As panairet e punës nuk i joshin më të rinjët

  • 04 April 2019 - 16:01
As panairet e punës nuk i joshin më të rinjët

Edhe këtë vit është organizuar Panairi i Punës në Qendrën Sportive "Sezai Surroi" në Prizren. Njëra nga pjesëmarrëset Sehar Maliqi tregon se këto panaire ndihmojnë që të marrin punëtorë të rinj pasi kanë nevoja të konsideruara në hoteleri dhe ndërtimtari. "Por, nuk di a do të arrijmë të gjejmë. Iku ajo kohë kur të lusnin për punë. Tani ne duhet t'i lusim ata", është shprehu ajo. Arben Tërshnajku, menaxher i kompanisë "Liri" tha se janë në kërkim të punëtorëve të rinj, pasi tani kanë filluar edhe linjën re të prodhimit të çokollatës. " Mbesim me shpesë se ndoshta do të gjejmë punëtorë", shprehet ai. Në Panairin e Punës së organizuar të mërkurën në Prizren,edhe pse kompanitë prezente paraqiten vende të lira pune, sipas menaxherëve të kompanive nuk pati interesim të mjaftueshëm. Ata unanimisht tashmë po mendojnë se rinia dhe fuqia punëtore po shkon kah shtete perëndimore, si Gjermania e shtetet e tjera.

Vetëm juristë ka sa të duash

Leonis Gashi, edhe pse kishte dy fakultete të kryera, tha se erdhi të shoh për ndonjë vend pune, por ka parë se të rinjtë i kanë sytë kah Evropa. "Interesimi ishte shumë i vogël", tha ai për "Kosova Sot". Behar Tola u shpreh se patën nevojë për pesë vende të lira, por u paraqiten vetëm dy, dhe ata pa kualifikim përkatës. " Kjo është shqetësuese, kompanitë po e ndjejnë mungesën e punëtorëve". Ai shtoi se vetëm nëse kërkon jurist mund të paraqiten sa të duash, por të tjerët ikin drejt Evropës. Liridona Kolukuaj, si regjistruese e punëkërkuesve, tha se ka pasur të interesuar deri diku, por është fakt se rinia po shkon në Evropë. Prandaj, edhe këto panaire tashmë po shihet se nuk po zgjojnë kërshërinë e punëkërkueseve. 

Furrat po mbyllen në mungesë të punëtorëve

Një rast i mëhershëm tregon se kur një kompani kishte ofruar mundësi pune në Gjermani, Shtëpia e kulturës nuk pati mundësi të pranojë gjithë të interesuarit që u paraqiten me mijëra. Këtë shqetësim tashmë po e përjetojnë edhe shumë të tjerë. Njëri nga pronarët e restorantit "Edi Imperial", Sead Shabani theksoi se kështu si po shkon puna, Prizreni do të mbetet pa punëtorë. "Vetëm ne pronarët do të punojmë vetë. Sepse të rinjtë tashmë kanë shkuar shumica. Tani, për fat të keq, ka dy furra që janë mbyllur në Prizren pikërisht për shkak se nuk kanë punëtorë. Kjo është shumë shqetësuese. Prandaj, edhe shteti edhe privatët duhet të takohen urgjent dhe të gjejnë një zgjidhje më fatlume ose e kundërta ky trend Kosovën do ta lërë pa punëtorë", është shprehur për gazetën "Kosova Sot", Sead Shabani.

(Kosova Sot)