Mbreti i Jordanisë anulon vizitën në Rumani për shkak të vendosjes së Ambasadës në Jerusalem

  • 25 March 2019 - 15:56
Mbreti i Jordanisë anulon vizitën në Rumani për shkak të vendosjes së Ambasadës në Jerusalem

Mbreti Abdullahu i Dytë i Jordanisë e ka anuluar vizitën në Rumani në shenjë proteste ndaj kryeministres së këtij vendi, Vorica Dancila, e cila ka thënë se do ta zhvendosë ambasadën e vendit të saj në Jerusalem.

Pallati mbretëror i Jordanisë ka thënë se vendimi për anulim të vizitës së planifikuar për ditën e sotme është marrë për t’u solidarizuar me Jerusalemin.

Gjatë vizitës së tij, Mbreti Abdullah do të duhej të takohej me presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, dhe udhëheqësit parlamentarë për t’i nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.

Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur Ambasadën e tyre në Jerusalem vitin e kaluar, duke ngjallur kritika ndërkombëtare dhe duke shkaktuar zemërim në Palestinë dhe në vendet tjera arabe.

Izraeli e ka pushtuar Jerusalemin Lindor dhe e ka shpallur tërë qytetin si kryeqytet të vetin. Sidoqoftë, ky vendim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Gjatë një vizite në Uashington të dielën, Dancila tha se Rumania do ta vendosë ambasadën e saj në Jerusalem dhe se kjo gjë do të bëhet pas analizës nga të gjitha institucionet kushtetuese që bëjnë pjesë në vendimmarrje, shkruan “Free Europe"

(Kosova Sot)