SHBA-ja dërgon emisar të posaçëm për rundin e ri të bisedimeve me talibanët

  • 01 April 2019 - 15:31
SHBA-ja dërgon emisar të posaçëm për rundin e ri të bisedimeve me talibanët

Emisari amerikan për bisedime të paqes me talibanët ka shkuar përsëri në Kabul për ta nisur rundin e ri të negociatave, me të cilat po synohet t’i jepet fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Fereydoun Khuzon, zëdhënës i administratës presidenciale të Afganistanit, ka thënë se ai pret që vizita e emisarit special amerikan, Zalmay Khalilzad, ta hapë rrugën për fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes qeverisë afgane dhe talibanëve.

Khalilzad, i cili është udhëheqës i bisedimeve me talibanët, i ka zhvilluar disa runde të bisedimeve të paqes me përfaqësuesit e këtij grupi në Katar. Sidoqoftë, qeveria afgane është ankuar se po lihet anash në këtë proces pasi talibanët deri tash kanë refuzuar të bisedojnë me ata që po i quajnë kukulla të Amerikës.

Si duket, emisari amerikan ka ndërmarrë hapa për t’i zbutur këto ankesa dhe të ndërmjetësojë në proces përmes bashkimit të të gjitha palëve në negociata gjithëpërfshirëse.

“Kemi biseduar për nevojën e menjëherëshme që ky proces të zhvillohet si dialog i brendshëm mes palëve të konfliktit”, shkroi Khalilzad në Twitter.

Gjatë një vizite në Uashington, këshilltari për siguri i presidentit afgan e kishte kritikuar ashpër emisarin e Shteteve të Bashkuara për shkak të përjashtimit të qeverisë afgane nga negociatat dhe mbrojtjen e interesave personale, shkruan “Free Europe"

(Kosova Sot)