Shuplaka e fortë e ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar

  • 31 March 2019 - 07:44
Shuplaka e fortë e ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar

Hertica: Pushtetarët vendosin vetëm në bazë të lidhjeve farefisnore dhe klaneve mafioze

“Jo rastësisht tërheqja e Ambasadës britanike nga mbështetja për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të ZRRE-së është shuplaka e radhës nga ndërkombëtarët. Në këtë formë ata kanë dhënë një sinjal se janë lodhur nga kjo politikë dhe nga këta politikanët tanë, të cilët vendosin vetëm në baza të lidhjeve farefisnore dhe klaneve mafioze. Deklaratat e fundit nga SHBA-ja, Britania dhe Zvicra janë sinjal i keq për kosovarët”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Ragip Guraziu

Tërheqja e Ambasadës britanike nga mbështetja për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të ZRRE-së është shuplaka e radhës nga ndërkombëtarët. Analistët politikë këtë e shohin si sinjal se edhe ndërkombëtarët janë të lodhur me politikanët kosovarë, të cilët vendosin vetëm në bazë të lidhjeve farefisnore dhe klaneve mafioze.

Deklaratat e fundit nga SHBA-ja, Britania dhe Zvicra, janë sinjal i keq për kosovarët, ku rrezikohet që të tërhiqen investimet nga këto shtete në Kosovë. Shtrohet pyetja edhe çfarë duhet të ndodhë në Kosovë, që këta politikanë ta shohin se si po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës dhe po ashtu habiten me heshtjen e institucioneve kosovare përballë kërkesave të ndërkombëtarëve.

Analisti Ragip Guraziu ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se kështu siç po vazhdon Qeveria e Kosovës, investimet jo se po rrezikohen, por edhe çnjohjet gjithashtu. “Kjo dëshmon se jo rastësisht tërheqja e Ambasadës britanike nga mbështetja për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, është shuplaka e radhës nga ndërkombëtarët.

Në këtë formë ata kanë dhënë një sinjal se janë lodhur nga kjo politikë dhe nga këta politikanët tanë, të cilët vendosin vetëm në baza të lidhjeve farefisnore dhe klaneve mafioze. Deklaratat e fundit nga SHBA-ja, Britania dhe Zvicra, janë sinjal i keq për kosovarët”, ka theksuar Guraziu. Sipas tij, edhe çka duhet të ndodhë në Kosovë që këta politikanë kosovarë ta shkatërrojnë shtetin?

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Mund të tërhiqen edhe investimet e jashtme

Analisti Shefik Shkodra thekson se kur diplomatët e huaj e kanë parë se politikanët nuk po mërziten për korrupsionin dhe krimin e organizuar, kanë vendosur t'ua bëjnë me dije atyre e t'u thonë ashiqare se ju jeni ata që në Kosovë e bëni krimin dhe korrupsionin. “Prandaj, tërhiqen edhe ambasadorët nga 'gjella' e tyre, si ishte rasti me ambasadorin anglez, duke u treguar se nuk pajtohet me inkuadrimet politike, si me rastin e rekrutimit për kryesues të Bordit të –ZRRE-së.

Ai shtoi gjithashtu se, nuk ka nevojë të investohet pa ndonjë arsye. Këtë veprim ia pranoi edhe kolegu i tij amerikan. Edhe zvicerani foli për korrupsionin...Pra, këto janë disa shenja nga diplomacia e huaj, se, tashmë e kanë të qartë si po e udhëheqin këtë vend politikanët shqiptarë. Ata më mirë i dinë të gjitha lëvizjet e tyre se ne në Kosovë, munden lehtë që të tërheqin edhe ato investime të pakta. Faji nuk është i qytetarëve”, është shprehur analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Arsim Haziri

Haziri: Politikanët tanë po injorohen nga ndërkombëtarët

Analisti Arsim Haziri ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se ndërkombëtarët gjithnjë e më shumë janë duke i injoruar politikanët e Kosovës. “Përpos që është vërtetuar disa herë nga ambasadori anglez, të njëjtën gjë e bëri edhe ai zviceran. Liderët e korruptuar dhe të shpërfillur duhet të largohen.

Andaj, humbja e kredibilitetit në rrafsh ndërkombëtar, po ashtu edhe në aspekt të brendshëm, përbën izolimin e tyre dhe uroj që ky injorim të jetë edhe më tej në mënyrë që zgjedhjet e reja të nxjerrin krejt tjetër mendësi qeverisëse”, është shprehur Haziri.

Sipas tij, injorimi i ndërkombëtareve ndaj këtyre politikanëve, izolimi i tyre në aspektin diplomatik, nxitja e të rinjve drejt Perëndimit janë disa nga arsyet pse vendi duket të ketë tjerët nivel qeverisjeje.

Image
Ali Hertica

Hertica: Gjendja është alarmante

“Ambasada britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksapaguesve britanikë. Për fat të keq, shumica e njerëzve që janë punësuar në administratën publike të Kosovës kanë ardhur përmes lidhjeve partiake, familjare dhe lidhjeve të tjera. Shumë pak kanë ardhur përmes bazës meritore apo zbatimit të ligjit në fuqi. Ky është fakt i keq. Partitë politike në momentin që marrin pushtet, e marrin duke premtuar edhe vende pune dhe pastaj ka apo nuk ka standarde të punësimit , ata duhet të punësojnë militantët e tyre.

Në këtë mënyrë, punësimi i militantëve degradon komplet administratën publike. Në çdo institucion, si në nivel qendror apo lokal, vërehet se në pozitat më të larta, duke filluar nga shefat, zakonisht janë militantë partiakë të partisë se caktuar.

Pra, është një gjendje alarmante, pasi këta militantë nuk kanë kualifikime profesionale dhe është një sinjal edhe nga ndërkombëtarët se janë të lodhur me politikanët kosovarë, të cilët vendosin vetëm në bazë të lidhjeve farefisnore dhe klaneve mafioze”, është shprehur analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)