Sërish përleshje midis Pakistanit dhe Indisë në Kashmir

  • 02 prill 2019 - 11:48
Sërish përleshje midis Pakistanit dhe Indisë në Kashmir

Tre ushtarë pakistanezë u vranë nga sulmet e Indisë në rajonin e kontestueshëm të Kashmirit.

Ushtria e Pakistanit tha se disa pjesëtarë të tjerë të saj u plagosën.

Ushtria pakistaneze po ashtu tha se “u përgjigj në mënyrë efektive” pas sulmeve të Indisë me mortaja në qytetin kufitar Rakçakri, i cili ndodhet në pjesën pakistaneze të Kashmirit.

Zyrtarët indianë nuk i komentuan raportet nga Pakistani.

Viktimat e fundit vijnë pasi në muajin shkurt, një sulm vetëvrasës la të vrarë 40 ushtarë indianë në Kashmir – pjesën e administruar nga India.

Kjo e nxiti Indinë të kryejë një sulm ajror brenda Pakistanit, duke shënjestruar, siç tha, militantët përgjegjës për sulmin vetëvrasës.

Edhe Pakistani, edhe India – dy vende që posedojnë armë bërthamore – kontrollojnë pjesë të Kashmirit.

Dy fqinjët kanë një histori të marrëdhënieve të hidhura që nga fitimi i pavarësisë nga Britania në vitin 1947.

Dy rivalët bërthamorë kanë luftuar tri luftëra – dy nga to për rajonin e Kashmirit.

(Kosova Sot)