FSK-ja fillon punën për çminimin e zonave të kontaminuar me mjete eksplozive

  • 26 March 2019 - 15:52
FSK-ja fillon punën për çminimin e zonave të kontaminuar me mjete eksplozive

Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht Kompania e Deminimit, në bazë të Planit të veprimit për vitin 2019, dje ka filluar sezonin veror të deminimit, duke pastruar zonat e minuara nga dora e njeriut si dhe ato të kontaminuar me bomba kasetore nga ajri. Për mbarëvajtjen dhe fillimin me sukses të këtyre operacioneve, FSK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme.

Operacionet e para të çminimit për këtë vit, FSK-ja i ka filluar në lokacionin e Soqishtës, Komuna e Hanit të Elezit, për të vazhduar më pas me Komunën e Ferizajt, përkatësisht lokacionin ,,Parku i Lirisë’’ dhe hapësirën e kazermës ‘’Skënderbeu’’ të FSK-së, si dhe lokacionin Babaj i Bokes në Komunën e Gjakovës.

Përveç operacioneve të deminimit FSK-ja ka dy njësi të për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), gjithherë të gatshme 24 orë për 7 ditë të javës, për largimin e mjeteve të rrezikshme. Këto njësi kujdestare reagojnë në çfarëdo kohe sapo qytetarët të njoftojnë për praninë e këtyre mjeteve. Deri me tani njësitë e EOD-së kanë intervenuar në 2700 raste dhe kanë demoluar 4350 mjete të ndryshme eksplozive.

(Kosova Sot)