"Kosova Sot” është denoncuesja më e madhe e krimit dhe korrupsionit

  • 28 March 2019 - 08:14

“Kosova Sot“ e ka përjetuar fatin popullit të Kosovës

Ekspertë ekonomie, analistë dhe përfaqësues nga jeta politike janë shprehur se gazeta "Kosova Sot" është gazeta e të gjithë shqiptarëve, përderisa shquhet për punën fisnike si media më e mirë, reale, e lirë dhe e pavarur. Ata thonë se është gazeta më me përkushtim informativ, edukativ dhe patriotik, ku edhe u shkatërrua dhe u dogj nga regjimi barbar serb më 24 mars 1999. Sipas tyre, ”Kosova Sot” është treguar shumë e guximshme që të flasë me emra dhe mbiemra për të gjithë bartësit e krimit në Kosovë

Image
Milazim Abazi

Milazim Abazi, bankier

Gazeta “Kosova Sot”, në këto 20 vjet. ka luajtur një rol shumë të madh në informimin e qytetarëve të Kosovës për të gjitha zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe shumë tema të tjera të shtetndërtimit në Kosovë. Gazeta,” Kosova Sot” është denoncuesja më e madhe e krimit dhe të dukurive të tjera negative me të cilat është ballafaquar shoqëria kosovare në këto 20 vjet. Veç saj, gazeta ” Kosova Sot” është treguar shumë e guximshme që të flasë me emra dhe mbiemra për të gjithë bartësit e krimit në Kosovë. Në këtë drejtim,” Kosova Sot” është treguar më e guximshme sesa vetë organet e ndjekjes. Andaj, komplimente dhe suksese në punën tuaj”.

Image
Ibish Mazkreku

Ibish Mazreku, ekspert i ekonomisë

E them me përgjegjësi se gazeta “ Kosova Sot”, është pishtare e lirisë dhe e shprehjes së lirë, dhe kontributi në informim i kësaj gazete ka qenë në të gjitha periudhat dhe është edhe sot. Por, nuk duhet harruar se në veçanti roli i këtij mediumi ishte i madh gjatë luftës, ndaj regjimi i Serbisë e dënoni fillimisht me 300 mijë marka gjermane, kurse më pas më 24 mars 1999 edhe e dogji shtypshkronjën e saj. Veç kontributit në kohë lufte, roli i gazetës “ Kosova Sot” ishte shumë i madh edhe në liri. E veçanta e kësaj gazete është se mediumi,” Kosova Sot”, me artikujt e saj të guximshëm me të madhe është duke e luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe mafinë politike që si dukuri negative janë paraqitur në Kosovën e pasluftës.

E drejtë dhe e paanshme

Image
Bashkim Osmani

Bashkim Osmani, afarist dhe anëtarë i Kryesisë së AKB-së

Të flasësh për gazetën “ Kosova Sot”, do të thotë të flasësh në veçanti për kontributin e saj si medium që e pati në kohën gjatë luftës e në veçanti për informacionet që i bënit nga rajonet e luftës duke u bërë një dritare e informimit për të bëmat e regjimit fashist të Serbisë dhe gjenocidin me dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Por e mira e këtij mediumi është se gazeta ” Kosova Sot’, pa asnjë hezitim, ishte prijatare e pasluftës në luftimin e fenomeneve negative dhe informimi i opinionit mbi të këqijat që kishin zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës duke bërë një informim të drejtë të opinioni të gjerë dhe duke u thënë këqijave me emër e mbiemër,sikurse që ishin krimi i organizuar, korrupsioni, evazioni fiskal, kontrabanda etj. Andaj, përgëzime në punën dhe kontributin tuaj si medium dhe suksese të reja.

Image
Salih Morina

Salih Morina, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

E them lirshëm se , gazeta ” Kosova Sot” ishte mediumi që e informoi opinionin vendor dhe të huaj duke e pasqyruar realisht opinionin mbi të bëmat e regjimit të Slobodan Milosheviqit, Kasapit të Ballkanit dhe gjenocidin e tij që po e bënte në Kosovë. Prandaj, politika e Milosheviqit, veç shtypjes ndaj qytetarëve, ajo e dënoi fillimisht gazetën me 300 mijë marka me akuzën banale se po i përkrah terroristët shqiptarë të UÇK-së. Kurse hapi tjetër i regjimit serb ishte djegia e shtypshkronjës së gazetës, që pasoi më 24 mars. Ndërsa edhe pas luftës roli i gazetës”Kosova Sot” ishte dhe mbeti shumë i madh, ngase gazeta vazhdon që të jetë në nivelin më të lartë, sepse ajo e paraqet gjendjen reale në skenën politike, duke qenë një gazetë reale dhe e pavarur e drejtë dhe e paanshme

Image
Fuad Ramiqi

Fuad Ramiqi, politikan

Sigurisht që roli i gazetës “ Kosova Sot” ka qenë shumë i rëndësishëm në informimin e opinionit vendor e të huaj në momentet më të vështira të popullit tonë, sepse asokohe gjithçka ishte e censuruar dhe e mbikëqyrur nga regjimi i Milosheviqit. Dhe, shkrimet e gazetës”Kosova Sot’ kanë ndikuar shumë në sensibilizimin e opinionit vendor e të huaj për atë se çfarë po ndodh në Kosovë. Por tërë e mira e kësaj gazete është se po të njëjtën politikë të pavarur ky medium e ka vazhduar edhe pas luftës në Kosovë duke i luftuar në vazhdimësi të këqijat që po shfaqeshin në vendin tonë e që edhe sot e përcjellin Kosovën. Por me gjithë sfidat me të cilat është ballafaquar gazeta “ Kosova Sot”, prapëseprapë ajo ngelet një gardian i mbrojtjes së vlerave dhe interesit të popullit shqiptar në tërësi, e veçanërisht të shqiptarëve në Kosovë .

Image
Cen Pushkolli

Cen Pushkolli, gazetar i dikurshëm i gazetës ” Rilindja”

Nuk ka asnjë dyshim se gazeta “Kosova Sot” gjatë kohës së luftës ishte një medium shumë afirmativ, ngase ajo e informoi qytetarin për tërë Kosovën, duke informuar vendorët e ndërkombëtarët me të gjitha të këqijat e regjimit të Milosheviqit. Prandaj, nuk ka asnjë dyshim se gazeta ”Kosova Sot”, gjatë luftës deri në djegien e shtypshkronjës së saj, paraqiste një opozitë të fortë kundër regjimit të Milosheviqit. Sepse me informata për atë se çfarë po ndodhte në Kosovës, gazeta ka arritur që të josh të rinjtë shqiptarë që ata t’i bashkëngjiteshin radhëve të UÇK-së, gjë që kjo gazetë edhe e arriti efektin e saj. Po me të njëjtin sukses ky medium e ka luajtur rolin afirmativ në luftimin e dukurive të këqija të pasluftës në Kosovë. Andaj, suksese të reja drejtuesve dhe stafit të gazetës” Kosova Sot”, që diti ta ruajë paanshmërinë dhe korrektësinë e informimit të opinionit.

U ngrit si Feniksi

Nazmi Halimi, ish-nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës

E përditshmja, gazeta “ Kosova Sot” është një segment i rëndësishëm i punës së mediave në Kosovë, sidomos para dhe gjatë luftës, ngase si medium është një kontribuues shumë i madh i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sepse, popullata e Kosovës dhe subjekte të saj politike të vetmen dritare kah SHBA-ja dhe Evropa i kanë pasur mediat, kështu që gazeta” Kosova Sot” ka qenë një dritare shumë e fuqishme për ta artikuluar zërin e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj në atë kohë që e luftonin Milosheviqin dhe për lirinë e Kosovës. Ndaj, ky medium e them lirshëm se ka luajtur rolin shumë të madhe në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin që Serbia asokohe e bënte në Kosovë. Prandaj, gazeta”Kosova Sot” ka qenë një medium shumë i guximshëm në punën e saj dhe pikërisht për këtë qëllim ajo u bë halë në sy e regjimit serb dhe për pasojë “ Kosova Sot” pati një represion shumë të madh nga regjimi i Milosheviqit duke e djegur shtypshkronjën, por edhe duke ushtruar presion ndaj stafit të gazetës.

Prandaj, gazeta” Kosova Sot“ e ka përjetuar fatin popullit të Kosovës pikërisht për shkak se e lidhi fatin e mbijetesës së saj me mbijetesën e popullit të vet dhe si medium ishte në anën e popullit që e barti dhunën mbi supe dhe me të drejtë e them se që si medium e ka sfiduar me të madhe dhunën e Milosheviqit, duke bërë një punë shumë të madhe për Kosovën dhe lirinë e saj. E them lirshëm se po këtë mision të vetin gazeta” Kosova Sot” e pati edhe pas luftës me hyrjen e KFOR-it në Kosovë, ngase ajo u ngrit si Feniksi dhe iu dëgjua zëri i saj duke informuar opinion vendor e ndërkombëtarë se çfarë po ndodh në Kosovë dhe si po instalohet demokracia në Kosovë, duke u shquar në luftimin e të këqijave. Në këtë drejtim, gazeta” Kosova Sot“ luajti një rol të madh në demokratizmin e vendit, sepse ajo është një treguese e ardhjes së demokracisë në Kosovë, ngase me shkrimet e saj gjithmonë pati dhe u shqua për një zë kritik ndaj të këqijave e dukurive negative e devijante që kanë zënë vend në Kosovën e pasluftës.

Image
Ilir Fetahu

Ilir Fetahu, analist politik

Nuk do mend se gazeta “ Kosova Sot ” gjatë okupimit pati një rol shumë me rëndësi në informimin e opinionit jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, e sidomos gjatë luftës, kur gazeta ishte një dritare e informimin mbi atë që po bënte Serbia. Dhe, për fatkeqësi, kjo gazetë, përkatësisht shtypshkronja e saj, e pësoi si edhe shumë fusha të tjera dhe biznese duke e djegur atë. Kjo ishte një humbje e madhe jo vetëm për “ Kosova Sot”, sepse u ndal një dritare e informimit. Por, e mira është se edhe pas luftës ky medium e vazhdoi punën e vet dhe misionin në paqe që është informimi i drejtë për shumë qytetarë të Kosovës, duke e bërë këtë me shumë sukses, sidomos në luftimin e dukurive negative dhe punëve të këqija që po ndodhin në Kosovën e pasluftës. Është një gazetë e pavarur dhe vlerësohet shumë lart nga opinioni publik.

Image
Ilie Baldedaj

Ilir Baldedaj, kuvendar në KK të Prizrenit

Është model i gazetarisë hulumtuese, është vlerë e shtuar në mediat e Kosovës që i ka dhënë kulturë mediave të Kosovës, është një nga gazetat më të guximshme edhe me të sakta në shkrime ,edhe gazetë përmbajtësore pa anime politike. Prandaj ishte atakuar pikërisht nga sulmet serbe. Kjo shtypshkronjë duhet të marrë dëmshpërblim dhe duhet të vazhdojë kjo gazetë të mbetet numri një, ashtu siç është.

 

 

Prof. Baki Avdaj, mësimdhënës

Gazeta "Kosova Sot" , për mendimin tim, është gazeta e të gjithë shqiptarëve, përderisa shquhet për punën fisnike si media më e mirë, reale, e lirë, e pavarur. Është gazeta më me përkushtim informativ, edukativ dhe patriotik, ku edhe u shkatërrua dhe u dogj nga regjimi barbar serb me 1999. Se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e saj në kohët e vështira të terrorit dhe gjenocidit serb, kur NATO filloi Luftën kundër ish- Jugosllavisë për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës. Pra, kjo tregon se "Kosova Sot" ishte ashtu si dhe lufta e UÇK-së dhe e NATO-s, në funksion të lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës kundër regjimit barbar serb.

Pra, në mbyllje ju uroj punë të mbarë në rolin tuaj në shërbim të zhvillimit, konsolidimit dhe të emancipimit patriotik, demokratik, të lirisë, të progresit dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare. Urime-suksese për punën tuaj që jeni duke bërë për informim të drejtë dhe real.( vijon)

(Kosova Sot)