Qeveria e Haradinajt i bën rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve

  • 04 April 2019 - 07:58
Qeveria e Haradinajt i bën rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve

Hertica: Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant

“Ramush Haradinajt nuk i ka mjaftuar numri i madh i ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë, po ende po vazhdon punësimin e këshilltarëve dhe rritjen e numrit të tyre, siç ndodhi me emërimin e Lulzim Kabashit si këshilltar i jashtëm për ekonomi, sidomos për rajonin e Prizrenit.

Kësaj i thoni një skandal dhe tallje me popullin e varfër të Kosovës”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”

Ramush Haradinajt nuk i ka mjaftuar numri i madh i ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. Ai po vazhdon punësimin e këshilltarëve dhe rritjen e numrit te tyre, siç ndodhi dje me emërimin e Lulzim Kabashit, si këshilltar i jashtëm për ekonomi, sidomos për rajonin e Prizrenit. Sipas analistëve, ky është një skandal dhe tallje me popullin e varfër të Kosovës. Ata shtrojnë pyetjen se a do të vazhdojë Haradinaj të emërojë për secilin rajon nga një këshilltar dhe theksojnë se është e turpshme që të hapet konkurs nga Haradinaj për 92 kinse ekspertë të jashtëm të tij, Sipas tyre, ky është edhe një hap i radhës që t'i rehatojë militantët e tij.

Konkursi për “ekspertë të jashtëm”

Analisti Ali Hertica është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një zëvendësministër për ministri.

“Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste. Haradinaj me ardhjen në krye të Qeverisë, ka jetësuar edhe një politikë të re përmes së cilës mundësohet shtimi i numrit të këshilltarëve politikë të brendshëm dhe tani të jashtëm dhe me numrin e madh të zëvendës-ministrave dhe të tjerëve do të dëmtohet buxheti i Kosovës”, është shprehur ai. Sipas tij, rritja e numrit të këshilltarëve politikë ne Qeverinë “Haradinaj” po e kalon limitin. “Tani, në Qeverinë ‘Haradinaj’ janë emëruar gjithsej 147 këshilltarë – të kryeministrit dhe ministrave – pa e përfshirë në këtë shifër numrin e zyrtarëve të tjerë, shefat e stafit, të kabinetit, protokollit, drejtorë dhe asistentë të resorëve të ndryshëm. Tani së fundi, Kryeministria shpall konkurs për ekspertë, kjo vërtet është e pakuptimtë”, është shprehur ai.

Image
Ragip Guraziu

Thaçi e Haradinaj nuk po ndalen me skandale

Analisti Ragip Guraziu thekson se kryeministri Ramush Haradinaj duhet të ndalet në punësimet nepotiste. “Ramush Haradinajt nuk i ka mjaftuar numri i madh i ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë, po ende po vazhdon punësimin e këshilltarëve dhe rritjen e numrit te tyre, siç ndodhi me emërimin e Lulzim Kabashit si këshilltar i jashtëm për ekonomi, sidomos për rajonin e Prizrenit.

Kësaj i thoni një skandal dhe tallje me popullin e varfër të Kosovës. Po çka u bë kështu me Thaçin dhe Ramushin,njëri president e tjetri kryeministër, si të zotët e shtëpisë,që nuk po ndalen kështu me këto skandale, si ta kishin kryer një shkollë bashkë dhe të ishin vëllezër”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

“Haradinaj vazhdon të emërojë për secilin rajon nga një këshilltar. Dhe, ka shkuar aq larg sa edhe ka hapur konkurs për 92 kinse ekspertë të jashtëm të tij, dhe mund të jetë ky hapi i radhës që t'i rehatojë militantët e tij”, është shprehur Guraziu për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)