Kelmendi: Edhe një vit i humbur kot

  • 04 April 2019 - 14:47
Kelmendi: Edhe një vit i humbur kot

Analisti Naim Kelmendi vlerëson se, siç po duket, drejtësia kosovare edhe ketë vit e humbi pa i nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj” apo kokat e krimit të organizuar, të cilët kanë bërë mjaft vepra kriminale abuzive me ligjin e drejtësinë, skandale e hajni, por ata askush nuk i prek, apo t’i vërë për llogaridhënie para drejtësisë.

“Drejtësia kosovare edhe më tutje vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale në vend dhe thuajse nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe hap të vetëm drejt forcimit të shtetit ligjor apo sundimit të rendi dhe ligjit. Zaten, kështu Kosova po vazhdon të tolerojë këtë gjendje të brishtë e të degraduar në drejtësinë kosovare dhe padrejtësitë e shumta në proceset e kurdisura gjyqësore”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Është koha e fundit që përfundimisht të shkapet drejtësia nga kapja disavjeçare dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale. Me këtë qeveri, ndonëse të re në pushtet, por që është në fije të perit që të mund të ndahet nga krimi i organizuar, i zhvilluar dhe i trashur në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në ekzekutiv, në legjislativ, në presidence, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati”, vijoi më tej Kelmendi.

“Është shumë hipokrite të deklarohet nga ana e zyrtarëve të drejtësisë se kinse po i bëhet luftë krimit e korrupsionit nga ana e drejtësisë, derisa në praktikën e drejtësisë për disa nga rastet jepen dënime të buta dhe kur janë në pyetje rastet e nivelit të lartë shifrat janë simbolike apo ata nuk ndiqen fare nga drejtësia”, potencoi ai. Sipas Kelmendit, definitivisht nuk ka as prokurori e as gjyqësor të vërtetë e funksional.

(Kosova Sot)