Trump u mëshon prapë mediave

  • 26 March 2019 - 22:13
Trump u mëshon prapë mediave

Presidenti Donald Trump sulmoi mediat kryesore amerikane të martën, duke thënë se ato janë duke u dënuar në të gjithë botën.

“Media kryesore janë duke u kritikuar dhe duke u përbuzur në të gjithë botën si të korruptuara dhe të rreme,” shkroi zoti Trump në Twitter.

“Për dy vjet ato nxitën gënjeshtrën për një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, ndërsa e dinin se ajo nuk ekzistonte. Ato vërtet janë armiku i popullit dhe partia e vërtetë e opozitës!”

Presidenti Trump përsëriti në Tweeter thënien e një përkrahësi të tij se hetimi prej 22 muajsh i Prokurorit Special nuk duhet të kishte filluar fare.

Në një përmbledhje të konkluzioneve të zotit Mueller, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha të dielën se Prokurori Special kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij e vitit 2016 nuk patën komplotuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte; por raporti i zotit Mueller nuk arrin në ndonjë përfundim nëse udhëheqësi amerikan ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Sulmi i zotit Trump ndaj mediave, për të cilat ai është ankuar prej një kohe të gjatë, vjen pasi ai dhe aleatët republikanë në Kongres u zotuan se do të kryejnë hetimet e tyre për kritikët kryesorë të Presidentit dhe për ata që qëndrojnë pas hetimit mbi lidhjet mes fushatës së vitit 2016 dhe përpjekjeve të Rusisë për t’i prishur zgjedhjet amerikane. 

(Kosova Sot)