Kush i vodhi paratë nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe i  '3 përqindëshit'? Ja kënd e akuzonte Kelmendi

  • 01 April 2019 - 15:49
Kush i vodhi paratë nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe i  '3 përqindëshit'? Ja kënd e akuzonte Kelmendi

Prokuroria dhe Gjykata për një vit e kanë mbajtur sekret aktakuzën për Fondin e '3 përqindëshit'. E sipas analistëve, kjo flet dhe dëshmon se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar si dhe nëntokës. Ata gjithashtu shtrojnë pyetjen se si është e mundur që Prokuroria të heshtë për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi '3 përqindëshit' si dhe nga fondi 'Vendlindja Thërret', por vendos që të ngritë aktakuzë, edhe atë vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit.

"Në Kosovën e sunduar nga mafia politike dhe politikanët e kriminalizuar, prokuroria e kapur dhe gjyqësia e shantazhuar prej tyre, për t`ua zbehë tërësisht ndikimin dhe ul sa më tepër efektin e aktakuzës, tek qytetarët dhe në opinionin publik u mbajt sekret për një vit edhe aktakuza e ngritur për Fondin e '3 përqindëshit'.Për aq më tepër edhe 20 vjet pas lufte dhe 11 sosh pas pavarësisë, jo vetëm se nuk u hetuan kurrë dyshimet e bazuara mbi keqpërdorimin e Fondit "Vendlindja Thërret", por nga vetë Prokuroria dhe Gjykata e kapur e Kosovës u ngrit aktakuzë vetëm kundër përfaqësuesve të Fondit të '3 përqindëshit'. Aktakuzë kjo çuditërisht tepër e kufizuar dhe e shpërfaqur vetëm me emrat e dy-tre personave, si Bujar Bukoshi, Naser Osmani e Atdhe Gashi, gjë që as për së afërmi nuk është adekuate dhe e mjaftueshme për një fond, me shtrirje aq të gjerë, si '3 përqindëshi', që nga Evropa deri në Amerikë”, thotë analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, prokuroria kosovare është e kapur nga politikëbërja mafioze në vend.

Image
Gani Qarri

“Mjerim që flet dhe dëshmon publikisht se sistemi i drejtësisë në Kosovë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe të nëntokës kriminale dhe për pasojë mbetet tërësisht e pabesueshme që me kastën aktuale në krye të shtetit, e cila kontrollon prokurorinë dhe gjyqësinë, edhe nëse realisht ndodhë gjykimi ndaj ndonjë apo disa të akuzuarve, të përfundojë me dënime të merituara dhe llogaridhënie të njëmendtë. Kjo për vet faktin se prokuroria e kapur nga politikëbërja mafioze në vend, për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi i '3 përqindëshit', si dhe ato nga fondi 'Vendlindja Thërret', vendos që të ngritë vetëm një aktakuzë tepër të kufizuar edhe atë vetëm ndaj dy-tre vetave. Madje prokuroria e shantazhuar, për ta zbehur sa më shumë ndikimin dhe ul sa më tepër efektin e aktakuzës, tek qytetarët dhe në opinionin publik, jo vetëm se shtyn dhe mban sekret me vite të tëra edhe aktakuzat e ngritura, por ajo nuk ka ndërmarrë asgjë, sidomos për hetimin e Fondit 'Vendlindja Thërret', për të cilin njëjtë si për Fondin e '3 përqindëshit', thuhet se ka dëshmi për abuzime të mëdha. Megjithëse, qysh para dy vitesh, nga I. Kelmendi përmes një shkrimi u bën publike vjedhjet e fondit "Vendlindja thërret", prapaskenat e blerjes se armeve e shumëçka tjetër, për të cilat ai akuzonte se paratë ishin vjedhur nga fondi 'Vendlindja Thërret' dhe fondet tjera në Gjermani,nga banda e treshes Xhavit Haliti, Azem Syla,Hashim Thaçi, ato tash e atëherë po kalohen tërësisht në heshtje prej prokurorisë së kapur nga bosët mafiozë të shtetit, të cilët vetë ishin edhe kapo të atij fondi. Protagonistin e Klanit PRONTO dhe shefin e shefave, Adem Grabovcin, Kelmendi e quante komplotist dhe si ministër i financave te keqpërdorura, i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të Fondit në shtetet e Perëndimit, duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të qytetarëve të Kosovës dhe trojeve tona etnike gjithandej, që kontribuuan pa kursim në këtë fond, me shpresën se do të përdoreshin në mbarëvajtjen e luftës për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Qarri.

“ Madje, me gjithë presionin e vazhdueshëm mediatik, ku kontribut të madh dha edhe kombëtarja "Kosova Sot", përveç ndonjë rasti të ngritur si aktakuza në fjalë, shihet qartë se Prokuroria e Shtetit ka filluar të merret vetëm me hetimin e njërit nga fondet e shumëpërfolura të luftës, atë të '3 përqindëshit', por jo edhe me fondin "Vendlindja Thërret". Ndaj ajo që sot brengos shumë, secilin qytetar të Kosovës, është fakti se përkundër ngritjes së ndonjë aktakuze të mbajtur sekret për vite, si kjo ndaj 3 %-shit, e vërteta rreth fondeve të luftës, qoftë 'VENDLINDJA THËRRET' apo e fondit të '3 përqindëshit', me këta politikanë në krye të shtetit, asnjëherë nuk do të zbardhet plotësisht dhe se në këtë vend, nuk do të ketë kurrë drejtësi. Ata përderisa ta kenë vetë pushtetin në dorë, kurrë nuk do të lejojnë të kuptojë populli se si u vodhën, në mënyrë klandestine, qindra miliona euro të qytetarëve prej tyre”, ka deklaruar Qarri.

Për fund, ai thotë se prokuroria edhe gjyqësori, jo vetëm që janë plotësisht të kapur e selektivë dhe qytetarët i trajtojnë në mënyrë të pabarabartë, por fatkeqësisht në Kosovë de-fakto nuk ekziston fare sistemi i drejtësisë.

“Madje edhe vetë Prokuroria Speciale në Kosovë, për mese dy dekada me radhë, as që ka marrë mundimin dhe shprehur guximin të hetojë e zbardhë se çka realisht ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që pushtetarët e sotëm ua vodhën qytetarëve, të cilat nuk ishin pak, por qindra miliona euro dhe po nga ato para na dolën të gjithë politikanët milionerë e multimilionerë të pasluftës. Nga këto akte dubioze të gjithë ne po bindemi çdo ditë e më shumë se ashtu si prokuroria edhe gjyqësori, jo vetëm që janë plotësisht të kapur e selektivë dhe qytetarët i trajtojnë në mënyrë të pabarabartë, por fatkeqësisht në Kosovë de-fakto nuk ekziston fare sistemi i drejtësisë. Për aq më keq edhe aktakuzat e ngritura, si kjo e fundit, përveç mbajtjes me vite sekret, as që janë ngritur për vendosjen e rendit dhe të ligjit apo për të ndjekur njëmend kryesit e veprave penale dhe çuarjen e drejtësisë në vend, por për amnistimin edhe me ligj, të keqpërdoruesve dhe kriminelëve të lidhur me pushtetin dhe politikanët në krye të shtetit të Kosovës", përfundoi për gazetën "Kosova Sot", analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)