Ekzekutimi i biznesmenit me breshëri plumbash, si u zbuluan vëllezërit që ndihmuan autorin

  • 26 March 2019 - 14:11
Ekzekutimi i biznesmenit me breshëri plumbash, si u zbuluan vëllezërit që ndihmuan autorin

Identifikohet autori i ekzekutimit të biznesmenit Ferdinant Polia, arrestohen tre bashkëpunëtorët.

Dy vëllezër nga Shkodra kanë luajtur rol kyç në vrasjen e Nard Polisë, ngjarje e ndodhur më 20 mars në Grudë. Kleandro Toma, 29 vjeç, dhe Gilbert Toma, 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, sipas hetuesve i kanë ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme autorit të vrasjes, duke i mundësuar strehimin, armatimin dhe mjetet për t’u larguar pas krimit.

I përfshirë është dhe një bashkëpunëtori i tretë, Alfred Martini. 20-vjeçari, banor i fshatit Bardhaj, jo shumë larg vendit ku ndodhi vrasja, dyshohet të këtë luajtur rolin e ndihmësit, duke qenë se e njihte mirë zonën.

Image
Kleandro Toma

Autori është identifikuar nga Policia, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tij, por jepen vetëm inicialet K.S., 29 vjeç. Ndonëse autori dhe tre bashkëpunëtorët e arrestuar janë nga Shkodra, sipas hetuesve vrasja është e porositur nga të tjerë persona, të cilët kanë paguar për vrasjen e 32-vjeçarit nga Thethi. Policia bën të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Step By Step”, duke arrestuar Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini. Këta tre të ndaluar nga Policia janë të dyshuar për veprën penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Tre të rinjtë dyshohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e 32-vjeçarit Nard Polia, ndërsa autori është i shpalluri në kërkim, 29-vjeçari K.S. Dy vëllezërit Toma dhe Alfred Martini kanë ndihmuar autorin e vrasjes që të largohet me makinë pas djegies së motorit, te vendi i quajtur “Ura e Mesit”. Tre bashkëpunëtorët janë zbuluar nga një kamerë sigurie. Dy vëllezërit Toma dhe Martini shfaqen në automjetin që ndihmon autorin e krimit të largohet pas djegies së motorit.

Operacioni për ndalimin e tyre u bë me ndihmën e Forcave Operacionale nga Tirana. Nga hetimet e Prokurorisë Shkodër rezulton se tre të arrestuarit, në mënyrë të drejtpërdrejtë me veprimet e kryera, kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje të Nard Polisë. Pas ngjarjes, Policia dhe Prokuroria i kanë mbajtur në përgjim tre të arrestuarit, në mënyrë që të siguroheshin prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në ngjarje.

Gjatë veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i automjetit, i cili është përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorit dhe largimin bashkë me ekzekutorin.

Image
Gilbert Toma

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.

Policia në fund shton se vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, motivin e saj, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 32- vjeçarit. Ka dyshime se vrasja e 32-vjeçarit ka lidhje me të kaluarën e tij në Itali, ku kishte precedentë penalë.

Kur ishte 23 vjeç, Nard Polia është arrestuar në shtetin fqinj me akuzën e trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit në zonën e Trevizos dhe Venecias, por edhe për vjedhje me dhunë. Nisur nga fakti se ishte dënuar vetëm 4 vite, ka dyshime se kjo mund të ketë sjellë prishje të marrëdhënieve me bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, të cilët mund të kenë menduar se Polia ka bashkëpunuar me drejtësinë.

(Kosova Sot)