Hertica: Klasa politike e inkriminuar po i largon qytetarët e vet

  • 02 April 2019 - 16:06
Hertica: Klasa politike e inkriminuar po i largon qytetarët e vet

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se e gjithë klasa politike është çelësi kryesor i të gjitha dukurive negative në shoqëri, ku janë përdorur me të madhe taksat e qytetarëve, por edhe të donatorëve të shteteve mike.

Të gjitha këto pasqyrime drakonike të zhvatjes së parave i ka vërejtur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, i cili hedh akuza të rënda, por Kadri Veseli nuk skuqet. Fatkeqësia jonë është që kemi qeveri aq të madhe dhe korruptive, ku ka nepotizëm dhe zhvatje të vazhdueshme të buxhetit publik. Kosova dhe sovrani po degradohen dhe po varfërohen dita-ditës. Ambasadori zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë si qytetarë dhe banorë të këtij shteti.

Është koha që populli, i cili e do Kosovën, të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit dhe t’i japë goditje kësaj kaste të bandave plaçkitëse”, është shprehur analisti Hertica.

“Është vërtet shqetësuese, sepse në qoftë se ndërtohet një relacion i tillë, sidomos me shtetet që janë aq të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, si SHBA-ja dhe Britania e Madhe, atëherë çfarë do të ndodhë me vendimet më të mëdha që do ta presin Kosovën në rrugën e integrimit, qoftë në BE, qoftë në NATO.

Pra, pikërisht për shkak të kësaj klase politike të inkriminuar po braktiset nga qytetarët e vet dhe Kosova nuk do të mund të sigurojë më asnjë njohje”, ka theksuar Hertica.

(Kosova Sot)