Paralajmërimi për Haradinajn: Ja dëshmia, kjo qeveri i ka ditët e fundit

  • 03 April 2019 - 17:11
Paralajmërimi për Haradinajn: Ja dëshmia, kjo qeveri i ka ditët e fundit

Punësimet familjare dhe militantëve partiakë kanë shpërthyer këto javëve të fundit. Pothuajse çdo ditë raportohet për qindra të punësuar nga partitë politikë që janë në pushtet, duke përfshirë PDK-në, AAK-në, NISMA-në e PSD-në, e cila këmbëngulë se është në opozitë, edhe pse me votat e saj kjo Qeveri po qëndron në pushtet.

Ndërsa së fundi, edhe në ekipin negociator janë përfshirë militantë e familjarë të dy bashkëkryesuese të këtij ekipi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Përderisa Limaj ka vendosur që me vete ta ketë edhe nipin e tij, Endrit Zabërgja, Ahmeti ka vendosur që së bashku me të në Bruksel të shkojnë edhe dy tezakët e tij, Visar Ymeri dhe Nezir Ismaili.

E sipas analistëve politikë, në Kosovë gjithçka është duke marrë kahje të gabuar, si shkas i mos zbatimit të ligjit.

Analisti politik, Faton Abdullahu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se PAN po sillet thuajse i ka ditët e numëruara.

“Disa mund të konstatojnë se koalicioni PAN konkretisht kjo qeveri që po punon thua se i ka ditët e fundit dhe dëshmi për këtë ofrojnë punësimet e familjarëve dhe militantëve partiak”, është shprehur ai.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu këtë gjë e quan si punë që po bëhet “sot për nesër”, ku secili prej tyre duke filluar nga personi më i lartë shtetëror e deri tek më i vogli shikon vetëm interesat e veta.

“Në të vërtetë kjo qeveri dhe krejt ky koalicion punon kështu pa vizion, pa strategji dhe pa respekt për këtë vend, që nga dita e parë, thjeshtë punon sot për nesër. Gjithë ata zëvendësministra, gjithë ato paga të rritura, gjithë ata koordinatorë, gjithë ata militantë e familjarë të punësuar nuk janë asgjë tjetër veçse dëshmi se ky koalicion ‘ka pajtu me marre’ apo thënë ndryshe, nuk e respekton dhe hiç nuk ia ka frikën qytetarëve të Kosovës”, tha Abdullahu për “Kosova Sot”.

“Që neveria të jetë më e madhe i gjithë ky nepotizëm jo që nuk i pengon këtyre qeveritarëve , por ata nuk japin pesë para për këtë. Për më keq e bëjnë këtë me rrahagjoks, thua se po kontribuojnë për shtetin dhe të gjithë qytetarët pa dallime”, shtoi ai më tutje.

“Thënë përmbledhtazi ka kohë që ky koalicion ka pushuar të mendoj për të mirën e këtij vendi dhe për të mirën e qytetarit të Kosovës. Në ven të kësaj ata po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme, por jo për ta bërë jetën e qytetarit të Kosovës më të mirë as për ta siguruar një të ardhme më të ndershme për vendin tonë, por për të fituar sa më shumë në zgjedhjet e ardhshme, që pastaj të vazhdojnë aty ku nuk kanë mundur më shumë, ti punësojnë familjarët e tyre dhe natyrisht militantët partiak”, ka përfunduar analisti politik, Faton Abdullahu për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)