Zeqa: Të raportohet në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë!

  • 04 April 2019 - 16:11
 Zeqa: Të raportohet në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë!

Analisti Florim Zeqa thekson se, siç duket, Hashim Thaçit nuk i mjaftuan keqpërdorimet me miliona euro për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mijë euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë.

“Për të mbuluar keqpërdorimet, paradoksalisht dhe pa asnjë të drejtë, Ministria e Drejtësisë ka klasifikuar si sekrete të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare...! Përderisa Ministrinë e Drejtësisë e paguan me para të buxhetit të shtetit, duhet të bëjë transparente dhe të raportojë në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë”, u shpreh ai.

“Në anën tjetër, Kuvendi si organ mbikëqyrës vazhdon të hezitojë për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga qeveria për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar Thaçin nga Specialja! Heshtja e Kuvendit flet për ndikimin e presidentit ndaj kryeministrit dhe deputetëve të pozitës, gjegjësisht për një bashkërendim edhe me deputetët e opozitës për të justifikuar abuzimet me paratë e taksapaguesve kosovarë”, vijoi më tej Zeqa.

“Mosbërja transparente e mjeteve të shpenzuara lë të hapura mëdyshjet për mbrojtje selektive nga shteti për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, për çka mund të dyshohet edhe për përzgjedhjen e viktimave, të cilat do të ndëshkohen nga ‘Specialja’!”, ka potencuar për “Kosova Sot” Florim Zeqa.

(Kosova Sot)