. Vetëm të fortët qëndrojnë, të ligështuarit dorëzohen, të dobëtit bien.

Image
Miranda Hashani

Miranda Hashani, këngëtare

Gazeta "Kosova Sot" mbetet zëri i vërtetë i qytetarit, edhe pas gjithë atyre sakrificave e rrugës që kaloi. Vlera vështirë mposhtet. Me vetë faktin që Serbia cak të shkatërrimit kishte këtë vatër të informimit të drejtë atëkohë tregon që "Kosova Sot" luajti rol të rëndësishëm në krijimin e shtetit të Kosovës. Meritë dhe mirënjohje për gazetarët dhe të punësuarit, që edhe atëherë, edhe sot nuk ndalen për të qenë të suksesshëm në fushën e informimit të drejtë. Faleminderit që gjithmonë jeni të gatshëm për të dhënë informata për jetën dhe veprimtaritë tona artistike që bëjmë, e që për shumë gazeta e portale, kemi rënë në sirtarë të mbyllur.

 

 

 

(Kosova Sot)