Arabia Saudite akuzohet për ndërhyrje në telefonin e Bezosit

  • 31 March 2019 - 09:54
Arabia Saudite akuzohet për ndërhyrje në telefonin e Bezosit

Një hetues ka thënë se Arabia Saudite e ka hakuar telefonin e shefit të kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos, dhe ia ka marrë të dhënat që ndodheshin në të.

Hetuesi Gavin de Becker u ngarkua me punë nga Bezosi për të zbuluar se si mesazhet e tij private janë publikuar për publikun.

De Becker ka thënë se kjo ndërhyrje në telefonin e njeriut më të pasur në botë është e lidhur me raportimet e gazetës “Washington Post” për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll.

Arabia Saudite ende nuk i ka komentuar këto dyshime. Përndryshe, Bezos është pronar i gazetës “Washington Post”.

Hetuesi De Becker tha se ua ka dorëzuar gjetjet e tij zyrtarëve amerikanë të drejtësisë. “Hetuesit dhe ekspertët tanë kanë arritur në përfundim se sauditët kanë pasur qasje në telefonin e Bezosit dhe nga ai kanë marrë të dhëna private” tha ai.

De Becker tha se qeveria saudite e ka vënë në shenjestër gazetën “Washington Post”, për të cilën ka punuar gazetari i ndjerë.

“Disa amerikanë mund të befasohen kur të dëgjojnë se qeveria saudite ka pasur për qëllim ta dëmtojë Jeff Bezosin që nga tetori i vitit të kaluar, kur gazeta filloi të raportonte vazhdimisht për vrajsen e gazetarit të saj”, tha De Becker.

Sidoqoftë, ambasada e Arabisë Saudite në Uashington nuk është deklaruar për dyshimet e këtij hetuesi, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)