Profesori ndërkombëtar jep alarmin: Ja pse “Kosova Sot” është pengesë për Thaçin e Baton Stanishiqin...

  • 25 March 2019 - 18:21
Profesori ndërkombëtar jep alarmin: Ja pse “Kosova Sot” është pengesë për Thaçin e Baton Stanishiqin...

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka drejtuar një kërcënim të hapur ndaj gazetës numër një në Kosovë, “Kosova Sot”.

“Ose ndalini shkrimet, ose do t'ju shkatërrojmë ...". Ky është mesazhi shantazhues nga Presidenti Thaçi, të cilin lajmëtari i tij. A. M. e përcolli ndaj gazetës "Kosova Sot" jo më pak se tri herë brenda tre muajve.

E për kërcënimin e Thaçit ndaj gazetës “Kosova Sot”, ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai thotë se diktatorët e përjetësojnë pushtetin me krime kundër njerëzimit, me likuidimin e kundërshtarëve politikë, kurse Hashim Thaçi dhe Edi Rama kanë shkuar përtej kësaj.

“Duan ta përjetësojnë pushtetin e tyre të krimit dhe korrupsionit dhe faljen e territoreve. Kjo nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë më parë. Asnjë diktator nuk ka falë territore në këmbim të pushtetit. Kanë bërë shumë krime, por asnjë nuk ka shkuar deri te cenimi vullnetar i sovranitetit të shtetit, me qëllim që të garantojnë pushtetin. Këtë po e eksperimentojnë Hashim Thaçi e Edi Rama, me ndërmjetësimin, këshillën dhe shërbimin e Baton Stanishiqit. Në kuadër të kësaj, Hashim Thaçi, por edhe Batoni, kanë filluar të kërcënojnë. Sot presidenti i Kosovës kërcënoi gazetën "Kosova sot"! Ai është president për ta mbrojtur median e pavarur, por nuk e bën këtë, sepse media të tilla si "Kosova sot" i bëhen pengesë në projektin e ndarjes së Kosovës. Pengesa duhet "kapërcyer". Dhe kjo bëhet në dy mënyra, përmes joshjes dhe përmes kërcënimeve. Hashim Thaçi po kërcënon hapur”, ka thënë për “Kosova Sot”, profesori, Enver Bytyçi.

Ai e quan akt të trishtë e të dhunshëm kërcënimin e Thaçit.

“Ky akt është tejet i trishtë. Nëse presidenti I një vendi imponohet me dhunë, atëherë ai vend ka shkarë në diktaturë. Kryeministri I Shqipërisë, Rama, me kohë kërcënon median në Shqipëri, është tallur edhe me median në Kosovë. Ndërsa presidenti I Kosovës ka qenë disi më i kujdesshëm. Por duket se tani I ka rrëshqit dheu nën këmbë. Është në grahmat e fundit. Kryeministri I Kosovës dhe politikanë të tjerë në Prishtinë e në Tiranë e kanë izoluar Hashim Thaçin e Edi Ramën në aventurën e tyre për ndarjen e Kosovës. Hakmarrja shkon te mediat, gazetarët dhe analistët e opinionistët që e mbrojnë atdheun dhe territorin e tij”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, kërcënime të hapura kanë ardhur edhe nga Baton Haxhiu.

“Dje më erdhi dhe mua një kërcënim i hapur nga një njeri i Baton Haxhiut për faktin se pardje publikova faktin qe djali i tij, Andi punon veç tjerash edhe si këshilltar i ministrisë ruse të Mbrojtjes. Kërcënime të tilla Batoni i ka bërë publikisht e live në ekranet e televizionit kundër të gjitha atyre, që ai I quan njerëz "kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë"! Batoni, Hashimi dhe Edi, sa nuk tolerojnë faktin që shqiptarët nuk besojnë në bashkimin e Kosovës pa pazarin që ata kanë nisur me Serbinë për ndarjen e saj. Nuk e tolerojnë as median, në rastin konkret "Kosova sot", kundër së cilës është shprehur Hashim Thaçi ditën e sotme”.

Sot presidenti i Kosovës kërcënoi gazetën "Kosova sot"! Ai është president për ta mbrojtur median e pavarur, por nuk e bën këtë, sepse media të tilla si "Kosova sot" i bëhen pengesë në projektin e ndarjes së Kosovës. Pengesa duhet "kapërcyer".

Enver Bytyçi

Sipas Bytyçit, me këto veprime Thaçi po rikthen kohën e Milosheviçit, kur pas heqjes së autonomisë ai mbylli universitetin, shtëpinë botuese "Rilindja", televizionin e radion në gjuhën shqipe dhe e vuri Kosovën në shtetrrethim.

“Presidentit të Kosovës do t'i duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme njësoj si në kohën e Rrahman Morinës, që ai ta realizojë aktin e tradhtisë kombëtare të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Tani duket se po vjen kjo kohë e pa kohë. Kosova ose duhet ta largojë nga skena politike Hashim Thaçin, ose duhet të përgatitet për luftë dhe qëndresë kundër masave të tij të dhunshme. E njëjta gjë duhet thënë edhe për Shqipërinë. Ose do të duhet të largohet një orë e më parë Edi Rama, ose duhet që Shqipëria të rikthehet te diktatura hoxhiste. Si për Hashim Thaçin edhe për Edi Ramën modeli është në Beograd. Kështu ishte para vitit 1999 për Kosovën, kështu ishte para vitit 1990 për Shqipërinë”, thotë ai.

“Dhuna e terrori janë mjetet e fundit të diktatorëve për ta realizuar sundimin e tyre mizor. Në rastin e Thaçit kjo dhunë e ky terror lidhet me misionin që ai I ka vënë vetes, Ndryshimin e kufijve me Serbinë dhe ndarjen e Kosovës, faljen e territorit dhe pasurive më të mëdha Beogradit. Por kjo, në vend që të a dëshpërojë, duhet të ma gëzojë. Tradhtarët e kombit sa më shumë zullume të bëjnë, aq më shumë i afrohen fundit të tyre të pashmangshëm!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)