Qarri: Asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, as që mërzitet fare për popullatën

  • 03 April 2019 - 12:26
Qarri: Asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, as që mërzitet fare për popullatën

Analisti Gani Qarri thekson se kurrë dhe askush, madje as pesimistët më të mëdhenj brenda dhe jashtë vendit, nuk do të mund ta kishin paramenduar se edhe 20 vjet pas luftë, mafiozët dhe kriminelët, do ta katandisnin në gjendje kaq të rëndë Kosovën dhe në vend të dënimit e shkuarjes në burg, do të uzurpojnë majat e pushtetit dhe sundojnë shtetin e kidnapuar prej tyre.

“Askush nga ne, nuk e ka besuar se do të kalojnë kaq shumë vite me ngecje dhe stagnim të gjithanshëm, pa zhvillim e prosperitet, pa perspektivë dhe siguri për jetë dhe ardhmërinë e fëmijëve dhe të familjeve në Kosovën e çliruar me bombardimet e NATO-s, nga Serbia, dy dekada më parë.

Kasta aktuale tërësisht e inkriminuar politike, për gjithë këto vite, në shtetin despotik me varfëri ekstreme, vazhdon t’i zhvatin dhe t’i shkelin të gjitha të drejtat më elementare të qytetarëve kosovarë, duke i lënë ata të papunë, të lodhur e të izoluar dhe duke ua mohuar atyre edhe të drejtën për jetë normale dhe duke ua marrë mundësinë për mbijetesë në këtë shtet ku, prej ardhjes së tyre në pushtet, nuk sundon më ligji, por nëntoka kriminale”, u shpreh ai për “Kosova sot”.

“Gjendja e krijuar nuk është e imponuar nga jashtë, as rastësi e pikur nga qielli, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqpërdorimeve shumëvjeçare të politikanëve të shitur e të shantazhuar, të cilët tash e atëherë punojnë për interesa të shërbimeve të huaja. Pikërisht këta pushtetarë të kriminalizuar po ua pamundësojnë jetën shqiptarëve në vendin e tyre, largimi i të cilëve vetëm në katër vjetët e fundit kap shifrën e mbi 250 mijë vetave, gjë që është një katastrofë më vete, për një vend të vogël si Kosova dhe luftë speciale për zbrazjen dhe ndryshimin e demografisë së saj nga banorët autoktonë shqiptarë edhe në liri!

Me shkeljen e gjakut të mijëra dëshmorëve e heronjve të rënë, nga bandat kriminale në pushtet, qytetarët e vendit përfundimisht e kanë kuptuar se realisht asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, as që mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekziston më në këtë shtet, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal dhe si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale,të cilët në njërën anë ua “lagin fytin” bandave, kurse në anën tjetër dëbojnë qytetarët e Kosovës pandërprerë jashtë vendit”, ka vijuar më tej Qarri.

Sipas tij, të ballafaquar me një gjendje të tillë të parrugëdalje në të cilën, me qëllim i ka sjellë politika kriminale vendore, i madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike,shpresën e vetme për mbijetesë e shohin vetëm në ikjen sa më të shpejtë dhe sa më larg nga Kosova, duke rrezikuar që pa kaluar edhe shumë kohë të vijë deri te përgjysmimi i banorëve shqiptarë të Kosovës, që është edhe synimi dhe qëllimi kryesor dhe i fundit i sunduesve kriminelë, bashkëpunëtorëve të Serbisë e Aleksandër Vuçiqit, mafiozëve politikë, ekonomikë e matrapazë të vendit.

(Kosova Sot)