Me prokurorë kukulla nuk ndalen krimi e korrupsioni

  • 28 March 2019 - 07:47
Me prokurorë kukulla nuk ndalen krimi e korrupsioni

Burjani: Është detyrë e prokurorisë të kryejë punët e saj, të ndërmarrë hapa proceduralë hetues

“Kosova duhet të ketë prokurorë të drejtë, jo politikë dhe jo kukulla të mafisë. Edhe të verbër me qenë prokurorët e kishin mbush burgun me keqbërës dhe kriminelët kryesorë që vijnë nga politika e korruptuar. Por, fatkeqësisht Kosova as nuk ka gjykata as prokurori, as polici, as inteligjencë të pavarur, që do të duhej të ishin në ballë të mbrojtjes së ligjit dhe shtetit nga krimi i organizuar”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”

Edhe pse ka shumë abuzime, krime financiare, korrupsion dhe nepotizëm, Prokuroria Speciale, Prokuroria Themelore, kryeprokuroria e shtetit heshtin kur është fjala për të folur në lidhje me efikasitetin e drejtësisë. Prokuroria nuk heton ex officio të gjitha kontratat e dëmshme në institucione e deri tek kompanitë publike duke favorizuar kështu vazhdimin e këtij inkriminimi alarmant.

Analistët pyesin se pse prokuroria nuk heton tenderët qindra milionësh, sidomos në 10 vitet e fundit, një pjesë e madhe e të cilave kanë qenë tenderë njëburimorë. Prokuroria po vazhdon të injorojë dhe nuk do të ketë guximin të trajtojë dhe të hetojë rastet e nivelit të lartë, edhe atë siç e pati deklaruar edhe vetë ish-ambasadori amerikan se” ky sistem i drejtësisë ende nuk e ka demonstruar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe njerëzve të lidhur me ta ”!

Sipas njohësve të rrethanave në Kosovë, asnjë tender i vlerave të mëdha nuk ka pasur shans t’i jepet cilësdo kompani, po qe se ajo kompani nuk do të japë ryshfet, përqindje apo “t`ia lajë fytin”, siç e dëshmuan edhe përgjimet - regjistrimet , rasti i klani PRONTO i Adem Grabovcit & Co me Shkëlqim Devollin dhe jo vetëm. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Prokurorisë Speciale, asaj të Shtetit dhe Themelores, asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Prokuroria nuk po e kryen detyrën e saj ligjore

Prokuroria Speciale po i mbyll sytë edhe para dhënies së tenderëve dhjetëra milionësh e deri në 50 milionë euro me tender njëburimor të kundërligjshëm. Shteti po vazhdon t’i japë qindra miliona euro në tenderë,licenca si rasti i homologimit kriminal i dhënë para 10 vitesh vëllezërve Devolli dhe i dyfishuar tani nga ministria e infrastrukturës, licenca për ZMOBILE për të zhvatur buxhetin dhe qytetarët pa as një investim të vetëm, pastaj lejet ndërtimore e shumëçka tjetër përmes ryshfetit dhe shpëlarjes së parave të krimit, edhe atë përmbi 20 vite me radhë.

Analisti Blerim Burjani thekson se është detyrë e prokurorisë të kryej punët e saj, të ndërmarrë hapa proceduralë hetues. “Pa një ndërmarrje të tillë vepruese ky organ nuk mund të ushtroje kompetenca e saj, përplot telashe , njërën anë policia ka më pak prova rreth disa rasteve, e në anën tjetër prokurorët nuk angazhohen vetë më shumë për rastet e tenderëve të kompanive publike, një pjesë e bordeve bëjnë lobizim për të dhënë tenderë kompanive privatë e në anën tjetër pjesa tjetër e bordit hesht”, ka potencuar Burjani për “Kosova Sot”.

“Këto gjëra kanë ndodhur me PTK-në dhe ndërmarrje tjera kanë bërë çdo vjet renovime për përfitime të njerëzve partiakë, nuk ka edhe aq sjellje adekuatë policia dhe prokuroria qe garantojnë se mund të ndalet tenderomania”, ka vlerësuar më tutje ai.

Image
Naim Miftari

Miftari: Klani ‘Pronto’, hajni pas hajnie

Analisti Naim Miftari shprehet se drejtësia është krejtësisht e kontrolluar nga klani ‘Pronto’ i PDK-së. “Deri diku kontrollohen edhe nga LDK-ja dhe AAK-ja po në masë shumë më të vogël, pothuajse aspak përfillëse, prandaj është e qartë lehtësisht pse kukullat prokurorët shumica servilë të Hashim Thaçit (PDK) nuk kanë guxim t’i gjurmojnë mega-aferat e korrupsionit ku vendi ynë Kosova dhe mirëqenia e popullit tonë është dëmtuar, domethënë u kanë vjedhur miliarda euro nëpër tenderë në mega vjedhjet, siç janë privatizimet, tenderët e mëdhenj, etj.”, u shpreh ai.

“Kujtojmë vjedhjen në KEK, ku pikërisht vëllai dhe kushërini i presidenti Thaçi trukojnë tenderin për mbartjen e dheut të KEK-ut në një vend tjetër disa qindra metra më larg ia gllabërojnë Kosovës 17 milionë euro për 3 muaj, kinse puna ku shumica e punëkryesit ka qenë nga Beogradi, ndërsa kamionët shumica ishin serbë, pronë e Zvonko Veselinoviçit, lojtarit të Beogradit dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës”, tha Miftari. Sipas tij, nuk duhen harruar kurrë vjedhjet e plaçkitjet që ju bënë Kosovës përmes AKM-së, ku lojtari i ‘Prontos’ dhe i Adem Grabovcit, Ahmet Shala, kishte rolin dominues në mega vjedhje miliardëshe të pronës dhe pasurisë shoqërore që ia falën vetit.

“Të kishte Kosova prokurorë të drejtë jo politikë dhe jo kukulla të mafisë edhe të verbër me qenë prokurorët e kishin mbush burgun me keqbërës dhe kriminelët kryesorë që vijnë nga politika e korruptuar. Por, fatkeqësisht Kosova as nuk ka gjykata as prokurori, as polici, as inteligjencë të pavarur, që do të duhej të ishin në ballë të mbrojtjes së ligjit dhe shtetit nga krimi i organizuar”, ka potencuar analisti Miftari. Sipas tij, sot Kosovën e sundon mafia politike dhe nuk jemi aspak shtet serioz.

“Kujtojmë vjedhjen në KEK, ku pikërisht vëllai dhe kushërini i presidenti Thaçi trukojnë tenderin për mbartjen e dheut të KEK-ut në një vend tjetër disa qindra metra më larg ia gllabërojnë Kosovës 17 milionë euro për 3 muaj kinse puna ku shumica e punëkryesit ka qenë nga Beogradi, ndërsa kamionët shumica ishin serbë, pronë e Zvonko Veselinoviçin, lojtarit të Beogradit dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Tenderomania nuk ndalet, prokurorët në gjumë

“Është detyrë e prokurorisë të kryejë punët e saj, të ndërmarrë hapa proceduralë hetues. Pa një ndërmarrje të tillë vepruese ky organ nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj, përplot telashe, njërën anë policia ka më pak prova rreth disa rasteve, e në anën tjetër prokurorët nuk angazhohen vetë me shumë për rastet e tenderëve të kompanive publike, një pjesë e bordeve bëjnë lobizim për t’u dhënë tenderë kompanive private, e në anën tjetër pjesa tjetër e bordit hesht”, ka potencuar Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)