Gripi prek trurin e vajzës 2 vjeçe

  • 01 April 2019 - 15:50
Gripi prek trurin e vajzës 2 vjeçe

Një vajzë dy vjeçe është duke luftuar për jetë, pasi që gripi i shkaktoi encefalopati nekrotizuese, që është sëmundje e rrallë e trurit. Layla Thomas, nga St Louis, Misuri, ka 11 ditë që qëndron në kujdesin intensiv të pediatrisë, ku është futur në gjendje kome dhe ka marrë transfuzione të shumta të gjakut. Mjekët thonë se ajo ka 50:50 gjasa që të mbijetojë.

Problemet e Layla's

Derisa prindërit e Layla's presin me padurim që ajo të përmirësohet, të afërmit dhe dashamirët kanë filluar që të mbledhin para që të paguajnë faturat e mëdha mjekësore, të cilat shtohen çdo ditë. Problemet e Layla's filluan dy javë më parë, kur filloi të manifestonte simptoma të buta të gripit. 'I shkonte hunda, kollitej pak, por asgjë e jashtëzakonshme që nuk kishim parë më herët', thotë halla e Layla's, Jessica Kile. Më 18 mars iu ngrit temperatura dhe u dërgua me emergjencë në spital.

Gjendja iu përkeqësua menjëherë. Mjekët thanë se virusi i gripit ia kishte prekur edhe trurin, duke shkaktuar encefalit nekrotik, gjendje e cila është tepër e rrallë, por ku një e treta e pacientëve nuk i mbijetojnë kësaj gjendjeje. Në të shumtën e rasteve, encefalopatia nekrotizuese është komplikim i gripit. Derisa simptomat janë të buta, pjesët e caktuara të trurit ënjten dhe dëmtohen. Më pas fillon nekroza (vdekja) e qelizave të caktuara të trurit, kur edhe vjen deri te përkeqësimi i gjendjes së pacientit, me ngërçe, halucinacione, mos koordinim të lëvizjeve, etj.

Rast shumë i rrallë

Mjekët iu kanë thënë familjarëve se ka dekada që nuk kanë parë raste të tilla, prandaj kanë biseduar me kolegë nga e mbarë bota për t'u këshilluar rreth rastit të Layla's. Zyrtarët shëndetësorë thonë se, përkundër faktit që rastet si i Layla's janë të rrallë, ato na rikujtojnë se gripi vazhdon që të qarkullojë edhe në fund të sezonit dhe mund të ketë komplikime fatale. 

(Kosova Sot)