Këto janë kazinotë e vdekjes

  • 26 March 2019 - 19:06
Këto janë kazinotë e vdekjes

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë hapur para deputeteve, se asnjë kazino në Kosovë nuk është e licencuar. Pse atëherë shteti ka lejuar që këto kazino të funksionojnë të palicencuara për 20 vjet dhe a kanë gisht dhe a janë bashkëpronarë politikanët në pushtet në këto kazino, që janë lejuar të veprojnë në atë mënyrë edhe si të palicencuara? Këtë pyetje e shtrojnë edhe analistët dhe ekspertët ekonomisë.

Analisti Reshat Badallaj thekson për gazetën "Kosova Sot" se kur Ministri i Financave, Bedri Hamza, e thotë hapur dhe atë para deputetëve se asnjë kazino nuk është e licencuar, tregon qartazi se vendi është i kapur nga bandat më mafioze dhe më kriminale.

"Ky është vendi ku nuk ka ligje dhe nuk zbatohen ligjet, vendi ku shkelet dhe nuk respektohet fare Kushtetuta e vendit. Kjo tregon ajo që e kam thënë, se pas këtyre kazinove janë bosët mafio-oligarkë dhe kriminelësh të majave të shtetit, përndryshe ne do të pyesim si mund të hapen këto kazino të mortit pa e pasur shpinën e fortë, pa e pasur buxhetin me qindra milionë të hapen në shumë qytete të Kosovës. Dhe, po ashtu, do të pyesin qytetarët dhe taksapaguesit e vendit, se çfarë tatimesh kanë paguar kjo bandë mafioze dhe kriminale që qëndrojnë prapa këtij biznesi të vdekjes, të vrasjeve dhe humbjes së jetëve. Pra, e kam thënë me shumë vend se banditët dhe kryebanditët janë bosët e tyre dhe se apo del kjo shumë vërtetë le t´u hyjnë hetimeve dhe do të shohim, por nuk guxojnë t´i hynë kësaj as Prokuroria, se edhe atë e kanë bërë ZAP", është shprehur analisti Reshat Badallaj.

Image
Reshat Badallaj

Ai tutje ka shtuar se populli e di mirë se pa i pasur hambarët e mbushur me para nuk mund t´i hapesh dot këto kazino të vdekjes.

"Prandaj, një njeri, sado i pasur të jetë, nuk mund t´i hapë kazinotë në gjithë qytetet e Kosovës, por ky është një grup, ku përbëjnë rrjetin më të rrezikshëm të nëntokës kriminale. Tyxharët e majave të shtetit janë bosët e këtij krimi dhe falë Amerikës dhe Gjermanisë që shpeshherë po ia ngrehin veshin këtij rrjeti mafiozësh që janë bërë supermilionerë me hajni dhe me kësi kontrabandash dhe lënë popullin në rruge duke mbledhur kënaçe dhe bukën e gojës", është shprehur ai. Shton se duhet të japë dikush përgjegjësi për shumë gjëra të poshtra të këtij grupi mafiozo-olgarkësh të kanaleve të nëntokës kriminale.

(Kosova Sot)