Kombet e Bashkuara kërkojnë tranzicion demokratik në Algjeri

  • 31 March 2019 - 15:32
Kombet e Bashkuara kërkojnë tranzicion demokratik në Algjeri

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të dielën se i mirëpret përpjekjet për tranzicion paqësor dhe demokratik në Algjeri. Në këtë vend janë mbajtur protesta të vazhdueshme për ta larguar presidentin aktual, Abdelaziz Bouteflika.

Gjatë fjalimit për samitit e Ligës Arabe në Tunis të Tunizisë, Guterres tha se secili hap që ndërmerret duhet të bëhet në atë mënyrë që t’i adresojë shqetësimet e popullit algjerian.

Të shtunën, komandanti i ushtrisë algjeriane, Gjenerali Ahmed Gaed Salah, e përsëriti thirrjen për shpalljen e presidentit si person i papërshtatshëm për ta mbajtur pushtetin, duke u mbështetur në nenin 102 të kushtetutës.

Sidoqoftë, përpjekja e tij për ta zgjidhur krizën politike ka dështuar ta shuajë zemërimin e protestuesve, të cilët po kërkojnë që të mos ketë ndërhyrje të ushtrisë në çështjet civile. Përpos kësaj, ata po kërkojnë që nga pushteti të largohet e tërë elita politike, përfshirë veteranët e luftës për pavarësi kundër Francës, oficerët ushtarakë dhe anëtarët e partisë në pushtet.

Njoftimi i presidentit se nuk do të garojë për mandatin e pestë me radhë dhe se nuk do të japë dorëheqje menjëherë e ka shtuar zemërimin e protestuesve në vendin e Afrikës Veriore, i cili është i njohur për prodhimin e naftës dhe të gazit natyror, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)